Ashtu siç edhe ishte parashikuar, me kërkesë të Italisë që mban presidencën e radhës, liderët e G7-s mbajtën pasditen e së dielës një video-konferencë ku diskutuan mbi situatën e krijuar në Lindjen e Mesme pas sulmit që Irani ndërmori ndaj Izraelit natën e kaluar.

Shtëpia e Bardhë teksa shpërndau pamje nga takimi virtual, bëri të ditur se udhëheqësit dënuan sulmin e paprecedentë të Iranit dhe riafirmuan angazhimin e G7 për sigurinë e Izraelit.

Presidenti i SHBA Joe Biden mësohet ka premtuar një përgjigje të koordinuar diplomatike të G7 ndaj këtij sulmi.

Sulmin e dënuan edhe liderët e tjerë europian si kryeministri britanik, Rishi Sunak, presidenti francez Emmanuel Macron apo edhe kancelari gjerman Olaf Scholz, të cilët shprehën gjithashtu solidaritet me Tel Avivin.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell si dhe presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen duke dënuar sulmin, e cilsuan atë si një “përshkallëzim të paprecedentë” dhe një kërcënim të rëndë për sigurinë rajonale.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres kërkoi ndalimin e menjëhershëm të armiqësive në Lindjen e Mesme dhe shmangien e çdo veprimi që mund të çojë në konfrontime më të mëdha ushtarake.

Ndaj sulmit reaguan edhe Rusia me Kinën, të cilat u bënë thirrje palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe që problemet ekzistuese t’i zgjidhin me mjete politike.

Tv Klan