Greqia ka lëshuar një sërë paralajmërimesh të pazakonta ndaj Turqisë, duke kërcënuar se do t’i shtypë trupat e saj nëse guxojnë të zbarkojnë në ndonjë prej ishujve të diskutuar në detin Egje. Megjithatë, edhe Turqia nuk ngelet prapa me tonet e ashpra.

Duke reaguar për fluturimin në hapësirën ajrore greke të dy avionëve turq, Ministri i Mbrojtjes, Panos Kamennos paralajmëroi se Ankaraja do të paguante një çmim.

“Nëse bëjnë qoftë lëvizjen më të vogël, do t’i shtypim”,

kërcënoi Kammenos, ndërsa shtoi:

“Greqia do paqe dhe harmoni, por nuk do të lëshojë asnjë centimetër të tokës së saj”.

Ministri grek e bëri deklaratën gjatë një vizite që zhvilloi në një bazë ushtarake në ishullin e vogël të Egjeut, Leros. Retorika e Kammenos u mbështet edhe nga Admirali Evangelos Apostolakis, kreu i Shtabit të Përgjithshëm.

“Nëse turqit zbarkojnë në një ishull të vogël guri, ne do ta shuajmë nga faqja e dheut. Ajo është vija e kuqe, e mbështetur nga qeveria”,

deklaroi Apostolakis

.

Në fjalimin e tij ai la të kutohej se një përballje ushtarake me Turqinë ishte e mundshme, por theksoi se

“sëbashku me SHBA dhe Bashkimin Europian duam që të sigurohemi që turqit të mos arrijnë deri në atë pikë”.

Deklaratat vijnë pasi ushtria greke tha se dy avionë luftarakë turq F-16s fluturuan mbi ishullin e Kastelorizo, në lindje të Egjeut gjatë ditës së enjte, disa minuta pasi helikopteri i Ministrit të Mbrojtjes grek, udhëtoi në këtë zonë nga Athina.

Megjithatë edhe pala turke pati një kundërpërgjigje po aq të ashpër. Gjenerali Hulusi Akar tha se nuk ka asnjë shans që Turqia të tërhiqet

“nga të drejtat e shtetit tonë dhe njerëzve tanë”.

Pavarësisht se formalisht janë anëtare të NATO-s, Greqia dhe Turqia ndajnë një histori të trazuar. Republika turke e ditëve të sotme u themelua pas luftës së përgjakshme me Greqinë dhe fuqitë perëndimore në 1923-n.

Hasmëria mes Athinës dhe Ankarasë vijoi për dekada me radhë, duke arritur kulmin gjatë krizës së Qipros, që për pak përfundoi në luftë të mirëfilltë, pasi trupat turq pushtuan veriun e ishullit, në vitin 1974.

Aktualisht Greqia dhe Turqia kanë mjaft përplasje mbi Egjeun. Kjo hapësirë detare është e mbushur ishujsh të vegjël, duke e bërë përcaktimin e kufirit detar një sfidë të vërtetë.

Përgjatë viteve të fundit ka pasur një sërë përplasjesh mes luftë anijeve të të dyja vendeve, ashtu sikurse edhe përplasje mes xheteve në ajër. Disa herë, të dyja shtetet janë përpjekur që të arrijnë një marrëveshje mbi këtë çështje, por deri më tani kanë dështuar.

//tvklan.al