Kumbaro zbulon detajet e panairit të verës në Beograd

Ushqimi dhe vera më e mirë e kantinave shqiptare do të udhëtojë drejt Beogradit të Serbisë, për t’u ekspozuar në panairin “Vizioni i verës Ballkani i Hapur”.

Panairi që do të mbahet nga data 1 deri në 4 shtator ka në fokus promovimin e turizmit të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro zbuloi më shumë detaje për Tv Klan.

“Shqipëria do të marri pjesë me rreth 30 përfaqësues nga bota e prodhimit të verave dhe kulinarisë shqiptare të cilat do të zhvillohen qoftë në formën e stendave, qoftë në formën e ‘masterclass’ për të treguar jo thjesht produktin, por edhe gjithë dijebërjen që përcjell në fakt një frymë mirëfilli shqiptare.”

Ky sipas ministres është vetëm hapi i parë që mundëson në të ardhmen krijimin e një oferte të unifikuar turistike të Ballkanit.

“Nuk vjen si një garë midis vendeve, por si një ofertë e përbashkët ballkanike.”

Ky projekt do të zhvillohet edhe në vitet e ardhshme.

“Do të vijoi me Tiranën dhe Shkupin në vitet në vijim, por patjetër pa përjashtuar edhe vendet e tjera të cilat ne shpresojmë dhe besojmë fort se do t’i bashkohen ‘Ballkanit të Hapur’.”

Ky panair, i pari i këtij lloji në Ballkan, do të bëjë bashkë 333 ekspozues verërash nga rajoni dhe bota, dhe pritet të ketë rreth 30 milionë vizitorë. Në event kanë konfirmuar se do të marrin pjesë edhe tre liderët e Ballkanit të Hapur, Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut./Tv Klan

Tv Klan