Ish-kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij nga “Çadra e Lirisë” këtë të enjte tha se Rama po përpiqet të mbijetojë politikisht me krimin.

Fjala e plotë e ish – kryeministri Berisha:

Një përshëndetje për ju, qëndrestarë të votës së lirë, që shënuar sot një rekord historik të protestës së shqiptarëve për liri dhe fitore. Miku ynë i dashur Emet! Ne jemi shumë krenarë me ty sot dhe vizitën tuaj këtu e konsiderojmë një lajmëtarë, një ogur të mbarë të fitores sonë të sigurtë! Të rinjve këtu do t’u kujtoj sot një moment: deputetët e parë që erdhën në ditën e parë të themelimit të PD-së, ishin deputetët hungarezë. Ishte Radio Hungaria dhe Ambasada Hungareze, zëdhënëse të shkëlqyera të lëvizjes së lirë shqiptare. Ne sot jemi prapë në një betejë jetike për vendin. Etërit e Edi Ramës e mbajtën 47 vite pushtetin vetëm e vetëm me krimin. Vendi kishte shkolla, spitale, veprimtari, por pushteti mbahej vetëm me krimin. Sot pasardhësi i tyre, biri shpirtëror i Enver Hoxhës dhe një krimineli biologjik ka vendosur të mbajë pushtetin me krim pikërisht në këtë vendim e shndërroi Shqipërinë në vendin e drogës dhe vetë në një Noriega të Evropës. Noriega kishte mbështetje, siç ka ky sot. Por ata që e mbështetën Noriegën, një ditë dërguan marinsat dhe i treguan vendin. Edi Rama përpiqet të mbijetojë politikisht me krimin dhe mbi krimin. Po i them se ne mund të shembim ty, perandorinë e drogës dhe çdo ditë që kalon, laku në fyt po të ngushtohet. Mashtrues ordiner, Nastradin i vërtetë! Tre ditë më parë deklaronte se unë do të bëj çfarë të thotë PP, por dje në takim i tha Bashës as i njoh fare. Edvin, mos i rri larg zgjidhjes politike, se alternativë do të kesh zgjidhjen fatale. Ti që e shndërrove vendin në narkorepublikë. Edhe mëshira ka një kufi, edhe ajo po u tejkalua, të pret fataliteti. Data 7 maj është një ditë historike e demokracisë shqiptare. Pas 27 vitesh, Kavaja sërish bëhet kryeqyteti i demokracisë. Më 7 maj, Kavaja firmos fitoren e saj, fitoren e mbarë shqiptarëve, hedh në kosh të plehrave, ia përplas në surrat, farsën e drogës dhe krimit, Noriegës së shqiptarëve, Edvin Kristaq Ramës. Ndaj thirrja ime për qytetarët e Kavajës është ta shndërrojë 7 majin në guximin, trimërinë, zgjuarsinë e tyre në ditën e ngadhnjimit të revolucionit mbi farsën elektorale. Edhe njëhërë më 7 maj, fitore! Fitore, fitore!.

 /

tvklan.al