Gazment Bardhi i ballafaqoi akuzat ndaj Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit Edi Rama, mbrëmë në emisionin “Opinion” të gazetarit Bledi Fevziu në Tv Klan, përballë një paneli gazetarësh e analistësh.

Ashtu si në konferencën për shtyp të mbajtur në selinë e Partisë Demokratike, ai tha se Olsi Rama ishte pjesë e grupit të trafikut të drogës që kishte ngritur laboratorin e përpunimit të kokainës në Xibrakë, në vitin 2014.

Gazment Bardhi: Faktet dhe provat tregojnë të kundërtën që ka qenë i përfshirë apo ka të dhëna që ka qenë i përfshirë në laboratorin e Xibrakës.

Por, për të njëjtat akuza, kryetarit të grupit parlamentar demokrat iu soll në vëmendje fakti se gjykata kishte dënuar për shpifje ish-shefin e tij në Partinë Demokratike, Lulzim Bashën.

Blendi Fevziu: Këtu kam 56 faqe të një vendimi gjyqësor në datën 24 Shkurt të vitit 2020, ku paditës është kryeministri Edi Rama dhe i paditur është kryetari i partisë tuaj, Lulzim Basha, dhe ju keni qenë pjesëtar i këtij partie.

Gazment Bardhi: Mos e vazhdo, e ka akuzuar për shpifje.

Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, të datës 24 Shkurt 2020, gjyqtarja Fatime Deçolli e ka shpallur fajtor Lulzim Bashën për të njëjtën akuzë publike që kishte lëshuar ndaj Olsi Ramës.

Akuza, siç rezulton në vendimin e gjykatës, është kjo fjali e thënë prej tij në emisionin “Opinon” në Tv Klan, më 18 Tetor të vitit 2018.

Lulzim Basha: Olsi Rama, vëllai i Edi Ramës, ka qenë një ndër personat kyç të fabrikës së kokainës në Xibrakë.

Bazuar në këtë deklaratë, Lulzim Basha, kryetar i opozitës në atë kohë, u padit nga kryeministri Edi Rama. Dhe gjykata vendosi që thëniet e Bashës ishin të pabaza, që ai duhet të paguante 100 mijë Lekë dhe që të publikonte një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kishin publikuar deklaratën apo lajmin mbi të.

“Rezulton se pala e paditur, ka vepruar me faj, në formën e dashjes, për shkak se ai ndonëse duhet të kishte marrë të gjitha masat, për mospërdorimin e shprehjeve të pabaza, në drejtim të paditësit, i padituri, megjithëse kishte detyrimin ligjor që të parashikonte se thëniet e tij ishin të pabaza siç rezultoi edhe nga provat e paraqitura në proces gjyqësor nga paditësi, si dhe nga mosparaqitja e asnjë prove nga i padituri, gjithsesi mori përsipër rrezikun e shkaktimit të një dëmi jo pasuror ndaj paditësit.”

Olsi Rama reagoi gjatë emisionit Opinion, duke i quajtur akuzat e Bardhit ripërsëritje të akuzave që atij i bëhen ndër vite nga Partia Demokratike.

“Nuk jam as i shokuar, as hiç i habitur nga kjo rinxjerrje e një akuze të përsëritur vite më parë prej një njeriu që nuk ka lënë pjesë të familjes time pa prekur paburrërisht. Të njohësh njerëz dhe madje edhe të udhëtosh me ta në ndonjë rast apo në shumë raste, nuk është as diçka për të cilën duhet t’i marrësh leje apo t’i japësh llogari kujt, as diçka që të bën fajtor për çfarëdo faji dikush prej tyre mund të kryejë në jetën e tij personale. As nuk e mohoj dhe as kam asnjë arsye ta fsheh që unë kam njohur në distancë një nga personat në fjalë, po aspak atë për të cilin me aq zell e dëshirë më akuzon ky kanakari i atij sharlatanit famëkeq që na ka sulmuar me qindra herë familjen, ndërsa bën tani prokurorin politik për një çështje të hetuar dhe të gjykuar ku unë s’kam kurrfarë lidhje. Ndërsa për sa i takon lidhjeve të mia me drogën, ato janë po aq të vërteta sa lidhja me të vërtetën e këtij të paburrit që më akuzon.”

Tv Klan