Do të jenë autoritetet italiane ato që do të përcaktojnë laboratorin ku do të kryehet ekspertimi i audio-përgjimit të bërë publik nga Partia Demokratike, në të cilin pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm flet për trafik droge. Materiali është dërguar me letër-porosi drejt vendit fqinj në Ministrinë e Drejtësisë, pasi në Shqipëri është e pamundur të kryhet një proces i tillë.

Do të jetë ky institucion që do të kontraktojë një laborator që do të krahasoje zërin e Agron Xhafajt me atë të audio-përgjimit, për të saktësuar shkencërisht nëse është i njëjti. Drejt Italisë ditën e enjte ka udhëtuar edhe një nga prokurorët e çështjes Përparim Kulluri, por nuk sqarohet se çfarë veprimesh hetimore ka kryer në vendin fqinj. Burime nga grupi hetimor konfirmuan për Tv Klan se nuk përjashtohet mundësia e marrjes së dëshmisë së Agron Xhafaj në Itali për interes të këtij hetimi. Hetuesit kanë dy rrugë për ta bërë këtë me anë të letër-porosisë ose pyetjes në burgun ku ai qëndronte.

Sipas të njëjtave burimi ai do të japë deponime jo si person nën hetim por në cilësinë e deklaruesit, duke qenë se nga Albert Veliu dhe zyrtarë të Partisë Demokratike pretendohet se është ai në audio-përgjim. Megjithatë një dëshmi paraprake ai e ka dhënë në Prokurorinë e Tiranës ku edhe denoncoi për kallëzim të rremë tre zyrtarët e Partisë Demokratike që bënë publik materialin. Krimet e Rënda janë duke hetimor për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike dhe kësaj dosje i është shtuar edhe kallëzimi i bërë nga Agron Xhafaj në Prokurorine e Tiranës. Për Xhafajn është duke u kryer edhe një verifikim pasuror.

Tv Klan