Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi Kryeministrin Rama se prej tre vitesh qeveris me krimin dhe se me paratë e drogës e korrupsionit po tenton të rimarrë sërish pushtetin.

Nga Devolli ku u takua me strukturat drejtuese të Partisë Demokratike, Basha tha se Rama shkeli kontratën me shqiptarët dhe se në vend të siguronte rend e siguri sulmon opozitën.

 

“Erdhi në pushtet me krimin dhe prej asaj dite i shërben dhe shërbehet nga krimi. Dhe kur ne denoncojmë ka guxim të thotë se opozita është më e keqe e krimi. Sigurisht që për Edi Ramën opozita është më e keqe se krimi, se me krimin drekon, me krimin darkon, me krimin gdhihet, me krimin ngryset, me krimin i ka të gjithë pazaret. Si mund të jetë opozita më e mirë se krimi, kur Edi Rama dhe krimi janë bërë njësh me qëllim për të mbajtur pushtetin, për të bërë më shumë para, për të vjedhur zgjedhjet dhe për të prishur vullnetin e qytetarëve shqiptarë.”

Kryeministrin Rama e akuzoi se nuk ka mbajtur asnjë premtim të dhënë përpara shqiptarëve, duke u kthyer në shërbëtor të të inkriminuarve dhe klientëve të tij.

Ky kryeministër mbron ata që janë në kërkim policor, ndihmon të arratisen ata që janë të dënuar, ulet, drekon, darkon, bën pazare me kriminelët më të njohur të Shqipërisë dhe të Ballkanit. Nga ana tjetër arreston, keqtrajton, dhunon, poshtëron qytetarët e pambrojtur. Ky është shteti që ka ndërtuar Edi Rama në tre vite. Për njerëzit në nevojë ekonomike nuk ka ndihmë ekonomike, për pensionistët nuk ka rritje pensioni, për të papunët nuk ka shanse për punë, për të pambrojturit vetëm kërbaç, për kriminelët Shqipëria është kthyer hambar droge.”

Basha tha se Partia Demokratike ndodhet përpara një detyre historike që t’i prijë vullnetit popullor për rrëzimin e qeverisë.

Tv Klan