Presidenti Bujar Nishani duket se e ka marrë tashmë vendimin nëse do t’i dekretoje ose jo katër ministrat e rinj të propozuar nga kryeministri Rama.

Këtë vendim kreu i shtetit do ta bëjë publik në orën 18.00 të pasdites në një konferencë për shtyp ne presidencë.

Emrat Fatmir Xhafajt, Olta Xhaçkës, Eduard Shalsit dhe Ogerta Manastirliut i janë nënshtruar një procesi verifikimi të figurës e personalitetit nga Presidenti i Republikes, i cili ka kërkuar informacione nga institucionet e inteligjencës, menjëherë pas mbërritjes së kërkesës së kryeministrit Rama për t’i dekretuar.

Në CV-të dhe në formularët e dekriminializimit, asnjëri prej katër kandidatëve të përzgjedhur si ministra të ardhshëm në kabinetin Rama nuk ka shënuar të kenë pasur probleme me drejtësinë shqiptare apo atë të huaj.

Por verifikimi nga ana e presidentit mësohet se nuk ka pasur në fokus ligjin e dekriminalizimit, pasi të katër të propozuarit e kanë kaluar atë më parë, tre si deputete te kuvendit te Shqiperisë dhe një si drejtuese e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza.

Emri me i diskutuar është ai i Fatmir Xhafajt pas akuzave të bëra këto ditë në media nga dy persona se ai ka qene hetues në kohën e komunizmit dhe ka dhenë vendime politike, edhe pse për këto akuza nuk ka pasur deri tani asnjë provë konkrete.

Një ditë më parë kryeministri Rama i quajti denoncuesit si “heronj të Republikës së re” duke i lidhur më protestën e opozitës dhe duke publikuar një shkrim sipas te cilit ata ishin te dënuar dhe të dyshuar për vepra të rënda penale.  

Tv Klan