Qeveria po përgatit një paketë që synon rikthimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit. Pas mbledhjes së kabinetit, ministri i Brendshëm Taulant Balla u shpreh se përmes kësaj pakete synohet të krijohen kushte dhe mundësi pune për këtë kategori.

Taulant Balla: Synimi ynë është në kuadër të vizionit tonë “Shqipëria 2030” të rrisim ofertën për gjithë motrat dhe vëllezërit tanë që janë në emigracion, për t’u rikthyer në Shqipëri.

Një strategji po diskutohet edhe për të përballuar fluksin e emigrantëve që vijnë në Shqipëri nga shtetet e tjera.

Taulant Balla: Një dimension tjetër i migracionit që ka të bëjë me menaxhimin e flukseve migratore të emigrantëve që vijnë nga vende të tjera, që kryesisht e përdorin Shqipërinë si vend tranzit e ku Shqipëria duhet të ketë gati gjithë dokumentacionin që lidhet  me grupet vulnerabël, trajtimin e kërkesave për azil.

Për protestat e opozitës para bashkisë së Tiranës, Balla u shpreh se është i papranueshëm dhunimi ndaj efektivëve të policisë dhe institucioneve.

Taulant Balla: Çdo akt dhune ndaj institucioneve apo ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit dënohet ashpër. Përfitoj nga rasti t’i kërkoj Prokurorisë që të gjitha rastet e referuara nga Policia të ndiqen me vëmendje dhe natyrshëm të japim një shembull të qartë të ndëshkimit të gjithkujt që guxon të mos respektojë ligjin.

Ministri i Brendshëm konfirmoi se më 1 korrik do të rriten pagat e punonjësve të Policisë së Shtetit.

Taulant Balla: Synojmë që më 1 Korrik të realizojmë pritshmërinë shumëvjeçare të punonjësve të Policisë, rritje të fortë të pagave.

Balla tha se këtë vit policia do të ketë një mobilizim edhe më të madh për të garantuar sigurinë publike në një kohë që vendi pritet të përballet me një fuks të lartë vizitorësh gjatë verës.

Klan News