Lulzim Basha ka reaguar për herë të parë pas lajmeve te publikuara nga media greke se Shqipëria dhe Greqia e kanë arritur marrëveshjen për kufirin detar dhe demarkacionin e Zonave Ekonomike Ekskluzive. Kryetari i Partisë Demokratike, duke iu referuar këtyre raportimeve, e quajti atë një skenar kriminal dhe paralajmëroi se opozita do të kërkojë nga Kuvendi transparencë.

Lulzim Basha:

“Skenar kriminal! Nëse pretendimet e grekëve rezultojnë të vërteta, askush nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë, deputetët tanë në Komisionin e Jashtëm do kërkojnë shpjegime sipas ligjit”.

Krahas kësaj, opozita do t’i kërkojë Kuvendit edhe ngritjen e një komisioni hetimor për drogën dhe ish-ministrin e Brendshëm,  Saimir Tahiri, duke mos hequr dorë nga kërkesa për kallëzim penal ndaj ministres së Drejtësisië, Etilda Gjonaj, që sipas opozitës për të mbrojtur Tahirin ekstradoi në Itali të dyshuarin si financier në bandën “Habilaj”, Nezar Seiti.

“Jo nuk kemi hequr dorë, në vijim të kësaj çështje është edhe Komisioni Hetimor”.

Basha adresoi një tjetër paralajmërim në adresë të kryeministrit edhe për prishjen e godinës së Teatrit Kombëtar, për të cilën artistët prej disa ditësh protestojnë kundër vendimit të qeverisë.

“Fakti që u përpoqën të vënë nën kontroll FSHF, iu vërsulën artistëve. Teatri nuk janë kullat, por artistët”.

I pyetur nëse për zëvendësimin e vakancës së lënë në Kuvend nga Eduard Halimi po përdorej i njëjti skenar si në rastin e Arben Ndokës në vitin 2013, Lulzim Basha dha këtë përgjigje:

“Sa ka lidhje televizioni yt me gomonet e drogës ka lidhje edhe kjo”.

Këto deklarata Basha i bëri pas mbledhjes së Grupit Parlamentar ku deputetët e opozitës ngritën shqetësimin edhe për vonesat në pagat e pedagogëve, ndërsa Basha akuzoi edhe njëherë qeverinë për ligjin e arsimit të lartë.

Tv Klan