Prej disa javësh reperi i mirënjohur Noizy ka njoftuar për një koncert i cili do të bëjë bashkë fansat e tij të rinj, por edhe ata të vjetër që janë rritur me këngët e tij, si një shpërblim për të gjitha emocionet që ai ka marrë në 16 vite karrierë. Në emisionin Opinion, në Tv Klan, ai na ka zbuluar detajet më të rëndësishme të këtij koncerti, duke filluar që nga artistët më të njohur shqiptarë që do të jenë pjesëmarrës, por edhe ata siç ai i quajti, më të mëdhenjt e Europës. Ndër të tjera Noizy ka theksuar se ky është një koncert i cili do të bëhet ‘si një në jetë’, ndaj dhe ai fton të gjithë fansat të jenë prezentë.

Elena Lika: Noizy je duke punuar aktualisht për një koncert shumë të madh që do të mbahet pas pak javësh pikërisht këtu në sheshin “Nënë Tereza” apo jo?

Noizy: Po, koncerti do të mbahet pikërisht këtu, mund të jetë koncerti më i madh që është bërë në këtë lloj rryme, hip-hop, rap dhe jam shumë i emocionuar.

Elena Lika: Në çfarë date do të mbahet koncerti?

Noizy: Me datë 14 gusht.

Elena Lika: Në 16 vite karrierë që ke si artist, nuk është mbajtur ndonjëherë një koncert me përmasa shumë të mëdha, pse po e bën pikërisht tani?

Noizy: Ndoshta nuk kam pasur një skuadër profesionale, siç ekziston tashmë, si nga ana e skenografisë, audios, por që ëndërr e kam pasur përherë dhe ndoshta pas një viti pasi e kam nis karrierën, por që nuk më është dhënë mundësia dhe mendova që fansat e mi pas gjithë kësaj kohe e meritojnë ta kenë një koncert të tillë. Kur them fansa, nuk po flas vetëm për këto që kam bërë tani kohëve të fundit, por po flas edhe për ato kur e kam nis në 2005, 2006, 2007, ndoshta ata sot janë me fëmijë, ndoshta janë më të mëdhenj se unë, ose pak më të rinj se unë, rëndësi ka që ne në ato kohë, nese do i kujtojmë dhe këngët pak si “Kosovë-Shqipëri”,”Veç për ty” “OTR me zemër”, “Ne jena Mbretër”, të gjithë e kemi një kujtim, ose vitet e maturës i kemi kënduar ato këngë ose nëpër plazh, disko.

Elena Lika: A do ti performosh të gjitha këto këngë?

Noizy: Do i performojë të gjitha këto këngë, edhe do jetë me band live dhe do të jetë një eksperiencë shumë e veçantë, prandaj do ju bëj thirrje të gjitha atyre fansave, nëse kanë mundësi të vijnë në Shqipëri, nuk duhet ta humbin këtë koncert.

Elena Lika: Do jetë një koncert ku do të performosh vetëm ti, apo do kesh edhe të ftuar?

Noizy: Jo do kem të ftuar, do jenë padyshim ajka e estradës tonë, gjith RnB ose njerëzit që bëjnë Hip-Hop ose Pop janë të gjithë të ftuar, sidomos njerëzit që unë kam bashkëpunime me ta.

Elena Lika: Cilat janë disa nga emrat?

Noizy: Po shqiptarë: Dhurata Dora, Ylli Limani, Elgit Doda, Kida, Ledri, Xhensila.

Elena Lika: Do ketë dhe të ftuar nga jashtë?

Noizy: Kam të ftuar nga jashtë, më të mirët e Europës, këtë të keni të sigurt, është Ghali, Sferra Basta, Gué Pequeno, Raf Camora.

Elena Lika: Këta janë një pjesë e mirë e artistëve më të mirë të trevave shqipfolës po edhe të Europës, si arrite t’i mbledhësh të gjithë në një koncert të vetëm?

Noizy: Siç e thashë unë kam 16 vite që këndoj, dhe shumica e këtyre artistëve që i përmenda, të paktën këto të Europës të cilët jetojnë në Itali, Gjermani dhe Angli edhe nëse do e llogarisim në 2008 kur nxorra albumi tim, shumica e këtyre nuk kanë pasur kënduar ose kanë pasur shokë shqiptarë dhe kam histori me shumicën prej tyre. Çuditërisht të gjithë më kanë thënë gati të njëjtën gjë, që ne kemi shokë shqiptar dhe kur ke dalë atëherë me albumin e parë në fillim i kemi dëgjuar të gjithë këngët e tua. Falë bashkëpunimeve mbajmë kontakt dhe ja ku jemi sot të gjithë artistët, repistat më të mirë të Europës do i kemi midis Tiranës, më 14 gusht.

Elena Lika: Do ndërtohet një skenë shumë e veçantë atë ditë këtu apo jo?

Noizy: Skena më e madhë që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, kur them më e madhja jo vetëm e koncerteve, por edhe e politikanëve, do jetë 450 metra katrorë, që i bie gati gjithë pjesa e sheshit.

Elena Lika: Kur mund t’i blejnë njerëzit biletat?

Noizy: Biletat do jenë shumë të lehta të gjenden, do jenë online dhe vazhdimisht do e promovojmë linkun ku do të gjenden dhe disa lokacione fizike ku njerëzit mund të shkojnë të blejnë. Në Kosovë do të jenë në një nga dyqanet e mia. Në Shqipëri, fizikisht ato që nuk kanë mundësi t’i blejnë online do të jetë tek stadiumi Air Albania, prap tek dyqani im. Do të kemi dhe disa vende të tjera po që do të bëhen publike. Gjithashtu në çdo vend ku kam dyqanet e mia, në Vlorë, Tetovë, Maqedoni, Prishtinë, Tiranë, Durrës.

Elena Lika: Sa veta mendon se mund të vijnë?

Noizy: Ne jemi të përgatitur për 30 mijë veta dhe sipër.

Elena Lika: Ke zbuluar deri tani datën e koncertit dhe vendin ku do të mbahen, po një emër a do të ketë?

Noizy: Kam dashur ta mbaj sekret, por po e them, emri i koncertit do të quhet Alpha, faktikisht dhe një album i imi i ri që po del tani para, quhet Alpha, që do të thotë, një ‘boss’, ‘alpha mashkull’, dikush që shkon e merr, nuk e pret, dikush që mbase dhe merr, por nuk ha për vete, por e ndan dhe me tufën. Dikush që çan vetë dhe i thotë të tjerëve mund të vini, sepse gjithçka është mirë.

Elena Lika: A është ky një koncert që ti do ta realizosh edhe në vazhdimësi, apo është një në jetë?

Noizy: Ideja është që ky do të bëhet sikur është një në jetë, ka aq përkushtim, investim, si nga koha, por edhe nga gjëra të tjera që do e realizojnë si të tillë. Pastaj nëse gjithçka shkon ashtu siç ne mendojmë që do shkojnë, edhe nëse Zoti na jep jetë, nuk do e lë të fundit. Por që ky koncert i parë do bëhet sikur do realizohet vetëm një herë në jetë, për shkak se dhe këta artistë nuk është e lehtë të mblidhen.

Elena Lika: Si do të jetë programi për atë ditë, në çfarë ore fillon koncerti?

Noizy: Për shkak të turmës së madhe, ne do detyrohemi ta nisim koncertin në orën 18:00, ose pak para orës 18:00. Do të ketë një masë sigurie shumë të lartë, do zgjasë diku rreth 3 orë hyrja e njerëzve. Koncerti me muzikë do të nisë rreth orës 20:00 dhe do të zgjasë deri në orën 01:00. Fansave u bëj thirrje, ju dua të gjithëve këtu, t’ia jap gjithë atë ndjesinë që më keni dhënë mua ndër vite, t’ua shpërblej duke performuar bashkë me grupin dhe me gjithë të ftuarit tanë./tvklan.al