PD e drejtuar nga Sali Berisha, pas bashkimit për aksionin në parlament me grupin Bardhi, ka punuar që ky bashkim të përfshijë edhe strukturat e partisë. Mbledhja e Këshillit Kombëtar që u zhvillua këtë pasdite, ka sjellë ndryshime të rëndësishme që nga kupola e lartë drejtuese e partisë deri në strukturat më të ulëta.

Me ndryshimet në statutin e PD-së që ka miratuar ditën e sotme Këshilli Kombëtar, PD-së që aktualisht ka 2 nënkryetarë, do i shtohet dhe 2 të tjerë, Gazment Bardhi dhe Agron Gjekmarkaj.

Lajmin e konfirmoi deputeti demokrat, Flamur Noka në një prononcim për gazetarët pas mbledhjes së Këshillit të PD-së. Gjatë fjalës së tij, Noka tha se drafti i miratuar nga Kryesia e PD-së është votuar pothuajse në mënyrë unanime nga Këshilli Kombëtar me vetëm 6 vota kundër.

Flamur Noka: Kryesia votoi në mënyrë unanime draftin dhe ja çoi për miratim Këshillit Kombëtar që kishte vetëm 6 vota kundër dhe e votoi pothuajse në mënyrë unanime këtë proces bashkimi aq shumë të pritur. Procesi ka shkuar konform statutit pikë për pikë. Sot, në Këshillin Kombëtar janë përfaqësuesit e demokratëve. Vota vendosi këtë bashkim.

Këshilli Kombëtar nuk ka votuar drejtpërdrejtë për emrat, por ndryshimet e statutit që çojnë automatikisht në Kryesi grupin “Bardhi”.

Në kuadër të ndryshimeve statutore, Nenet që preken janë ai 51, që përcaktohen se PD ka 2 nënkryetarë, një prej të cilëve është edhe kryetar i grupit parlamentar. Neni tjetër që ndryshon është edhe ai 47, për përbërjen e Kryesisë, ku në pikën 1 të saj, do të futen si anëtarë kryesie edhe kryetarët e nënkryetarët e komisioneve.

Këto dy pika, do të çojnë grupin “Bardhi” pa patur nevojë për votim të fshehtë të Këshillit Kombëtar drejtpërdrejtë e në Kryesinë e partisë. Pas riorganizimit të strukturave të partisë, deputetët do të nisin takimet me qytetarët dhe përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2025.

Me ndryshimet e reja, PD tanimë ka 4 nënkryetarë, Oerd Bylykbashin, Luçiano Boçin, Gazment Bardhin dhe Agron Gjekmarkaj. /tvklan.al