Lulzim Basha e akuzon kryeminsitrin Edi Rama se në takimin me krerët e policisë, i dha garanci publike krimit.

“Qëllimi i daljes së Edi Ramës para drejtuesve më të lartë të policisë ishte t’u jepte garanci publike kriminelëve se pavarësisht ngjarjeve të fundit, ai e ka në kontroll policinë, se Saimir Tahiri është i sigurt, se interesat e krimit janë të mbrojtura e nuk do të preken. Në krah të Fatmir Xhafës sot Edi Rama u betua se do vendosë shpërblime për kokën e kriminelëve në kërkim. Sa do t’ja vërë çmimin kokës së vëllait të Ministrit të Brendshëm që kërkohet nga policitë e gjysmës së botës për trafik kokaine”?

Ndërsa Enkelejd Alibeaj  tha në një dalje per mediat  se Rama i ka vënë në dispozicion Tahirit të gjithë shtetin për të zhdukur provat që implikojnë rëndë edhe vetë kryeministrin.  Më herët kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili reagoi me akuza për lidhje të qeverisë me krimin. Por i  bëri edhe një paralajmerim kryeministrit. 

“Kryeministër bëj kujdes sepse sigurisht halli madh t’i ka errësuar sytë dhe ne e kuptojmë këtë gjë. Por bëj kujdes dhe me komunikimet telefonike dhe me lëvizjet që bën, edhe me telefonatat. Edhe me kërcënimet apo joshjet që u bën personave kyç. Të mërkurën ky kryeministër ka një provë të qartë nëse do rreshtohet me krimin ose me drejtësinë”.

Të mërkurën parlamenti do të shqyrtojë dy raportet e Këshillit të Mandateve në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për të autorizuar arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Mazhoranca ka autorizuar hetimin dhe kontrollin e banesës, por jo arrestimin. Ndërsa opozita kërkon arrestimin e tij sipas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Parlamenti do të duhet të shprehet me shumicë votash se cilin nga raportet do të mbështesë.

Tv Klan