Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”

Rasti I

Kjo është Jonida, një vajzë nga Elbasani, e cila sot ka ardhur në “Ka një mesazh për ty” në e “Diela Shqiptare” për t’i përcjellë një mesazh babait të saj.

“Kam ardhur për t’i thënë babai që të mos jetë më i trishtuar për mua, për atë që më ka ndodhur. “

Prej një viti Jonida është ndarë nga bashkëshorti, një martesë me mblesëri e stisur nga halla e saj.

“Pas një muaji që e shikova dhe dolëm disa herë bëmë fejesën… dolëm disa herë, por jo shumë. Fatkeqësisht nuk ishte kohë e mjaftueshme. Por i besova më shumë nga halla ime.”

“U fejova. Dy vjet ndenjëm të fejuar dhe vendosëm datën e martesës. Isha shtatzënë kur vendosëm datën e martesës. Pas martese, ai qëndroi vetëm 3 ditë në shtëpi dhe iku në Greqi, sepse kishte një punë të tillë që nuk e linte greku”.

Jonida tregon se fillimisht, ndonëse vetëm me njerëzit e burrit të saj, kaloi mirë. Por gjërat nisën të shkonin keq kur lindi djalin.

“Gjithçka ndryshoi. Ata gjendje ekonomike nuk kishin. Djali donte të tijat. Unë i thosha dua këtë, ata më ktheheshin, nuk kemi, bej ç’të duash. Gjithçka ma ka dhënë familja ime. Gjithçka kërkoja ishte për fëmijën, asgjë për veten time. Fëmija ishte një muajsh dhe ata më thoshin mbaje me qese, me rroba (në vend të pelenave)…”

Ajo shpjegon më tej se e merrte bashkëshortin në telefon dhe e pyeste se çfarë do të bëhej, pasi kur kishte ikur i kishte premtuar se prindërit e tij do të kujdeseshin për çdo gjë.

“Më solli nga Greqia 100 euro, 50 do t’ia japësh njerëzve të mi, 50 do t’i mbash ti, më tha. I mora i theva dhe ia dhashë. I thashë që 50 ua ka sjellë juve, 50 mua. Por vjehrra m’u vërsul dhe më tha ‘që ti nuk ke të drejtë t’i kërkosh djalit lekë’.”

Jonida nuk punonte dhe mbahej vetëm me paratë që i sillte bashkëshorti.

E reja tregon se që prej asaj kohe, vjehrrit i qëndronin indiferentë. Ajo rrëfen se ata kishin dashur një tjetër vajzë për djalin e tyre dhe e fajësonin Jonidën që ai nuk ishte me tjetrën.

Pas 6 muajsh, bashkëshorti kthehet nga Greqia dhe sëbashku vendosin që Jonida të jetonte tek prindërit e saj. Dy ditë më pas, vjehrra e merr në telefon.

“Më tha, përse ia mbushe mendjen djalit që të ikje nga shtëpia.”

Jonida thotë se nuk u tregonte prindërve për problemet që kishte, derisa ajo tentoi të vetëvritej.

“Babai e mori vesh në një moment kur unë kam tentuar të bëj një gjë shumë të keqe për veten time. Kam tentuar që të vras veten vetëm nga e keqja që kisha. Sepse vjehrra më thoshte se në shtëpinë tonë nuk do të kthehesh më. Po të kthehesh këtu duhet të jesh brenda një arkivoli, më thoshte. Burrin e kishin bërë që, kur më merrte në telefon, nuk më pyeste si ishte djali apo unë, por më fajësonte si shkaktare të ndarjes nga familja e tij.”

Nga ana tjetër, rrëfen Jonida, prindërit e saj përpiqeshin që të zbusnin situatën, duke e këshilluar që të mos e prishte familjen.

“I thashë mamit, një gjë do më premtosh: Djalin do ma mbash mirë nëse unë nuk do jem më… Ajo mendoi se do të shkoja diku. Unë shkova në dhomën time dhe piva disa kokrra. Aty jam ndjerë shumë keq, nuk doja më as jetën time…”

Por çfarë ndodhi më pas?

“Vjen mami dhe më thërret e më thotë që po qan djali. Më thërret disa herë, i thërriti babait. Atë sapo e kishte zënë gjumi. Vjen duke qarë, duke u dridhur dhe më çon në spital. Më qetësuan me ilaçe. Edhe 5 minuta po të kisha ndenjur do të kisha vdekur. Kur kam parë babin që më qëndronte mbi kokë dhe qante e më thoshte: Si ia bërë ti këtë vetes tënde, si do e lesh ti babin tënd, që unë për ty kam bërë gjërat më… aty thashë çfarë kam bërë. Nga njëra anë mendoja si ia bëra këtë djalit, si ia bëra prindërve të mi këtë.”

Kjo ndodhi para një viti i gjysmë. Por Jonida shpjegon se nuk u nda në këtë kohë nga bashkëshorti.

“Me bashkëshortin isha mirë në ato kohë sado që familja e tij nuk më donte. Kur im vëlla u fejua, i kisha blerë disa rroba dhe i thashë të vishej. Aty ai u acarua dhe madje edhe më ka qëlluar në shtëpi të prindërve të mi. ‘Nuk ke të drejtë ti të më blesh gjëra mua’, më tha dhe aty më goditi në sy të prindërve të mi. Babi u acarua në ato momente. Ndërhyra dhe qetësova gjendjen pasi kishim gëzim në shtëpi”.

Por kur u shtrua bufeja në shtëpi, Jonida tregon se bashkëshorti piu alkool dhe nisi të fliste më shumë se duhej.

“E mora jashtë dhe i kërkova që të qetësohej. Jo më tha, unë me ty nuk rri më. Prindërit e mi, më tha, nga ty janë ndarë dhe po rrinë vetëm. Jo, i thashë, ti e vendose vetë këtë gjë, sepse ty të thanë që do të hyja me arkivol në shtëpinë e tyre. Jo më tha, unë me ty nuk kam të ardhur, do ndajmë çdo gjë, ti do rrish me fëmijën, unë vetëm. Si të duash, i thashë.”

Pas kësaj Jonida vendosi që t’i thoshte vetë babait të saj.

“Unë tek ajo shtëpi nuk shkel më, i thashë. Vjehrra me vjehrrin nuk më duan fare, sa kohë më përmendin arkivolin… bashkëshorti nuk më do më… Mirë, më tha babi, sepse deri në atë moment më jepte kurajë dhe më thoshte mos prish familjen. Ai më tha që ti e di, vendos vetë për jetën tënde. Më vjen keq, më tha, sepse unë ta shkaktova këtë”.

Jonida thotë se babai ndihet në faj që e dërgoi ai atje tek ajo familje, që të martohej me atë person. Që nga ai moment ai filloi të mos mendonte më për veten e tij, por të pinte alkool.

“Sot kam ardhur t’i them që, pavarësisht se jam e ndarë unë jam shumë më e lumtur. Tani mendoj për një të ardhme, jam e buzëqeshur.”

Babi i saj shqetësohet për të ardhmen e Jonidës dhe djalit të saj tashmë 4 – vjeç, por edhe për mentalitetin e fshatit.

Stafi i “Ka një mesazh për ty” e takoi babain e Jonidës, Elmas Elezi, i cili e pranoi ftesën për të qenë në studio. 

“Kam ardhur sot këtu për të të thënë që nuk dua të të shoh më të vuash për mua. Jam e lumtur për djalin tim, për juve, sepse e di që çdo të mirë unë e kam pasur nga ju dhe unë dua që të shoh lumturi në sytë tuaj tani. Unë dua që të mos pish më, sepse i bën keq trupin tënd. Unë jam e lumtur, nuk dua të qash më për mua dhe fëmijën tim”,

ishin këto fjalët me të cilat iu drejtua Jonida babait të saj.

“Unë prekem ndaj fëmijëve në përgjithësi dhe ndaj vajzës në veçanti…”,

rrëfeu zoti Elezi.

Por Jonida insistoi që babai i saj të mos pijë më alkool dhe këtë premtim ta bënte live në studion e “Ka një mesazh për ty”.

“Nuk ia jap dot fjalën, por një pakicë do ta pi”,

tha ai.

Rasti II

E mbushur me emocione dhe e përlotur, Ardita nga Korça kishte ardhur sot në “Ka një mesazh për ty”, në “E Diela Shqiptare” për t’i kërkuar falje famijes së saj.

Ajo rrëfen se para 7 vitesh kishte njohur një djalë nga Laçi në Facebook. 

Ardita tregon se ata takoheshin shumë shpesh përpara se të vendosnin që të jetonin bashkë.

“Takoheshim muaj për muaj. Ishte shumë tip i ëmbël, i merrte gjërat me sportivitet, historitë tona ishin të njëjta.”

“Sot, nuk jemi më bashkë, por për lidhjen time me të nuk jam penduar sepse ndihesha shumë mirë. Sepse nëse shumë vajza që ëndërronin jetën që unë kisha, unë e kisha. Si nga ai dhe nga familja e tij, që më trajtonin si vajzën tyre, jam ndjerë shumë mirë.”

Pas 4 vitesh lidhje Ardita shkoi në Vlorë për të bashkëjetuar me partnerin e saj, Taulantin. Prindërit nuk ishin shumë dakord, megjithatë respektuan vendimin e saj. Por 3 vite më pas lidhja e tyre nisi të kishte probleme.

“Taulanti vazhdonte shkollën paradite dhe punonte pasdite. Ishim shumë mirë, deri para një viti. Unë punoja vetëm paradite. Për t’u marrë me diçka pasdite vendos të punoj edhe pasdite. Aty filloi dhe ftohja mes lidhjes tonë, duke mos pasur më komunikim me njëri-tjetrin, nga diçka që as vetë nuk e kuptoj që lidhja jonë të përfundonte aty.”

Taulanti insistonte që Ardita ta linte punën, por ajo nuk pranonte.

Ajo u kthye në Korçë për të marrë pak kohë larg njëri – tjetrit, por rrëfen se pikërisht në këtë moment lidhja mori fund.

“Në Shtator vendos të shkoj prap për ta takuar, e ti them që e kam të pamundur që të largohem nga ai, t’ia shprehja përsëri atë dashurinë që prej kohësh nuk ia shprehja. Aty kishte marrë fund gjithçka. Takohen familjet e tona për të vendosur. Pasi dëgjova që ata folën nuk thashë asnjë fjalë dhe u largova nga shtëpia. Vendos të shkoj tek Kisha e Laçit, duke menduar se ishte e enjte, duke menduar se nuk kishte njerëz…”

A ishte kjo zgjidhja?

“Në ato momente po, tani jo. Është gabimi më i madh që unë kam bërë. Pasi pres damarin marr shtëpinë në telefon, për t’u treguar vendin ku isha. Që ta dinin ku mund të më gjenin pas asaj që do bëja. Më gjetën kalimtarët, shkova edhe në spital edhe në polici. Një ditë më pas shkova edhe tek familja ime, por nuk kemi biseduar asnjëherë për këtë.”

“Sot e kam thërritur këtu mamin për t’i kërkuar falje dhe për t’i thënë që unë po eci përpara dhe që të mos jenë të frikësuar që unë do bëj diçka”,

rrëfeu e reja.

“Unë vazhdoja ta përsërisja se do të prisja damarët, ia thoja edhe Taulantit. Nuk ishte kërcënim, por doja që ai të kuptonte se e doja aq shumë sa isha gati të jepja dhe jetën për të. Edhe vërtetë e dua shumë, edhe pse ka kaluar kaq kohë, unë edhe sot nuk e pranoj këtë gjë. Nuk e di, nuk mundem edhe pse përpiqem të jem e fortë. Nuk e pranoj dot faktin që nuk jam dot me të”,

tha ajo më tej, ndërsa shtoi:

“Pasi preva damarët ai ishte me mua në spital. Pse e bërë më tha… Sepse nuk mund të jetoj pa ty, i thashë. Më tha: Mundohu të ecësh para, mundohu të jesh e fortë…”

Ardita nuk i ka kërkuar kurrë familjes së saj.

“Kam ardhur t’i kërkoj falje që ata të jenë të qetë dhe që unë nuk e bëj më.”

Me Taulantin ajo e ka pranuar që nuk do të kthehet më, pasi siç shprehet në studio, gjërat nuk bëhen me zor.

Edhe pas ndarjes, Ardita vijon të jetojë në Vlorë dhe që prej kohës kur tentoi të vetëvritej rrëfen se ka folur vetëm një herë me nënën e saj.

Nëna e Arditës, zonja Marjeta e pranoi ftesën për të qenë në studio.

“Të kam sjellë këtu për të kërkuar falje, jo vetëm ty, babait, motrave, vëllait për atë çfarë unë kam bërë. Erdha këtu të të kërkoja falje sepse nuk mund t’ju vija në shtëpi dhe t’ju shihja dhe t’ju kërkoja falje. Erdha këtu që t’ju kërkoja falje publikisht, t’ju them që vërtetë ju dua shumë, që jam penduar për atë çfarë kam bërë edhe të vazhdoj jetën. Dua t’ju kërkoj falje jo vetëm ju, por edhe Taulantit dhe familjes së tij. Ai kapitull u mbyll, jeta vazhdoan dhe dua që gjërat mes nesh të rregullohen dhe të mos jenë ashtu si kanë qenë”,

i tha Ardita nënës së saj në studion e “Ka një mesazh për ty”.

Por zonja Marjeta kishte një kërkesë për të bijën.

“Kjo bëhej edhe të ishim të gjithë bashkë në shtëpi, në Korçë, diku, megjithatë e zgjodhi vetë… 

Unë do t’i kërkoj që të kthehet në Tiranë, nuk dua që të rrijë në Vlorë. Këtu kemi njerëz, ka të motrën, është me njerëzit e saj.”

“Nuk ka gjëra të pamundura, ka vetëm të vështira. përderisa unë u ktheva në Vlorë do të thotë që kam vendosur ta vazhdoj jetën atje. Megjithatë nuk e di, do ta mendoj. Nuk e di, asgjë nuk është e pamundur”,

u përgjigj e reja.

Nëna e Arditës insistoi që ajo të kthehet në Tiranë.

Bëji një sfidë jetës tënde, i tha Gjebrea, për sa kohë i ke kushtet për të qenë në Tiranë.

“Se di, do e mendoj… do vij”

, tha në fund Ardita.

“GJYSHJA NGA…”

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Pronat kanë sjellë këtë të diel në “Shihemi në gjyq”, dy kunetërit nga Bilishti Adriana dhe Olsi.

Adriana është e martuar me vëllain e Olsit, Albanin. Vetë Olsi jeton në Greqi, por sot ka ardhur në studio për të përfaqësuar babain e tij.

Familja e Nexhat Lushit (babai i vëllezërve Olsi dhe Albani, si dhe dy fëmijëve të tjerë Shpresa dhe Diana) në vitin 1991 përfitoi prona bujqësore. Por në vitin 2006, babai i shiti një pjesë të pronave njërës prej vajzave, Dianës, një veprim që siç rezulton gjatë emisionit, fëmijët e tjerë nuk janë në dijeni.

Sot Diana kërkon nga vëllai i saj Albani dhe familja e tij që të lirojnë shtëpinë. Për këtë, në studio ka ardhur bashkëshortja e Albanit, Adriana, e cila e revoltuar thotë se po e nxjerrin në mes të rrugës. Ajo tregon se prej 17 vjetësh endet gjykatave pa gjetur një zgjidhje.

“Jemi në gjyq, unë atë shtëpi nuk e liroj gjallë, sepse unë nuk dal nga ajo shtëpi”.

Ndërkohë, Eni Çobani shpjegon se në total, familja me 7 anëtarë ka përfituar mbi 51 mijë metra katrorë tokë. Ajo e pyet Olsin, nëse është në dijeni për shitjen e një pjesë të pronave tek motra.

“Janë mbi 51 mijë e 193 metra katrorë. 4 mijë e 300 metër katrorë, i janë dhënë Dianës. Janë edhe 3 fëmijë të tjerë, të cilët nuk janë pjesë. Olsi ku je në këtë kontratë shit-blerje?

“Ne jemi e gjithë familja aty…”

Ndonëse i gjendur përballë fakteve, Olsi insiston se pronat janë të të gjithëve. Ai tregon se prej vitesh ka sjellë para në Shqipëri për ndërtimin e shtëpive. Megjithatë, këto shtëpi sot nuk janë në emër të tij, por të së motrës, një fakt të cilin siç rezulton, Olsi nuk e di.

“I kemi bërë të gjitha bashkërisht, i kemi bërë të gjitha bashkërisht të treja shtëpitë”.

Në këtë pikë ndërhyn Gjebrea, i cili e pyet Olsin:

Ku jetoni ju?

Në Greqi, Selanik.

Keni shkuar ndonjëherë në shtëpi?

Po.

Më fal, me ç’po kuptoj unë, ju nuk keni më shtëpi. Ruaj fort shtëpinë në Selanik, se këtu nuk ke më shtëpi, me ç’po kuptoj.

Olsi:

Ndërtesat i kemi bërë pas 91-t, kemi bërë 3 banesa.

Çobani:

“Olsi, ju sapo thatë që keni bërë 3 ndërtesa, por ne këtu kemi dy ndërtesa, atë ku banon babai juaj dhe ndërtesën ku banon Albani dhe bashkëshortja me dy fëmijët. Këto dy ndërtesa, ju e dini që u janë shitur motrës tuaj Diana?”

Olsi:

Unë nuk i kam ditur këto, tani po i dëgjoj.

Çobani:

“Me forcë, me argument dhe me të vërtetën brenda, je pa pronë. Nuk ke asnjë pjesë në këto prona, sepse Diana Lushi me këtë dokument që ka marrë, përpara noterit (Jorgo Gjamos) me dëshirë dhe vullnet të Nexhat, Harife dhe Etem Lushit, duke ju përjashtuar ju të treve, ia kanë shitur zonjës Diana Lushi. E me çfarë çmimi do thoni ju? Për 1 milion lekë, dy pasuri në Bilisht”.

Tani, je dakord me këtë çmim?

“Jo nuk jam”.

Sa ke dërguar ti nga Greqia?

“Unë këto nuk i kam ditur, tani po i dëgjoj nga ju…”

Në fund të seancës, Çobani sqaron se 7 anëtarë të familjes Lushi kanë fituar pronën bujqësore. Deri në vitin 2006, të gjithë anëtarët kanë kontribuuar për të ndërtuar shtëpitë. Gjithçka është bërë pa dokumente, siç fatkeqësisht ndodh në Shqipëri, që gjërat bëhen pa letra.  

“Punoni me letra. Mos vini asnjë gozhdë pa fatura…”

ishte këshilla e Çobanit për këtë rast.

Çobani sqaroi se sa kohë bëhet fjalë për pronë bujqësore, pjesë e saj janë të gjithë anëtarët e familjes dhe kjo pronë ndahet në mënyrë përpjestimore, përfundim ky në të cilën ka dalë edhe një gjykatëse në vitin 2005.

Në fund Adriana kërkon që të bëhet pjesëtimi sipas ligjit, të njëjtën gjë që pasi u njoh me faktet, kërkoi edhe Olsi, ndaj Çobani u kërkoi që të bëhen bashkë dhe t’i drejtohen organeve përkatëse për të ndarë pronat në mënyrë të drejtë e të barabartë.

“KËNGA MAGJIKE”