Situata e rëndë e emigrantëve me të cilën po përballet Italia ka sjellë reagimin e vendeve të tjera europiane. Të enjten Austria i dha ultimatum Italisë se nëse nuk mbyll portet dhe vazhdon të presë emigrantë do të mbyllë kufirin në Brenero. Këtë të premte ishte radha e Hungarisë.

Kryeministri Viktor Orban i dërgoi një letër homologut të tij Paolo Gentiloni, letër e firmosur edhe nga krerët e vendeve të tjera të Vizegradit, Republika Çeke, Sllovakia dhe Polonia. Romës zyrtare i kërkohet mbyllja e porteve për të zbutur fluksin e papërballueshëm të emigrantëve ose t’i mbajë ata e të pranojë asistencën e europianëve. Për Orban problemi duhet të zgjidhet në Libi, përpara se emigrantët të nisën drejt ujërave të Mesdheut. Kryeministri hungarez propozon edhe ndërhyrje ushtarake Afrikën e Veriut. Nuk vonoi përgjigja e kryeministrit Gentiloni.

 Nga fqinjët tanë që ndajnë projektin europian pretendojmë solidaritet, nuk pranojmë mësime e as fjalë kërcënuese, tha kreu i qeverisë në një dalje publike. Nga fillimi i këtij viti, mbi 120 mijë emigrantë kanë  hyrë në Europë përmes detit, 85% prej tyre kanë mbërritur në Itali.

Tv Klan