Më herët gjykata e pezulloi nga detyra

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka thotë se do t’i kërkojë Asamblesë që mblidhet të mërkurën, që të shtyjë për një datë tjetër zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv. Në deklaratën e tij, Duka thotë se shkak për këtë vendim është bërë ndërlikimi i procesit në gjykatat shqiptare. 

“Duke qenë dëshmitar të një procesi të ndërlikuar me debate e akuza, por edhe disa vendime gjyqësore, përfshirë dhe atë për Shoqatën Rajonale të Futbollit Tiranë që duhet të respektohen detyrimisht, unë do t’i propozoj dhe do t’i kërkoj Asamblesë që pikën e rendit e ditës për zgjedhjet e organeve drejtuese të FSHF për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv, të shqyrtohen në një datë tjetër”.

Duka thotë se në asamblenë e 2 Marsit të miratohet bilanci financiar, buxheti dhe raportet e auditorëve të pavarur.

Më herët Gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë nga detyra disa nga drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duke pranuar kërkesën e Prokurorisë, vendimi u mor edhe për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka.

Prokuroria e Tiranës po e heton atë për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentesh. Gjykata gjithashtu pezulloi edhe Sekretarin e Përgjithshëm Ilir Shulku, si dhe Ardian Haçin, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm i Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë për të njëjtin procedim penal.

Në kallëzimin penal pretendohet se shkeljet nga personat përgjegjës janë bërë me një qëllim të vetëm, ndikimin apo paracaktimin e rezultatit të zgjedhjes së kreut të Shoqatës së Futbollit të Tiranës, sipas interesave klienteliste të kreut aktual të FSHF-së.

Tv Klan