Partia Socialiste është gati që të ngrihet Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Kryetari i grupit parlamentar të PS tha se aktualisht ka një ngërç sa i përket objektit të punës së Komisionit, por kjo do të zgjidhet shumë shpejt.

“Jemi duke saktësuar objektin e punës së Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Kjo do të zgjidhet shumë shpejt. Për mua ka rëndësi që në fund të fundit po e diskutojmë këtë çështje dhe kemi shprehur vullnetin e plotë për ta ngritur Komisionin dhe koha është e mjaftueshme”, tha Balla.

Balla nuk preferoi të hynte në detaje, pasi sipas tij “sa herë që këto çështje bëhen publike na vonojnë kohën e zgjidhjes së çështjeve”. Megjithatë nuk e shmangu mendimin e tij se Komisioni i Posaçëm duhet të adresojë të gjitha rekomandimet e ardhura nga raportet e OSBE/ODIHR. Për çdo propozim tjetër, sipas Ballës ato mund të shqyrtohen.  

“Mendimi im është komisioni i posaçëm adreson të gjitha rekomandimet që kanë ardhur nga raporti i ODIHR. Pra duhet ta pranojmë që kemi që nga 2015 në mos më tej që nuk kemi adresuar rekomandimet. Ky duhet të jetë objekti i punës. Nuk duhet të paragjykojmë punën e komisionit. Nëse komisioni do të vijë me propozime të tjerë ato të shqyrtohen brenda Komisionit. Ajo që PS në shumicë garanton është që brenda Komisionit të Posaçëm ka barazi mes anëtarëve dhe të drejtë vetoje mes dy partive më të mëdha në parlamentin e Shqipërisë. Besoj se do ta gjejmë zgjidhjen në themelin e hedhur prej shumë vitesh”, tha Balla.

Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe zgjatja e mandateve të organeve të Vettingut. Sipas Ballës nuk duhet bërë debat për këtë çështje. Vettingu sipas Ballës është një domosdoshmëri.  

“Tashmë është çështje që i takon Këshillit të Legjislacionit, Komisionit të Ligjeve madje dhe Komisionit të Venecias që është ftuar për të dhënë një opinion urgjent për këtë çështje dhe mesa jam informuar Venecia e ka parashikuar në ditët e para të dhjetorit.  Të shmangim diskutimet në publik për këtë çështje, por të çojmë përpara një nevojë që nuk u parashikua para 5 vitesh, por sot është domosdoshmëri”, tha Balla.

Prokurorët e SPAK kanë kërkuar që të zgjatet mandati i tyre. Por çfarë mendon mazhoranca për këtë çështje? Sipas Ballës, kjo çështje ka procedura përpara pasi bëhet fjalë për ndryshim kushtetues.  

“Koha në dispozicion është e mjaftueshme sepse asnjë nga anëtarët e prokurorisë speciale nuk është në fund mandati të tij, por në fillim. Do kemi kohë, do ta diskutojmë”, tha Balla.

Balla shtoi se Grupi parlamentar i PS do të mbështesë paketën fiskale dhe buxhetin e shtetit për vitin 2022. Komentet, Balla i bëri pas mbledhjes së grupit parlamentar./tvklan.al