Ish-Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se dosja hetimore ndaj Saimir Tahirit është kusht kryesor për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij në Parlament, Berisha bëri me dije se partnerët ndërkombëtarë i kanë thënë opozitës se dosja “Tahiri” është kusht për negociatat. Për këtë gjë, theksoi ish-Kryeministri, është në dijeni edhe Kryeministri Edi Rama.

“A e dini që në makinë me Sotën ka qenë vet Saimir Tahiri? A e morët vesh që ka çuar Don Agaçion për të nxjerrë në Katania dokumentin e falsifikuar? Ne partnerët europianë na i kanë thënë se çështja ‘Tahiri’ do të jetë kusht kryesor për integrimin. Kur na i thonë ne, ju garantoj se atij ja thonë 3 herë më shumë. Po pse e mban Tahirin ai? Po mban veten e tij ai. Po Habilaj është Habilaj, po Xibraka është një dosje e tmerrshme”,

deklaroi ish-Kryeministri Sali Berisha

Duke replikuar për këtë fakt, Kryeministri Rama tha se nga partnerët ndërkombëtarë i është thënë vetëm se si ka mundësi që opozita shqiptare nuk e kupton situatën në të cilën ndodhet vendi. Rama foli edhe për deklaratat e Berishës ndaj ambasadorit amerikan Donald Lu.

“Partnerët tonë kombëtarë thonë diçka që mua me vjen shumë zor, nuk mund ta duam ne më shumë Shqipërinë se sa e do opozita juaj, si është e mundur që opozita juaj nuk e kupton gjëkundi këtë periudhë kaq të rëndësishme për vendin, por jo vetëm që nuk je kontribut por të gjitha këto fantazi me baltë nuk lini rast pa ja u thënë kujtdo që ju drejtohet anglisht. A isha unë në Bruksel javën e shkuar? Ju flisni për ata. Si ka mundësi që të gjithë përfaqësuesit më të lartë në Bruksel ishin në një zë për çelen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë? Edhe nga familja juaj politike u shprehën me nota pozitive për ecurinë e Shqipërisë. Partnerët europianë thonë se nuk mund ta duam ne Shqipërinë më shumë seç e do opozita juaj. Si është e mundur që opozita nuk e kupton gjëkundi këtë periudhë kaq të rëndësishme për vendin dhe jo vetëm që nuk jep asnjë kontribut, por përkundrazi gjithë këto fantazi, gënjeshtra e luftë me baltë nuk lini rast pa ia hedhur në vesh kujtdo që ju drejtohet në anglisht dhe ju dëgjon në anglisht.”,

tha Kryeministri Edi Rama, duke iu drejtuar opozitës. 

/tvklan.al