Mbahej prej kohësh në vijim. Pasi mblodhën informacion policia vendosi të ndërhynte. Gjatë operacionit të koduar “Underground”, në Peshkëpi të Vlorës janë sekuestruar 1 ton e 255 kilogram kanabis. 

Në pranga ka përfunduar Ilirjan Borakaj, 55 vjeç. Lënda narkotike, ishte fshehur poshtë banesës së 55-vjeçarit, nëpër tunele të nëndheshme të hapura posaçërisht për fshehjen e saj, të vendosura nëpër paketime të mbështjella me qese plasmasi dhe natriban ngjitës. 

Sipas policisë kjo sasi me lëndë narkotike do të trafikohej në ditët në vijim nëpërmjet ujërave detare drejt shtetit Italian. 

Policia thotë se kjo sasi e konsiderueshme e lëndës narkotike e grumbulluar nëpër tunele si bazë për fshehjen e saj, është realizuar në bashkëpunim me persona të tjerë, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Një prej autorëve dyshohet se është vëllai i Ilirjan Borakës,  Jetnor Borakaj, 44 vjeç, i shpallur në kërkim për “Prodhim dhe shitje narkotikësh” që prej vitit 2012 (i dënuar me 2 vite burg) i cili dyshohet se mund të jetë përfshirë edhe ai në këtë ngjarje./ tvklan.al