Mëngjesin e së shtunës janë ndërprerë reshjet e dëborës, por dhjetra akse rurale mbeten të bllokuara. Situata më e vështirë parqitet në qarqet Kukes, Dibër dhe Shkodër.

Në rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli. Akset rurale Kukës-Shishtavec, Kukës-Shën Mëri dhe Surroj-Arrën, vijojnë të jenë të bllokuara. Edhe njësia administrative Gjinaj në Has mbetet e bllokuar ndërsa mungon edhe energjia elektrike.

Në Dibër mbetet e bllokuar rruga Peshkopi – Lurë dhe Peshkopi – Selishtë.

Në Shkodër, aksi rrugor Pogë – Qafë Thore – Theth është i bllokuar dhe nuk ka borëpastruese nga firmat kontraktore. Në malin e Shoshit ka mbi 1 metër dëborë dhe po punohet për zhbllokimin e këtij aksi.

Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult nuk ka energji elektrike.

Edhe aksi Fushë Arrëz – Iballë dhe Pukë – Qelëz janë të pa kalueshëm dhe po punohet për hapjen e rrugës me 2 borëpastruese.

Edhe akset rrugore Fushë Arrëz-Iballë, Qafë Mali-Fierzë dhe Qafë Shllak – Kukës janë të bllokuara pasi trashësia e dëborës arrin në 1 metër. Me energji elektrike furnizohet vetëm qyteti i Fushë Arrësit.

Në qarkun e Elbasanit aksi rrugor Librazhd – Stëblevë vazhdon të jetë i bllokuar, megjithëse po punohet për hapjen e tij.

Problematike janë edhe disa akse në qarkun e Korçës dhe të Vlorës, ku qarkullimi bëhet me zinxhirë, për shkak të akullit në rrugë. Vështirësitë i kanë shtuar edhe temperaturat e ulëta që kanë arritur gjatë natës minus 16 gradë në Pukë, apo minus 13 gradë në Korçë.

Tv Klan