31-vjeçari Leon Simoni me mjetin luksoz pas manovrave të rrezikshme përfundon në trotuar

Këto pamje i përkasin aksidentit të rëndë të mbrëmjes së të mërkurës në qytetin e Beratit, ku një 31-vjeçar përplasi tre qytetare. Siç duket edhe nga pamjet filmike të xhiruara nga një karburant në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Kombinatit”,  Leon Simoni, shfaqet duke kryer manovra të rrezikshme në rrugë me automjetin tip “Benz” me targa angleze.

Pasi humb kontrollin e makinës përplaset me një automjet të parkuar tip “Fiat” dhe plagos rëndë drejtuesin e këtij mjeti Shkëlqim Kapxhiu, 63 vjeç dhe dy këmbësoret Blerina dhe Mersine Nerjaku, 45 dhe 37 vjeç. Pas aksidentit shoferi nga Shkodra është arrestuar. Sipas burimeve mësohet se pas përplasjes i është kryer testi i alkoolit, ku ka rezultuar me 0%.

Nisur nga fakti i sjelljeve të tij pas ngjarjes, policia ka ngritur dyshime se mund të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike. Për këtë arsye përpara se të dërgohet në komisariat është dërguar në Spitalin Rajonal të Beratit për kryerjen e analizave të gjakut për drogë dhe policia është në pritje të rezultateve përkatëse.

Dy këmbësoret Blerina dhe Mersine Nerjaku ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Beratit, ndërsa 63-vjeçari Shkëlqim Kapxhiu ndodhet në spitalin traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Aksidentet rrugore janë kthyer në një shqetësim serioz gjatë ditëve të fundit. Në rrugët e vendit brenda pak orësh humbën jetën 3 qytetar si pasojë e aksidenteve të rënda.

Klan News