Mbajtja mbyllur edhe një javë e shkollave, që sipas qeverisë bëhet për shkak të epidemisë gripale, nuk shikohet nga i njëjti këndvështrim nga shefi i opozitës.

Lulzim Basha në një status në rrjetin social Facebook shkruan se shkollat po mbahen të mbyllura për shkak të të ftohtit, dhe jo të gripit.

Ai shkruan se gripi është pretekst për të shmangur tragjedinë që mund të shkaktohet nga mungesa e kushteve minimale.

Basha drejton gishtin ndaj kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzon se ka harxhuar 400 milionë euro për projektin megalloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve. Basha thotë se Rama ka lënë shkollat e vendit në gjendje të mjeruar.

Postimi i plotë i Lulzim Bashës

Shkollat po mbahen të mbyllura dhe nxënësit larg bankave, për shkak të të ftohtit, dhe jo të gripit.

Gripi është pretekst për të shmangur tragjedinë që mund të shkaktohet nga mungesa e kushteve minimale. Shkollat ku shkojnë pjesa më e madhe e fëmijëve, janë pa ngrohje, pa xhama, janë akull të ftohta. Prandaj edhe temperaturat e këtyre ditëve janë rrezik i vërtetë për fëmijët.

Edi Rama ka harxhuar 400 milionë euro për projektin megalloman dhe abuziv të fasadave dhe shesheve. Ndërkohë i ka lënë shkollat e vendit në gjendje të mjeruar. Për shkollat Edi Rama ka deklaruar se nuk ka para, ndaj ka vendosur që t’ia u japë edhe ato me koncesion klinetëve të tij.

Por gripi që qeveria po përdor si pretekst për mbylljen e shkollave është shenja më e qartë e falimentimit të sistemit të shëndetësisë. Mbi 300 milionë euro koncesione ka dhënë Edi Rama në shëndetësi, para që po shkojnë për klientët e tij pa i sjellë asnjë përfitim njerëzve, asnjë përfitim të sëmurëve. Ndërkohë që qeveria nuk ka fonde për të vaksinuar grupet e njerëzve që rrezikohen më shumë nga gripi.

Tashmë është e qartë se reformat e bujshme rilindase kanë qenë propaganda për të verbuar njerëzit, faqe grabitjes së pasurive dhe fondeve publike me të cilat po pasurohet Edi Rama dhe klientët e tij.

Çdo ditë që Edi Rama qëndron në pushtet është një ditë e keqe për ne dhe të ardhmen tonë. Le ta ndalim së bashku këtë të keqe. Le ta vëmë qeverinë në shërbim të njerëzve./ tvklan.al