“Të angazhuar maksimalisht, ashpërsojmë Kodin Penal”

Drogërat përbëjnë një kërcënim serioz për vendin dhe shoqërin tonë, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek kushtet sociale dhe ekonomike si dhe sigurinë publike. Shqetësimi u ngrit nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, mbajtur në takimin e Nivelit të Lartë të Komisionit të Drogërave dhe Krimit në Vjenë.

“Kompleksiteti dhe shkalla e drogave të forta ka ardhur duke u rritur, duke i ekspozuar përdoruesit ndaj një numri më të madh të substancave psikoaktive. Një gamë e gjerë substancash me veti psiko-aktive, të ofruara në forma të ndryshme, përbëjnë një rrezik potencial për shëndetin, duke çuar në vdekje e helmime”.

Ministri u ndal dhe tek nismat ligjore që po ndjek qeveria shqiptare, mes të cilave dhe ashpërsimi i Kodit Penal.

“Aktualisht po rishikojmë Kodin Penal për të trajtuar veprat penale brenda Perimetrit të Sigurisë në Shkolla, duke përfshirë trafikimin dhe shpërndarjen e drogave.”

Në takimin e mbajtur në Vienë, Shqipëria u bë anëtare e Koalicionit Global për adresimin e Rrezikut të Drogërave Sintetike, me propozim të Sekretarit të Shtetit amerikan, Antony Blinken.

Tv Klan