5 të arrestuarit për 1.3 ton kanabis të kapura të premten në Kavajë do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Krimeve të Rënda, me kërkesë të prokurorisë ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg për Joni Sadikajn, Roland Hysenbelliun, Kejvi Hajdarin, Arvis Muçajn dhe Aristotel Kasajn.

Por dëshmitë e të ndaluarve në sallën e gjyqit duket se kanë zbuluar një nga drejtusit e këtij rrjeti. Mjeti në të cilin u gjet 300 kilogramë kanabis është në pronesi të Aristotel Kasajt, i cili ia kishte shitur Arvis Muçajt, por pa kryer procedurën e kalimit të pronësisë. Ndërsa Muçaj deklaroi në sallën e gjyqit se automjetin ia kishte shitur shtetasit E. Sina nga Vlora.

Ky person është shpallur në kërkim nga prokuroria dhe dyshohet se është organizatori i trafikut.

Sina, i shpallur në kërkim ka lidhje familjare me të arrestuarin Joni Sadikaj. Por 18 – vjeçari mohoi në sallën e gjyqit që të kishte lidhje me trafikun.

Ai tha se sëbashku me miqtë e tij, Kejvi Hajdari dhe Roland Hysenbelliu pasi drekuan në një restorant në Synej të Kavajës humbën rrugën, për t’u kthyer në Tiranë dhe se u ndaluan kur pyetën një patrullë të policisë se ç’rrugë duhet të merrnin.

Por prokuroria solli disa përgjime ambientale të kryera në komisariatin e Kavajës, ku ai, Hajdari dhe Hysenbelliu flasin me njëri-tjetrin për sasinë e drogës dhe diskutojnë se çfarë duhet të thonë.

Ndërsa Gjykata e Vlorës ka lënë në burg 8 nga 9 të arrestuarit e 15 tonëve kanabis të sekuestruar në Llakatund. I vetmi që ka lënë qelinë është inspektorin i policisë Avdul Sinanaj.

Të arrestuari akuzohen për prodhim dhe mbajtje të lëndëve narkotike.

Tv Klan