Dosja “Xibraka” është sjellë në vëmendjen e opinionit publik ditët e fundit. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha në një konferencë për shtyp e po ashtu edhe në emisionin “Opinion” në TV Klan se vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama, sipas tij ishte pjesë e grupit të trafikut të drogës që kishte ngritur laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë, në vitin 2014.

Por, për të njëjtat akuza që bëri Bardhi kundrejt Olsi Ramës, gjykata kishte dënuar për shpifje Lulzim Bashën. Pikërisht në lidhje me këtë vendim të gjykatës, Basha është pyetur ditën e sotme nga gazetarët në lidhje me këtë çështje, për të cilën ka thënë se drejtësia duhet ta zbardhë plotësisht.

Pyetje: Ditët e fundit, Gazment Bardhi, si kreu i grupit parlamentar i PD-së ka publikuar disa prova dhe fakte që implikojnë Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit në aferën e Xibrakës, laboratorin e kokainës, për cilën ju keni folur në vitin 2018 në “Opinion” duke u shprehur se ka prova TIMS-i që e provojnë një lidhje të tillë. Ju, a i keni disponuar këto prova dhe pse nuk i keni publikuar asnjëherë për publikun duke qenë se atëherë keni qenë kryetar i PD-së së bashkuar dhe diçka e tillë mund të ju jepte bonuese politike mjaft të mëdha në raport me publikun?

Lulzim Basha: Denoncimi im publik dhe si i tillë ka pasur një thirrje për hetim të plotë dhe zbardhje nga drejtësia, pastaj se çfarë të dhënash ka kryetari i PD-së, cilat janë burimet e këtyre të dhënave, cilat prej këtyre burimeve janë të hapura, cilat prej këtyre burimeve duhet të mbrohen, në një vend që ka një pistë të plotë hetimi në një vend anëtar të NATO-s dhe të BE-së, janë çështje më të thella se përpjekjet për kredi personale. Unë kam marrë përgjegjësinë personale në një vendim në gjykimin tim dhe të avokatëve të mi, jam goditur për këtë qëndrim, por nuk kam ndërmed as të kërkoj kredi personale dhe as ta përdor çdo aspekt të qëndrimeve të mia për protagonizëm të sëmurë. Thirrja ime mbetet e njëjtë si në 2018, drejtësia duhet ta zbardhë plotësisht këtë ngjarje./tvklan.al