Armando Broja vijon të tërheqë vëmendjen e klubeve angleze. Sinjalet e largimit të 22-vjeçarit nga Chelsea në fund të sezonit kanë hapur ankandin për shërbimet e sulmuesit shqiptar.

Sipas asaj që raportohet në mediat britanike, Uolves është i etur për të nënshkruar me Brojën për të rivalizuar me interesin e skuadrës tjetër të Premier League, West Ham.

“Ujqërit” kanë nevojë për më shumë cilësi dhe alternativa në repartin e sulmit. Broja konsiderohet si një marrëveshje mjaft efikase, pasi edhe kosto financiare nuk do të ishte problem për arkat e tyre. Sulmuesi kuqezi ka treguar prodhimtari në Premier League ku bëri diferencën me gola gjatë huazimit te Southampton.

Por me kalimin tek Fulham, Broja nuk ka treguar atë nivel loje, madje shpesh duke mos u preferuar nga trajneri për tu hedhur në fushë. Ndërkohë, Chelsea synon të mbush arkat me shitjen e Brojës për të shmangur shkeljet e Fair Play Financiar. 

Mbetet për t’u parë nëse Uolves vendos të konfirmojë interesin e tyre me një ofertë zyrtare për të nënshkruar me 22-vjeçarin në merkaton e verës. Për kartonin e shqiptarit “Blutë e Londrës” kërkojnë rreth 50 milionë Euro.

Klan News