Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian miratoi të hënën vendimin përfundimtar për të ndryshuar kornizën negociuese për anëtarësim me Serbinë, duke e kushtëzuar pranimin e saj jo pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ky ndryshim ka të bëjë me kapitullin 35 të kornizës negociuese, në të cilin zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën tani bëhet edhe kusht për Serbinë në procesin e negociatave të anëtarësimit në union.

Më 27 Shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 Mars në Ohër u arrit dakordësia për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Zëdhënësi i BE-së, Stano konfirmoi se edhe për Kosovën do të bëhet formal një detyrim i tillë përmes një grupi “special për normalizim”.

“Axhenda e takimit të ardhshëm të grupit special për normalizim për Kosovën do të përditësohet po ashtu. Ne presim që të dyja palët ta zbatojnë Marrëveshjen dhe të gjitha obligimet tjera që kanë mbetur nga dialogu, sepse kjo është kyçe për rrugëtimin e tyre përkatës evropian”.

BE-ja insiston se Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi, pavarësisht se nuk janë nënshkruar nga palët, janë obligime ligjore për të dyja vendet.

Serbia, përmes zyrtarëve të saj, ka deklaruar se ajo nuk do të zbatojë pjesë të marrëveshjes që kanë të bëjnë me integritetin territorial dhe pranimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Tv Klan