Phillipe Coutinho nuk bën hap prapa. Vendimi për të luajtur me Barcelonën është marrë.

Pasi i ka kërkuar zyrtarisht klubit që të prishë kontratën, në mënyrë që t’i detyronte zyrtarët e Liverpool që të uleshin në bisedime me ata të Barcelonës, futbollisti ka shkuar edhe më tej.

Në një lajm ekskluziv të “El Mundo Deportivo”, gazetë pranë Barcelonës, raportohet se braziliani ka komunikuar me trajnerin Jurgen Klopp, të cilit i ka shprehur vendimin e tij për të mos veshur më fanellën e Liverpool.

Sipas kësaj të përditshmeje, lojtari po merr edhe rrezikun për të mos qenë pjesë e kombëtares për në botërorin e Rusisë, vetëm që të mos i shpëtojë okazioni nga duart për të luajtur për Barcelonën.

Që prej 2013 kur shkoi në Anfield Road, në 5 sezone, Coutinho ka luajtur 180 ndeshje me këtë skuadër duke shënuar 42 gola. Vetë lojtari thotë se ka vepruar në respekt të klubit dhe të tifozëve kur ka kërkuar largimin nga Anglia fillimisht në mënyrë miqësore e më pas zyrtare madje së fundmi ka ngritur zërin dhe ka vendosur të mos luajë më të gjithë sezonin edhe nëse klubi nuk do ta pranojë largimin e tij.

Dje ai nuk u aktivizua në ndeshjen e play-off të Champions kundër Hoffenheim. Zyrtarisht u tha se kishte një shqetësim në shpatull, por ndoshta ky ishte paralajmërimi i parë./Tv Klan