Me sytë ende nga Beleri, Athina zyrtare nuk harroi të jetë pranë tij edhe në festën e Pashkëve. Për të parë nga afër kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, që është kthyer në mollën e sherrit jo vetëm mes dy vendeve, por edhe në dyert e Brukselit, sërish erdhi Kryetari i Komisionit të Asocim-Stabilizimit BE-Shqipëri, Manolis Qefalojanis, i shoqëruar nga Vangjel Dule i PBDNJ-së.

Pas takimit në emër të deputetit Qefalojanis, i cili nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve u prononcua Dule, duke thënë se kjo vizitë që përkonte me Pashkët Ortodokse është gjithashtu dëshmi e interesimit të politikës greke për këtë çështje.

“Kefaloyannis është e katërta herë që po viziton Belerin, dëshmi kjo e interesit të vazhdueshëm jo vetëm brenda vendit por edhe në nivelet Europiane për këtë çështje padrejtësie të papranueshme në shkelje flagrante të funksionimit të shtetit të së drejtës, të demokracisë funksionale në vendin tonë. Ishte një vizitë për të shkëmbyer urime, por edhe për të dëshmuar vazhdimin e përpjekjes tonë në vendin tonë por edhe në Europë për gjetjen të vërtetës dhe të drejtës.”

Kryebashkiaku i zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri u dënua më 5 Mars nga Gjykata e Posaçme me 2 vite burg, për shitblerje votash në zgjedhjet lokale 14 Majit të vitit 2023. Menjëherë pas burgosjes së tij Kryeministri grek, Micotaqis e vuri Belerin në listën e kandidatëve për eurodeputetë të partisë së drejtuar prej tij “Demokracia e Re”, duke sjellë reagimin e ashpër të opozitës dhe të djathtës ekstreme në Greqi.

Tv Klan