Ambasada e SHBA ka mirëpritur largimin e ish-deputetit Armando Prenga. Në një deklaratë për mediat ambasada amerikane thekson se personat me dosje penale s’kanë vend në Kuvend, gjykata e qeveri. 

SHBA: “Ambasada e SHBA mirëpret largimin e ish-deputetit Armando Prenga nga parlamenti. Personat me dosje penale nuk kanë vend në parlamentin, gjykatat, qeverinë, apo bashkitë e një vendi anëtar të NATO-s i cili gjithashtu synon t’i bashkohet BE-së. Inkurajojmë qytetarët shqiptarë dhe institucionet shqiptare të jenë vigjilentë për parandalimin e kriminelëve nga kandidimi në zgjedhjet e 18 qershorit. Shqiptarët meritojnë të kenë një sistem politik dhe gjyqësor të pastër, pa ndikimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

Të hënën deputeti i Lezhës, Armando Penga dorëzoi në Kuvend dorëheqjen. Në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, firmosur në 25 shkurt, Prenga kërkonte që të njoftohej KQZ për krijimin e vakancës.

Vendimin për të hequr dorë nga mandati, ai thotë se ka marrë për të siguruar qetësinë personale dhe të familjes edhe pse, sipas tij, ligji i dekriminalizimit nuk parashikon ndërprerjen e mandatit për një dënim me gjobë, siç rezulton me vendim të formës se prerë të Gjykatës së Kurbinit.

Armando Prenga është zgjedhur dy herë si deputet në qarkun e Lezhës. Ai është deputeti i dytë i këtij qarku që dorëzon mandatin. I pari që hoqi dorë ishte Arben Ndoka. Mandati i Prengës mund t’i kalojë LSI –së, pasi edhe kandidati i fundit për deputet në listën e Partisë Socialiste, Kastriot Pirolit rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë për korrupsion./tvklan.al