Palët politike në Maqedoni nuk i janë përgjigjëur ftesës së presidentit Gjorgje Ivanov për tryezë të përbashkët, me qëllim tejkalimin e situatës së rëndë ku ndodhet vendi, pas ngjarjeve të një dite më parë.

I pari që deklaroi publikisht se nuk do të ulej në një tryezë dialogu me Gruveskin dhe Ivanov ishte kreu i LSDM-së Zoran Zaev. I fashuar nga plagët e marra mbrëmjen e kaluar, ai tha se pushtimi i parlamentit nga mbështetësit e VMRO-DPMNE-së dhe dhunimi i deputetëve ishte një tentativë vrasjeje.

Në fjalën e tij, Zaev u zotua se do të vijojë formimin e qeverisë së re.

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti dënoi aktin, duke thënë se përgjegjësit e saj duhet të shkojnë përpara drejtësisë.

Policia e Maqedonisë u vu në qendër të kritikave gjithashtu nga ambasadorët e akredituar në Shkup, si edhe nga mediat. Forcat e rendit akuzohen se kanë lejuar protestuesit të mësyjnë në parlament.

Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë, pranoi më herët se policia nuk reagoi në kohën e duhur dhe në mënyrë efikase.

Ngjarja e dhunshme kundër deputetëve shqiptare dhe atyre të LSDM erdhi pas zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit, Talat Xhaferit.

Pas më shumë së 6 orësh përleshjes, policia speciale ka arritur të kthejë situatën në gjendje qetësie, por kriza politike e përshkallëzuar nuk premton shumë, sidomos pas deklaratës së Ministrit të Brendshëm, Agim Nuhiu se do të kërkojë dorëheqjen.

109 persona mbetën të lënduar nga përplasjet e një dite me parë. Gjithashtu, disa arrestime janë kryer mes protestuesve dhunues. Ngjarjet e dhunshme janë dënuar nga shumica e liderëve europiane.

Tv Klan