Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u shpreh i bindur të enjten se opozita nuk do të lejojë kryeministrin Edi Rama të emërojë pasardhësin e Kryeprokurorit Adriatik Llalla.

“Qëndrimet tona kanë qenë dhe janë të qarta, Prokurorin e Përgjithshëm nuk mund ta emërojë Edi Rama. Ky që ndërmori një sulm të tillë ndaj prokurorëve vetëm sepse kërkuan arrestimin e Saimir Tahirit, nuk mund të emërojë Prokurorin e Përgjithshëm. As deputetët e PS që e mbrojtën duke mos i hequr imunitetin nuk mund ta emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm. Nuk mund ta emërojnë Prokurorin e Përgjithshëm miqtë e Saimir Tahirit, Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit. Një Prokuror i emëruar nga këta njerëz do të thotë fund i hetimeve në rastin Tahiri, në rastin e Dakos dhe fushë e lirë për krimin. Ne nuk do ta lejojmë dhe nuk do ta pranojmë kurrë këtë

. Për më shumë kjo bie në konflikt total me frymën e Kushtetutës dhe të Reformës në Drejtësi, për ta kuptuar absurditetin mjafton t’ju kujtoj se edhe vetë Saimiri ka të drejtë të votojë. Pra i bie që një Prokuror i Përgjithshëm të zgjidhet edhe me votën e Saimir Tahirit, dhe ky prokuror është ai që do të nxjerrë para drejtësisë Saimir Tahirin”, tha Basha në një konferencë për shtyp nga selia blu. 

Kryedemokrati tha se liria e Tahirit, dekonspirimi kriminal nga vetë Ministria e Brendshme e aksionit të djeshëm për arrestimin e tre ish-drejtuesve të lartë të policisë, është fakt që tregon se Edi Rama është vendosur në mbrojtje të krimit.

Ai më tej akuzoi kryeministrin se po pengon çdo hetim kundër Tahirit dhe Dakos. /tvklan.al