Autoritetet britanike kanë bërë publike rezultatet e autopsisë për shqiptarin Ndriçim Sadushi, i cili ndërroi jetë Janarin e vitit të shkuar në burgun e sigurisë së lartë në Belmarsh të Londrës.

Në fillim u mendua si vetëvrasje, por autopsia vërtetoi se ish-anëtari  i bandës së Tan Kateshit gjeti vdekjen si pasojë e një ataku kardiak.

Gjatë qëndrimit në burg, ai kishte shfaqur shenja depresive. Administrata e burgut kishte regjistruar disa tentativa të tij për vetëvrasje.

43-vjeçari u arrestua në vitin 2012 në kryeqytetin britanik, pas një denoncimi për dhunë nga bashkëshortja.

Por më vonë, përmes shenjave të gishtave, autoritetet britanike zbuluan se ai kërkohej në Shqipëri, si anëtar i bandës së Kateshit, i akuzuar për 3 vrasje të kryera në vitin 1997.

Fillimisht Ndriçim Sadushi kishte qëndruar në Itali, ku rezulton i dënuar për pastrim parash dhe trafik droge.

Në fillimin e viteve 2000 ai u vendos në Londër. Për vite të tëra i shpëtoi policisë pasi lëvzite me identitet të rremë.

Tv Klan