Mes shumë dëshirave që njerëzit kanë, njëra prej tyre është vlerësimi i të shkuarës përmes objekteve të kohës. Një shembull i tillë është Ermal Sela. Ai nuk është thjesht një instrumentist.

Prej kohësh ai udhëton nga krahina në krahinë për të grumbulluar këto objekte shekullore. Deri më sot ka mundur të studiojë, nga prodhuesi deri te përdoruesi, 170 vegla muzikore me goditje, hark, tela dhe frymë përgjatë shekujve XIX dhe XX.

Muzikanti Ermal Sela:

“Disa janë blerë, disa janë falur. Në momentin që krijohet ideja që këto instrumente nuk do keqpërdoren, shiten apo nuk do të tjetërsohen, dhe dhurimi është më i thjeshtë”.

Gjurmimi e çoi te disa ekzemplarë. Kjo zumare e punuar në malësitë e Pukës është njëra prej tyre.

Ermal Sela:

“Është një instrument frymor që është e bërë nga këmbët e shqiponjës, pra është me origjinë shtazore. Është 1 shekullore, metodë e humbur në Shqipëri”.

Gjen edhe vegla paramuzikore. Lugët e bilbilit shfrytëzoheshin nga barinjtë edhe si objekte sinjalizuese.

Ermal Sela:

“Ka akoma disa artizanë për fat të mirë, por numri i tyre është vërtetë shumë i vogël dhe kjo është një alarm për ta trashëguar këtë profesion kaq të brishtë”.

Vitet apo përdorimi nuk i kanë nxjerrë jashtë funksionit. Është teknologjia që i bën ato të pashfrytëzueshme por që i jep statusin e një koleksioni të çmuar, i prezantuar në Muzeun Historik Kombëtar.

Tv Klan