Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, akuzoi mbrëmjen e së premtes Kryeministrin Edi Rama se po përpiqet sistematikisht që pjesëtarët e minoritetit etnik grek t’i shndërrojë në kontingjent të strukturës antiterror të Policisë së Shtetit.

Në një intervistë përballë gazetarit Arian Çani në “Zonë e Lirë”, Dule tha se qëllimi i kësaj është për të krijuar panik dhe frikë në radhët e minoritetit grek dhe që mbi çdo pjesëtar të minoritetit të ketë një pikëpyetje lojaliteti ndaj shtetit.

Arian Çani: A është fati i Minoritetit grek në Duart e Ramës? Me dy fjalë Dule, e kam fjalën politikisht…

Vangjel Dule: Asnjëherë.

Arian Çani: Asnjëherë?

Vangjel Dule: Ajo që më shqetëson është se në ndryshim nga të gjithë kryeministrat, pas viti 1990, përjashto një periudhë 1995-1996 kur ishte zoti Berisha, zoti Rama përpiqet sistematikisht që pjesëtarët e minoritetit etnik grek t’i shndërrojë në kontingjent të strukturës antiterror të Policisë së Shtetit.

Arian Çani: Çdo me thënë kjo?

Vangjel Dule: Po ju them se për çështjen më elementare, përfaqësuesit e minoritetit thërriten në Fier, në zyrat rajonale të antiterrorit dhe në mënyrë antikushtetuese, të paligjshme, në shkelje flagrante të të drejtave të qytetarit jo më të pjesëtarëve të minoriteteve, ata hetohen për çështje të cilat nuk janë objekt i antiterrorit.

Arian Çani: Po pse në Fier?

Vangjel Dule: Pikërisht për të krijuar një situatë dhe kushte paniku. Detyrohet qytetari nga Dropulli, nga Himara që të shkojë në Fier dhe të hetohet aty.

Arian Çani: Po ka raste të tilla?

Vangjel Dule: Të shumta.

Arian Çani: Si ka mundësi që ka mbetur jashtë vëmendjes mediatike kjo gjë?

Vangjel Dule: I kemi denoncuar herë pas here.

Arian Çani: Ata vetë s’i ka mundësi që nuk kanë dalë në media?

Vangjel Dule: Nuk kanë dalë në media sepse të gjitha këto bëhen natën dhe në mjegull.

Arian Curi: Po pse nuk e ka Gjirokastra në kompetencë Dropullin?

Vangjel Dule: Thërriten në Fier zoti Curi. Është jashtë juridiksionit…

Vangjel Dule: Po prandaj them

Arian Curi: Po të mos shkojnë mo.

Vangjel Dule: Është jashtë juridiksionit, ka nga ata që nuk shkojnë, po ka edhe nga ata që nuk kanë njohuritë e duhura juridike.

Arian Curi: Të thërrasin avokat dhe të mos shkojnë.

Arian Çani: Pse nuk e ndërkombëtarizoni këtë çështje?

Vangjel Dule: E kemi nisur procesin e ndërkombëtarizimit

Arian Çani: Sepse kjo është e tmerrshme nëse është e vërtetë, është skandal.

Vangjel Dule: Po e them dhe e denoncoj: qytetarët shqiptarë, pjesëtarë të minoritetit etnik grekë, po bëhen gjithmonë edhe më tepër në numra të konsiderueshëm objekt i antiterrorit, ndërkohë që janë pjesëtarë të një komuniteti historikisht dhe tradicionalisht me kriminalitet zero.

Arian Curi: Mos e kanë për këto Ushtritë e Vorio Epirit, se ç’ishin ca nga këto, por prapë duhej t’i thërriste Gjirokastra, jo Fieri.

Vangjel Dule: Po ju them një shembull, në fshatin Grapsh, para dy javësh, në rrugën dytësore u gjendën disa parulla të shkruara natën (greqisht) dhe u thërritën të gjithë burrat e fshatit në Fier nga sektori antiterror i policisë. Qëllimi është për të krijuar panik dhe frikë në radhët e minoritetit grek që mbi çdo pjesëtar të minoritetit të ketë një pikëpyetje lojaliteti ndaj shtetit. Këto janë metoda të papranueshme. /tvklan.al