Basha: Situata dramatike, ekonomia dhe politika dominohen nga droga



Pas deklaratave të bëra një ditë më parë nga shefi i Antimafias, ka reaguar Lulzim Basha. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i Partisë Demokratike shkruan se “shefi i Antimafias Italiane, Franko Roberti, i ka rënë edhe një herë këmbanave të alarmit për rrezikun që droga shqiptare po i sjell Italisë, duke fuqizuar krimin e organizuar që ka çuar në përplasje mes grupeve rivale mafioze që kërkojnë kontrollin e rrugëve të drogës nga Shqipëria”.

Basha thotë se tashmë prodhimi kryesor i Shqipërisë, eksporti kryesor i Shqipërisë dhe marrëdhënia kryesore që Shqipëria ka me botën është droga. Sipas tij, droga shqiptare është tashmë kërcënim serioz për rendin në Itali dhe vend të tjera europiane.

Më tej në reagimin e tij, kreu i PD e konsideron situatën akoma më dramatike sepse sipas Bashës tani ekonomia dhe politika në Shqipëri dominohen nga droga.

Për Bashën shpëtimi nga kjo gjendje mund të vijë vetëm nga reagimi i gjithë shoqërisë.

“Partia Demokratike prej katër vjetësh ka paralajmëruar për gjendjen dhe pasojat e pritshme të drogës, ka denoncuar politikanët dhe kriminelët e lidhur me drogën, ka ndërmarrë nisma ligjore kundër futjes në politikë të njerëzve të lidhur me drogën dhe krimin. Por përpjekjet e saj nuk mjaftojnë nëse media, shoqëria civile, intelektualët, biznesi dhe vetë qytetarët nuk reagojnë”, shkruan Basha më tej në reagimin e tij, ndërsa shton:

“Edi Rama nuk do të shkëputet kurrë nga droga, përkundrazi, do të vazhdojë të përdorë paratë e drogës për të fuqizuar pushtetin e tij personal dhe për të blerë e manipuluar opinionin publik. Partia Demokratike do të vazhdojë të luftojë pa kompromis politikën e drogës, por është detyra e çdokujt që kërkon një shoqëri pa drogë dhe një të ardhme të sigurt të reagojë dhe veprojë për të krijuar së bashku një front kundër drogës dhe politikës së drogës”./tvklan.al

Kategori
PolitikaTe funditTë gjitha
0 Komente

Përgjigju

*

*