Duke u shprehur i keqardhur se “u prishi dasmën”, nga foltorja e Kuvendit, kreu i Libras, Ben Blushi tha se pas shumë kacafytjesh, sharjesh e fyerjesh, Berishën e Ramën e kemi në qeveri.

Teksa e akuzoi opozitën për tradhëti të çdo kauze, Blushi tha se PS, PD dhe LSI shkojnë në bashkëqeverisje, e këtë sipas Blushit nuk ka një shqiptar që nuk e kupton.

“Do e korrni kanabisin bashkë. Kjo është bashkëqeverisje, pa zgjedhje. Unë ika se nuk bën asnjëri nga këta. Ju shkuat me vrap. Të gjithë njerëzit janë njësoj, ankohen qajnë dhe pushojnë vetëm kur i fusin biberonin në gojë”.

Më tej, Blushi tha se

“kush voton në 25 Qershor për PD -në e çadrës duhet ta dijë shumë mirë që ka votuar për kryeministër Ramën, kush voton Rilindjen merr Saliun. A ka njeri që se kupton këtë?”

E duke komentuar ndryshimet në Kodin Penal, Blushi tha se ai nuk garanton arsyen për të cilën opozita u fut në çadër. Ai tha se ky Kod nuk garanton asnjë standard të ri.

“Ky Kod ndëshkon votuesit. Domethënë ndëshkon një fshatar që ju i jepni 50 mijë lekë dhe nuk ka asnjë nen që ndëshkon komisionerin që shet votën”.

Në kundërpërgjigje, kryeministri Rama e konsideroi Blushin deputetin më të mërzitur nga marrëveshja./tvklan.al