Mënyra më e mirë për të shitur drogë pa rënë në sy? Sipas një shqiptari në Britani: Duke përdorur taksi.

L. Spahiu, i cili pritet të sillet në Shqipëri, u kap me 30 pako kokainë, ndërkohë që udhëtonte si pasagjer në një taksi në Brighton dhe Hove.

Kur taksia mbërriti në zonën e Bevendean, një tjetër person hipi në taksi. Qëndroi aq sa për të blerë drogën. Por vetëm disa minuta më pas oficerët në Sussex identifikuan taksinë në fjalë dhe e ndaluan në semafor.

Spahiu doli nga mjeti dhe tentoi t’ia mbathte, por u kap shpejt nga njësia speciale e forcës. Shqiptarit iu gjetën 30 qese të vogla kokaine të fshehura brenda paketave të cigareve, para dhe një celular i pagjurmueshëm.

27-vjeçari akuzohet për posedim të drogës së klasit A me qëllim për shitje. Më 10 Nëntor, Spahiu u paraqit përpara gjykatës ku iu caktua 22 muaj burgim. Pas përfundimit të dënimit, ai do të sillet në Shqipëri./tvklan.al