Perceptimi i biznesit gjerman për situatën ekonomike në Shqipëri është përmirësuar krahasuar me një vit më parë. 2 të tretat e kompanive gjermane që operojnë në vendin tonë janë shprehur “mirë” ose “kënaqshëm” mbi mjedisin e të bërit biznes.

Në rritje është raportuar edhe ecuria e të ardhurave të tyre, ndërsa dy faktorët të vlerësuar më pozitivisht janë kostoja e punës dhe produktiviteti i punonjësve.

“Më shumë se gjysma e tyre, 56%, mendojnë se do të rriten të ardhurat e kompanisë që kanë në Shqipëri. Indikatori më i lartë në vite”

, shprehet Hartmut Jarosch, nga Dhoma Gjermane e Tregtisë.

Në përkeqësim janë tre indikatorë: barra e taksave, sistemi dhe administrata tatimore dhe administrata publike. Ndërsa Shqipëria vijon të mbetet e fundit mes 20 vendeve të Europës Qendore dhe Lindore si atraksion për destinacion investimesh.

Megjithatë 77% e bizneseve janë shprehur se janë të gatshëm të investojnë sërish në Shqipëri. Pyetjes se a pret ndryshime komuniteti i sipërmarrësve gjermanë nëse do të kishte një dritë jeshile për hapjen e negociatave zgjodhi t’i përgjigjej e dërguara me punë në Tiranë, Anke Holstein.

“Kjo pyetje duhet të na bëhet 10 vjet më vonë, sepse tani po flasim për hapjen e tyre. Deri në procesin e anëtarësimit tregu shqiptar duhet të përgatitet për trysninë e atij europian”,

tha ajo.

Holstein tha se Gjermania nuk e ka ende një qëndrim nëse do të votojë pro hapjes së negociatave e se për këtë do të shprehet parlamenti. Ajo nënvizoi se faktor vendimtar në këtë qëndrim do të jetë shteti ligjor, reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit e korrupsionit.

Tv Klan