Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka akuzuar qeverinë shqiptare se po harxhon paratë që mund të shpenzoheshin për blerjen e librave shkollorë në bileta për udhëtime dhe orendi e rikonstruksion zyrash.

Basha tha se ambasadori amerikan në Shqipëri, Donald Lu, ka të drejtë në mesazhin për të rinjtë:

” Ju jetoni në demokraci. Ju duhet të kërkoni dhe nëse qeveria nuk ju përgjigjet, ju e rrëzoni atë. Kështu funksionon demokracia. Në demokraci, përgjegjësinë dhe pushtetin e keni ju

.”

Gjatë një takimi në Rrëshen me të rinjtë, Lu tha se është e arsyeshme që qytetarët të kërkojnë nga qeveria të sigurojë para për të blerë libra për studentët,  por  nëse ajo refuzon atëherë i duhen drejtuar të tjera pyetje.

 “Ju duhet të pyesni se si ata janë duke paguar për ndërtesat e tyre qeveritare, makinat e tyre luksoze dhe udhëtimet e tyre të huaj. Ju këmbëngulni për liritë personale, siç ndodh në SHBA. Ju jetoni në demokraci. Nëse e kërkoni atë, qeveria juaj duhet të përgjigjet. Ose do t’i rrëzoni”

Basha tha se “Ndërsa përgjigja për pyetjen që çdo shqiptar duhet t’i bëjë qeverisë, kur ajo refuzon të paguajë librat shkollorë nga buxheti, është e thjeshtë: 

Vetëm për gjysmën e parë të vitit, qeveria shpenzoi: 

1. Për bileta/udhëtime rreth 2 milionë dollarë. 

2. Për Orendi/rikonstruksion zyrash: rreth 14 milionë dollarë. 

Kaq pará janë të mjaftueshme për të siguruar librat shkollorë për të gjithë nxënësit e Shqipërisë. 

Ashtu siç ka premtuar, Partia Demokratike do të depozitojë në Kuvend propozimin për të financuar nga Buxheti librat e shkollës për të gjithë fëmijët e Shqipërisë.”

/tvklan.al