#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave”- PLANET vs ALAN

#planet #alan #udhaeshkronjave

“Kujdes shëndetin”- Ndërhyrja për paralizën cerebrale tek fëmijët, Liv Hospital

Ka një mesazh për ty – Prindërit adoptivë i gjejnë nënën biologjike djalit

“Isha me faj që nuk linda një fëmijë”, Selvia: I thashë burrit shiko jetën tënde, ai…

Selvia dhe Ziniu janë dy prindër që kanë ardhur të rrëfejnë historinë e tyre në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Në këtë pjesë të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan ata tregojnë si ka nisur jeta e tyre, një martesë e ardhur nga dashuria, e cila po shkonte mirë deri në 4 vitet e para. Por diçka nisi t’i mundonte, fakti që shtëpia e tyre nuk po bekohej dot nga zëri i një fëmije. Ndaj, nisin vizitat mjekësore, Tirana nisi të kthehej në itinerarin e tyre të rregullt, me shpresën për të marrë lajmin e shumëpritur.

Selvi: Erdhi puna na thanë pas 11 vjetëve, deri  në ‘90, mua ma hodhën fajin, unë isha fajtorja, sa herë vinim në Tiranë thoshim “hë se do marrim ndonjë lajm të mirë”, nuk e morëm kurrë.

Ardit Gjebrea: Po nuk është faj, ky koncepti “unë isha fajtorja” nuk shkon.

Selvi: Ta kuptojë edhe publiku, unë isha me faj që nuk linda një fëmijë. I them bashkëshortit, erdhëm në shtëpi, qetë ia thashë, s’ka problem, ti shiko jetën tënde, unë do shikoj jetën time. “Jo”, thotë, “nuk e bëj këtë gjë, do vazhdojmë jetën. Ti mos e ki problem”. Biseduam në shtëpi që ne do birësojmë një fëmijë. Po, dakord. Vajtëm në shtëpi dhe neve na thanë prindërit që “ne do të të lëmë një amanet”, tha nëna. Po, thashë. “Nuk është puna që ne s’e duam vëllain, Zininë ose ty e motrat. Fëmijë nuk do marrësh as te njerëzit e burrit, as te njerëzit e tu. Do shkosh ta marrësh në jetimore”, tha, “do birësosh një fëmijë, ta rritësh” tha, “dhe sevap të keqen nëna, do bëhet fëmijë kaluar yti”. Dhe shkuam.

Ardit Gjebrea: Ku shkuat?

Selvi: Në jetimoren e Vlorës.

Ardit Gjebrea: E kishit përcaktuar nëse do ishte një djalë ose një vajzë?

Selvi: Jo, jo, absolutisht. As djalë, të jetë risku jonë, çfarë të jetë.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi atje?

Selvi: Atje, sa u futëm në oborr, të gjithë fëmijët i kishin lënë se ishte një orar që të gjithë fëmijët kishin dalë në oborr. Ne u japim karamele, çokollata, na u afruan, madje u ulëm në një shesh atje poshtë, i puthëm të gjithë fëmijët, por unë për momentin thashë që s’mundem te këta fëmijë se janë të rritur, dhe unë desha një fëmijë që ta rris vetë, të jetë i vogël, ta ndiejë edhe ai dashurinë e respektin tonë.

“I numëroheshin damarët, ishte borë i bardhë”, nëna kujton adoptimin: Ishte në një krevat të vetmuar

Pamundësia për të lindur një fëmijë i drejtoi Selvinë dhe Ziniun, të cilët hapin këtë pjesë të parë të rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” në “E diela shqiptare” në Tv Klan, drejt jetimores së Vlorës. Atje, u takuan me shumë fëmijë, por të gjithë të rritur, teksa kërkonin një që të mund ta rrisnin vetë.

Për t’iu plotësuar kërkesën, drejtoresha e institucionit nisi t’i drejtonte në dhomat e tij në kërkim të një djali apo një vajze. Selvia e kujton fare mirë momentin kur u njohën me një foshnje 7-muajshe.

Selvi: Na futi në një dhomë, ky djali që morëm ne e quanin Sokol, Berat domethënë që ishte djali. Ishte në një krevat të vetmuar, se kishin dalë, kishte edhe krevatë të tjerë, por si duket kishin dalë jashtë fëmijët e tjerë. Ky ishte shtrirë, djali…dhe nuk lëvizte as duar, as këmbë dhe kokën, ishte shtrirë kështu dhe kur vajtëm ne te krevati, e çoi kokën kështu, na shikoi dhe qeshi.

Ardit Gjebrea: Sa i vogël ishte?

Selvi: Ai, në bazë të që e morëm ne, ishte 7-muajsh, por në fakt ishte tamam si 40-ditësh, kaq fëmijë, as 2 kile jo. I thashë çoje nga krevati, edhe sikur mos të rrojë, unë do përpiqem me gjithë shpirt, me gjithë mundin tim, ishalla e sjell në jetë se i numëroheshin damarët e kokës, të krahëve, të trupit se edhe kokën e mbante kështu, nuk e ngrinte dot, s’kishte mundësi, ishte borë i bardhë në fytyrë. I thashë ky do të jetë fëmija jonë, apo jo, i thashë bashkëshortit. “Po” tha. Ky e merr i pari në krahë, atij sikur i dha Zoti fuqi a nuk e di, që i hapi krahët dhe i çoi mbi supet e bashkëshortit, pastaj e mora unë në krahë. Ma mori djalin ajo atje, e lidhi djalin, më dha çarçafë në atë kopanecin e bukur që kisha përgatitur unë, kot e bëra.

“Gjej nënën tënde”, prindërit bekojnë djalin e adoptuar: Për ty do rrojmë e jetojmë

Një moment i vështirë ka ardhur në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan në rubrikën plot emocione të “Ka Një Mesazh Për Ty”. Gëzimi, djali i adoptuar i Selvisë dhe Zinit ndodhet në anën tjetër të ekranit, në pritje të mesazhit të prindërve të tij. Deri më tani ata rrëfyen gjithë dhimbjen e vështirësitë, por dhe lumturinë që ka sjellë për ta rritja e një djali si Gëzimi.

E vërteta e ruajtur prej vitesh, iu bë e ditur fillimisht nuses së djalit, teksa ky i fundit e mësoi vetëm një vit më parë, në një bisedë kafeneje. Prej atëherë, brenga e prindërve është rritur çdo ditë derisa mendojnë që ka ardhur çasti t’i japin bekimin e tyre për të gjetur gjakun e tij biologjik.

Selvi: Gëzim, të keqen mami, të kemi thirrur këtu, do na falësh që s’ta kemi thënë deri sot që ti ta gjesh nënën dhe babain tënd, vëlla, ku mund ta kesh. Të jap mami me babin bekimin tonë, kudo që të shkosh ne na ke pranë, me gjithë shpirt të gjesh vëllanë që dhe ti të çlodhesh një çikë. Llafet tona nuk mbarojnë, je pasuria jonë, je mbreti ynë të keqen mami. Të them nga fjalët më të mira, nga më të mirat, që rrjedhin nga zemra jonë, të përkasin vetëm ty.

Zini: Të jesh me neve derisa të jemi ne gjallë.

Selvi: Ne për ty do rrojmë e do jetojmë.

Gëzim: S’kam fjalë.

Zini: Derisa ne jemi të kënaqur me ty dhe vendosëm që ti të gjesh nënën tënde, pak me vonesë të thamë, por Erës ne i kishim thënë qëkur u martua, qëkur vije i lodhur ti mund ta kishe nga lodhja që ia bëje “oho”, por ne thamë me vete doje të gjeje ata që kishe, siç e more vesh që të thanë dhe ne vendosëm që ti ta gjesh nënën.

Nusja e mësoi përpara djalit se ishte i birësuar, nëna: Nuk ma bënte shpirti, është pasuria jonë

Dëshira e madhe e Selvisë dhe Zinit për të plotësuar familjen e tyre me një fëmijë, u bë realitet. Birësimi i Sokolit solli lumturinë e munguar në shtëpinë e tyre, teksa familjarët dhe të afërmit e pritën me një festë të madhe ardhjen e tij, thonë ata në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrikë nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Emri i djalit ndryshoi në Gëzim, ashtu si ndjenja që ai kishte sjellë me vete, ndërsa me përkëdheli i thërrisnin Xhimi.

Rritja e shkollimi i tij ishin primare, Selvia dhe Zini ia përkushtuan jetën vetëm djalit të tyre të adoptuar. Madje, Selvia thotë se nuk e ndiente asnjëherë që ai ishte i tillë dhe nuk donte as ta dëgjonte nga të tjerët.

Selvi: Vuajta që e bëra Xhimin që e rrita. U bë një djalë i mrekullueshëm.

Ardit Gjebrea: Menduat ndonjëherë që t’i thonit?

Selvi: Kurrë në jetë.

Ardit Gjebrea: Nuk e menduat?

Selvi: Nuk e menduam asnjëherë dhe nga shpirti nuk e dëshiroja kurrë. Kush më thoshte që “kam marrë e këtë fëmijë e ke të marrë”, ndoshta është turp ta thuash, isha gati ta mbysja, nuk e paramendoja që unë Gëzimin e kisha të marrë. Nuk doja ta dëgjoja nga asnjë.

Ardit Gjebrea: Ai u bë djali yt.

Selvi: Po.

Ardit Gjebrea: Në çdo kuptim dhe kur shkon fëmija 7-8 vjeç në shkollë fillojnë flasin, kur del në fshat apo në lagje…

Selvi: Gëzimit asnjëri nuk ia tha.

Ardit Gjebrea: Nuk ia tha asnjeri?

Selvi: Asnjeri. Edhe për respekt. Faktike Xhimi tani po bën që e ka marrë vesh.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është Gëzimi?

Selvi: Sot Gëzimi është 31 vjeç.

Ardit Gjebrea: Në çfarë moshe e mori vesh, para sa vitesh?

Selvi: Po bën një vit Gëzimi që e ka marrë vesh. Kur e martova Gëzimin, unë ia thashë nuses se kam një nuse… në fund fare është nuse, por e kam gjithçka. Motër, nënë, shoqe, nuk e llogaris dot se çfarë nuseje kam në shtëpi.

Ardit Gjebrea: Ti i the nuses së Xhimit që “thuaja ti Xhimit që është i birësuar”.

Selvi: Po. Ajo s’ia tha asnjëherë.

Ardit Gjebrea: Domethënë ti më përpara ia the nuses sesa djalit. Si reagoi nusja kur e mori vesh që nuk është djali juaj?

Selvi: Nusja faktike tha që “mami ti po më thua por unë nuk kuptoj asgjë që ky nuk është djali juaj, por unë nuk mund t’i them dot, nuk marr guxim, më duket se e ndaj nga juve, nuk mundem”.

Ardit Gjebrea: Po kush ia tha?

Selvi: Si përfundim Xhimi ishte në një lokal në kafene, ia thotë njëri me spond, se ia thotë, se bisedojnë që nuk është i Ziniut, që e kanë marrë, nuk e di, por aty e merr vesh. Kur vjen në shtëpi pastaj e përjetoi një çikë keq. Nejse, unë i falem Gëzimit për këtë gjë. Jo se nuk na respekton, jo se nuk na do, nuk bëhet fjalë, por që unë i kërkoj një falje shumë të madhe që nuk ia thashë. Nuk ma bënte shpirti, nuk ma bënte zemra, nuk reagoja dot se nuk e ndaja dot. Xhimi u rrit, na ndihmonte, unë s’ia hedh kurrë poshtë punën dhe mundimin. Neve të dy, bashkë me Ziniun, s’di si ta them, s’di si ta shpjegoj, është pasuria jonë deri në vdekje, Ardit.

“Kemi gjetur nënën tënde biologjike”, Gjebrea-Gëzimit: Aromën do donte që të ta merrte

Dy prindërit adoptues i dhanë mesazhin djalit të tyre, Gëzimit për të gjetur familjen e tij biologjike. Ajo çfarë nuk pritej në këtë pjesë të “E diela shqiptare” në Tv Klan, është reagimi i Gëzimit që habiti të gjithë studion e “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ai rrëfeu se ishte në dijeni të së vërtetës se është i adoptuar që prej moshës 18-vjeçare, ndryshe nga ç’mendonin Selvia e Ziniu se e kishte zbuluar vetëm një vit më parë.

Gëzimi nuk është kundër idesë për të takuar nënën e tij biologjike, por për të kjo nuk ndryshon asgjë në raportin me prindërit adoptues. Ngrohtësia e tyre ka qenë arsyeja pse ai ka heshtur për 12 vjet. Për të plotësuar kërkesën e Selvisë dhe Ziniut, programi “E diela shqiptare” ka kërkuar rrënjët e Gëzimit dhe rezultatin e kësaj, e paraqet moderatori Ardit Gjebrea.

Ardit Gjebrea: Ne nuk dimë detaje dhe ti e di që kush troket tek “E diela shqiptare”, nëse ka një kërkesë, i plotësohet. Dhe ne jo kërkesën tënde, por kërkesën e prindërve të tu, i kemi shkuar deri në një farë mënyre afër që do të thotë e kemi gjetur nënën tënde biologjike.

Mirëpo ne jemi shumë të kujdesshëm, që do të thotë, çdo grua, çdo burrë, çdo familje ka historinë e vet dhe ne nuk ndërhyjmë në asnjë moment në momentin që ata nuk dëshirojnë që të bëhet publike asgjë. Dhe historia e nënës tënde, për aq sa unë mund të them, është e tillë që ajo ka krijuar një familje të re dhe as bashkëshorti e as fëmijët nuk e dinë ekzistencën tënde. Ajo nuk e ka treguar asnjëherë.

Sigurisht që janë histori dashurie të cilat nuk përfundojnë mirë dhe kushtet e atëhershme, sepse ti tashmë je 31 vjeç djalë, kështu që llogarit që kanë qenë vite të vështira dhe nuk kemi hyrë në hollësira për të kuptuar çfarë ka ndodhur. Dhe momenti i parë ka qenë shumë tronditës për të, por imagjino në një familje që nuk dinë asgjë. E kanë ditur vetëm prindërit e saj të cilët nuk jetojnë më dhe askush nuk e di këtë histori.

Megjithatë, ajo jeton diku në Shqipëri dhe sigurisht që ka dëshirë edhe të të takojë. Ne do krijojmë mundësinë që ju të takoheni, por lejo që të diktojë ajo se çfarë do ndodhë, si do ndodhë për të rregulluar edhe atë marrëdhënie që ka. Por, sidoqoftë aromën do donte që të ta merrte. Çfarë ndien?

Gëzim: Jam pa fjalë.

Ardit Gjebrea: Nuk dimë asgjë për babain tënd, thjesht dimë që nëna jote biologjike ka një familje, është e martuar, ti ke vëlla, motër, tashmë, por është një vendim i juaji se si do donit të shkonte përpara kjo histori. Do donit ta mbanit vetëm ju të dy për veten tuaj, do donte që një ditë të prezantonte me gjakun tënd, do të kishte kurajë për bashkëshortin që t’i tregonte, këtë nuk e di.

Nuk dua që të jap asnjë të dhënë, as qytetin ku jeton, është në veri, është në jug a është në Shqipërinë e Mesme, asgjë sepse respektojmë edhe njëherë dëshirën dhe vendimin e saj, por, të paktën, ti do takohesh me të.

Ka një mesazh për ty – Preku fundin, por u ringrit. Surpriza për bashkëshorten

Bashkëshortes i dhanë 10 vjet jetë, Besnik: Çdo gjë po më ikte poshtë këmbëve, u ndodha në udhëkryq

Besniku, është nga Vlora, por prej vitesh ka ndërtuar jetën e tij në Greqi, së bashku me familjen. Sot, në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty” të “E diela shqiptare” në Tv Klan ai rrëfen se dikur pati gjithçka, ndodhej mirë ekonomikisht deri në momentin që jeta vendosi ta testonte në një furtunë të fuqishme.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që jeta juaj u përmbys papritur?

Besnik: Në 2009, duke parë disa probleme të nuses, jo lodhej shumë, por nuk i vinim veshin dhe… siç është emigranti i hedhur në atë të përditshmen, punë shtëpi.

Ardit Gjebrea: Qartë, qartë, është puna, është lodhja, është normale.

Besnik: Arriti momenti, një ditë prej ditësh, në orën 3 të natës, ta them më qartë, ngrihemi dhe papritur u gjend në spital. Nusja kishte problem me veshkën dhe direkt as gjysmë ore, kaloi në dializë. Doktori tha “djalë i mbarë kjo është një sëmundje e tillë që duhet luftuar, por brenda 10 vjetësh trupi degradohet, prandaj… “

Ardit Gjebrea: Prandaj ka 10 vjet kohë.

Besnik: Po. Hymë në një listë që pret.

Ardit Gjebrea: Lista e pritjes për çfarë?

Besnik: Lista e pritjes për veshkë, bëhet transplanti i veshkës.

Ardit Gjebrea: E kuptova.

Besnik: Kaluan 7 vite e gjysmë.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta gjatë këtyre 7 viteve?

Besnik: Aty ishte gjithë ai… jeta gjatë këtyre viteve, duke pasur një ekonomi, një biznes, një jetë të mirë, shumë të mirë, papritur u ndodha në një udhëkryq. Çdo gjë shikoja që po më ikte poshtë këmbëve. Shikoja fëmijët, se kisha 3 fëmijë, shikoja që fëmijët ishin nëpër kurse anglishteje, gjermanishteje, shikoja që fëmijët  filluan po trembeshin. Nuk po e kuptoja se çfarë po më ndodhte.

Ardit Gjebrea: Kishte shpenzime?

Besnik: Shpenzime të jashtëzakonshme. Përveç çfarë kisha, ekonomia që kisha, shkatërrova edhe komplet biznesin që kisha për të mbështetur bashkëshorten time se mbi të gjitha ajo ishte, bashkë i ndërtuam e bashkë mund t’i ndërtonim siç i ndërtuam.

Nga ana tjetër, Besniku ndihej se nuk po mund të ishte i pranishëm për fëmijët e tij. Ai ndiente frikën e tyre, pasigurinë për të ardhmen, ngurrimin që kishin për të kërkuar diçka e që shpesh nuk e bënin. Babai dhe bashkëshorti, i cili ndihej i fortë, kujton momentin kur u ndodh në një udhëkryq.

Besnik: Isha i fortë se anën ekonomike e kisha, por ana ekonomike, për dy vjet, u shkatërrua, mbaroi çdo gjë dhe unë dola në udhëkryq sa arrita në momente, se unë pi edhe duhanin, merrja një paketë cigaresh dhe për dy orë e kisha mbaruar buzë detit, rrija e mendohesha, si të veproja, si të gjeja zgjidhje.

Nuk i ka dhuruar kurrë gruas lule, vlonjati vjen me buqetë: Sot do ia jap të gjitha bashkë

Tronditja që mori jeta e Besnikut dhe e familjes së tij për shkak të sëmundjes së bashkëshortes, kaploi çdo pjesë të tyre. Bizneset që kishin ndërtuar, ana psikologjike ishin shkatërruar, rrëfeu Besniku në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Nga ana tjetër, ishte Luljeta ajo që nisi të kthehej në forcën e tij. Ajo nisi të merrte kurajë, t’i thoshte se teksa ajo bënte dializën, do të pinin kafe bashkë, mjekët e këshillonin të miqësohej me sëmundjen dhe të punonte me aq sa mundej. Të gjitha këto, nisën të rindërtonin jetën e tyre derisa një ditë, Luljeta mundi të kryente transplantin e nevojshëm të veshkës e gjithçka të merrte rrjedhën e duhur.

Sot, teksa ndodhet në studion e programit duke rrëfyer të gjitha këto, Besniku shpjegon çfarë e solli në këtë moment.

Besnik: Mora vendimin t’i bëj këtë mesazh Luljetës sepse në jetën e përditshme, zoti Ardit nuk e shprehim atë kënaqësinë, atë “faleminderit”. Por në një moment kaq publik dhe kaq të hapur, sikur ka një vlerë, një diçka tjetër dhe prandaj e solla këtu, t’ia shpreh këtu.

Ardit Gjebrea: Është e vërtetë.

Besnik: Nga kjo, jam shumë i bindur, mesazhi që do i përcjell unë bashkëshortes sime, fëmijëve të mi, fëmijëve të saj, do mësojnë edhe ata si të sillen me bashkëshortet e tyre. Ky është mendimi im.

Habia më e madhe e Ardit Gjebreas kur Besniku hyri në studion e programit, ishte buqeta e luleve në duart e tij. Besniku nis të tregojë historinë se çfarë e bëri atë, një bashkëshort vlonjat, të bënte këtë surprizë për Luljetën.

Besnik: Historia e luleve, sa herë që kishte festa, unë nuk jam shumë i luleve e më thoshte “ore burrë, nuk më solle një lule”. Moj grua, e kemi treguar unë s’të dua me lule, unë të dua me zemër, të respektoj ndryshe.

Ardit Gjebrea: Por prapë i donte lulet.

Besnik: Por prapë i donte lulet. Jo se kisha harruar, ndoshta erdhi momenti që më mirë që nuk u harrua e nuk ia çova kurrë se erdhi momenti që do ia jap të gjitha bashkë.

Ardit Gjebrea: Hera e parë në jetë që ti do t’i japësh Luljetës një tufë me lule.

Besnik: I kam bërë dhurata, surpriza të tjera, por lule jo.

Fitoi betejën me jetën, gruaja i shpreh mirënjohjen me lot në sy burrit, ai e surprizon me lule

Luljeta, bashkëshortja e Besnikut, i cili e ka sjellë në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nuk është aspak në dijeni se pak ekranit në “E diela shqiptare” në Tv Klan, ndodhet ai. Deri më tani, ajo ka përmendur të gjitha alternativat e mundshme, por nuk beson në asnjë moment se mund të jetë bashkëshorti i saj. Aq më tepër që të ndodhet pas tij me një tufë me lule sepse nuk i ka dhuruar kurrë në jetë ndonjë të tillë.

Ndaj, habia kur sheh Besnikun është e papërshkruar. E kapur në befasi, Luljeta nis të lotojë dhe të flasë e para duke i shprehur mirënjohje shokut të saj të jetës.

Luljeta: Jam shumë mirënjohëse se pësova diçka, një problem me shëndetin tim dhe më ka ndenjur pranë. Pata një sëmundje me veshkat dhe bëra 6 vjet dializë. Pastaj veshka u gjet dhe shyqyr kam 7 vjet, bëra transplant veshkash dhe i jam shumë mirënjohëse Zotit dhe burrit tim që më ndenji pranë dhe ata 3 fëmijë që i kam si yje.

Luljetës vijon t’i duket e pabesueshme situata, por është radha e Besnikut t’i përçojë mesazhin e tij.

Besnik: Siç më falënderove ti që të kam ndenjur pranë, të falënderoj edhe unë sepse ajo që të kam sjellë këtu është se të dy jemi ndodhur afër njëri-tjetrit. Nuk u ndodha vetëm unë pranë teje, por u ndodhe edhe ti pranë meje. Të dy e kaluam atë vështirësi, edhe me fëmijët, edhe me sëmundjen, edhe me jetën e përditshme. Edhe sot, se jeta nuk është mjaltë, edhe sot ka vështirësi, prapë bashkë i kalojmë.

Sado që ke kaluar, prapë punon, prapë mbështet ekonominë e familjes dhe nuk kisha mundësi ndoshta në jetën e përditshme të thosha, më thoshe “burrë faleminderit se më ke ndihmuar” dhe unë të thosha hë moj grua se edhe ti më ke ndihmuar dhe e kalonim si të përditshme. Por desha të të sillja këtu në emisionin e zoti Ardit, sa herë e shikonim thoshe “kur do vijë ajo ditë që neve do na bëjë njeri ndonjë mesazh?”

Luljeta: Po, po.

Besnik: S’ka nevojë të na e bëjë njeri, ia bëjmë njëri-tjetrit ne.

Luljeta: Bravo, bravo.

Besnik: Për çështjen e luleve, sa herë ishte festë, kishe ditëlindjen, më thoshe “hë more burrë nuk më solle ndonjë lule?” Unë si të thosha, grua unë s’jam i luleve. I shkruajta edhe ato që më thoshe, i mblodha të gjitha e t’i solla këtu. Të gjitha ato lule që nuk t’i kam dhënë atëherë..

Luljeta: Po mi sjell tani.

Besnik: T’i bëra të gjitha bashkë këtu e t’i kam dhënë sot, do t’i jap sot e nga këtej e tutje do t’i jap një nga një.

Shihemi në gjyq – Humbi 4 fëmijë, nuk pranon t’ia japë shtëpinë djalit të vetëm

Më në fund u bë me shtëpi, Syrja falenderon pas dy vitesh zonjën Eni Çobani

Rubrika “Shihemi në gjyq”,  në  “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, nisi ndryshe këtë të diel. Një seancë ndërmjetësimi e ndodhur më 27 shtator 2020 erdhi sërish në vëmendjen e emisionit. Bëhet fjalë për rastin e zotit Syrja Saliaj.

Bëhet fjalë për një seancë ku morën pjesë dy kushërinj për të zgjidhur problemin e pronësisë së një shtëpie që është blerë në vitin 1999. Syrja, i cili jeton në Amerikë, i kishte bërë një nder Artanit duke i dhënë 15 milionë lekë për të blerë shtëpinë dhomë e kuzhinë që të mos ngelte në mes të katër rrugëve. Pas 21 vitesh Artani nuk i kishte paguar asnjë lekë Syrjasë dhe për këtë arsye ai kërkon pronësinë e shtëpisë ose t’i kthehen lekët. Në 2018, Syrja paguan edhe 5 milionë e 200 mijë të tjera për ta privatizuar shtëpinë, dhe i kërkonte firmën e Artanit që t’ia jepte atë shtëpi.

“Po ju them përpara gjithë shqiptarëve Adrianës së dashur, Artanit gjithashtu, ju zotëri të ktheheni në  Amerikë, të keni jetë të gjatë dhe shumë shpejt do e themi publikisht, ose prona do kalojë në emër të Syrja Saliaj, ose shuma e përllogaritur nga një ekspert kontabël, duke filluar nga shuma e vitit ’99 e sot do kalojë në emër dhe për llogari të Syrja Saliaj”, ky ka qenë premtimi i zonjës Eni Çobani për këtë çështje.

Premtim ky që ajo e ka mbajtur. Tashmë zoti Syrja Saliaj ka arritur ta marrë banesën e tij. Ai ishte në një lidhje direkte për të falenderuar publikisht zonjën Eni Çobani, pasi sipas tij vetëm ajo mund ta zgjidhte këtë çështje.

Ardit Gjebrea: Përshëndetje! Ja ku është zoti Syrja.

Eni Çobani: Syrja i dashur përshëndetje! Nuk kemi pasur mundësi të flasim kështu, por unë jam shumë e emocionuar që po të shikoj. Nuk jemi parë që në  2020 së bashku.

Ardit Gjebrea: Urime për shtëpinë zoti Syrja!

Syrja Saliaj: Ajo që thotë zonja Eni është më se e vërtet e po të ketë një avokate si ajo, nuk ke nevojë, se  unë nuk kam qenë në  asnjë  seancë gjyqi. Vetëm Eni Çobani e ka bërë këtë punë, prandaj e falënderoj!

Eni Çobani: Në fakt nuk ka pasur mundësi zoti Syrja të jetë në asnjë seancë gjyqësore, por unë e kam vënë në dijeni pas çdo seance se çfarë ka ndodhur. Syrja edhe një herë shumë faleminderit. Jam shumë e lumtur! Kur të vish në Fier e pastaj në Tiranë, do e festojmë së bashku!

Syrja Saliaj: As mos e diskuto këtë punë!

I kanë vdekur 4 fëmijë, nëna: Nusja më hodhi nga shkallët, djali më thotë dil nga shtëpia

Eliverta, një nënë nga Pogradeci ka kërkuar ndihmë në “Shihemi në Gjyq”. Siç paralajmëron Eni Çobani, rasti është mjaft i vështirë, por më shumë zbulohet në insertin e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Berolda: Ju jeni një nënë e vuajtur.

Eliverta: Po moj bijë, e vuajtur jam se kam hapur 4 varre, kam varrosur 4 fëmijë dhe Zoti më ka lënë vetëm një.

Berolda: Me këtë djalë jeton?

Eliverta: Po, me këtë djalë jetoj por më ka hipur një sherr shumë, shumë i madh. Nusja më ka hedhur prej shkallëve, djali më thotë dil prej shtëpisë, e nusja më thotë dil prej shtëpisë.

Berolda: Nusen keni sjellë sot?

Eliverta: Jo, nuk kam sjellë nusen. S’kam punë me të bijën e botës unë. Unë kam sjellë djalin.

Nëna i tregon bërrylin djalit: Sa të më regëtijë një damar, këtë të jap!

Eliverta ka thirrur djalin e saj, Erorin në “Shihemi në Gjyq”, rubrika e ndërmjetësimit nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Shkak është bërë shtëpia, për të cilën Erori kërkon pronësinë ose zgjidhjen e problemit për një hapësirë ku ata kalojnë. Eliverta është e para që nis të rrëfejë situatën.

Eliverta: Më ka hipur një sherr në familje dhe kam sherr edhe me djalin, edhe me nusen, edhe nipi ma bën “nëna”, edhe mbesa “do na vrasësh babin, është babi rrugëve” më thonë nipi dhe mbesa. Po jo more bir i nënës se nuk e lë babin rrugëve ta vras por do ta zgjidh unë këtë problem se një djalë ka nëna, 4 i kam të varrosur. “Nëna ti do na lësh rrugëve”, thonë fëmijët.

Erori nis të ndërhyjë duke thënë se kjo situatë po e shtyn të largohet nga shtëpia dhe nis të shtrojë kërkesën e tij ndaj nënës.

Eror: Dua shtëpinë dhe rrugën.

Eliverta: Tët atë e ke shtrirë, ku do ta lësh atë, kush do ta varrosë atë?

Eror: Çfarë thua? Në vend të varroset ai, varrosem unë atje me ata.

Eliverta: Do ta zgjidhim.

Eror: Kur vete në Greqi, nuk e di ti e le ta dinë të tërë. Gjumin copë-copë e bëj unë. Pse? Se mendoj çdo gjë.

Eliverta: Po do ta zgjidhim mo problemin, nuk do ta lëmë.

Eror: Zgjidhe! Kur do ta zgjidhësh?

Eliverta: Po duruam, duruam deri tani, tani do ta zgjidhim problemin. Kemi vajtur vend më vend, çfarë të bëj unë e zeza?

Eror: 2022-shi moj! Ke 20 vjet!

Eliverta: Nuk të jap asgjë unë ore! Sa të më regëtijë një damar unë nuk të jap, këtë të jap!

Eror: Sa të kem krahët, nuk dua t’ia di fare për shtëpinë unë moj!

Eliverta: Kur të vdes unë, merre se nuk kam njeri tjetër, vetëm ty të kam, e merri pastaj të tëra. Mblidh mendjen!

U hodh nga varka që të shpëtonte vëllain, por u përball me akuza: Mos e mbyte për njëmijë lekë?

Eliverta është një nënë e vuajtur, e cila ka humbur 4 fëmijë. Ajo ka një djalë të vetëm, Erorin me të cilin sot përballet në “Shihemi në Gjyq”, nga “E diela shqiptare” në Tv Klan. Mes gjithë problematikës së tyre, Erori kujton momentin e dhimbshëm të humbjes së njërit prej vëllezërve, në të cilin ai ka qenë i pranishëm. Veç vuajtjes, Erorin e mundojnë edhe fjalët e njerëzve e akuzat se ai ka mbytur vëllanë, të cilin u përpoq ta shpëtonte.

Eror: Kam vajtur në plazh, kam qenë me varkat e këmbës, i di ato varkat e këmbës?

Eni Çobani: Po, që luhen me këmbë.

Eror: Hipa në një me djemtë e xhaxhait dhe me vëllain tim. Më porositi djali i xhaxhait “mos e merr se do të hidhet”. Jo, unë. Kur më shikonte kështu më erdhi keq, hajde thashë, e mora unë. Shkuam sa më mbulonte mua, e ndjeva se do hidhej. Kur u hodh në ujë, u hodha unë…

Eliverta: Kur më lajmëruan mua, e kishte nxjerrë televizori që filan kështu. Kur vajta unë, unë vajta kështu siç isha, më thanë hajde se ta kanë marrë Erorin në burg. Obobo thashë unë dhe ika, gjeta një furgon dhe shkova në Pogradec.

Eror: Donin ta çanin… vetëm një kushëri s’e la. “Po e çatë atë të morgut, do hyni në burg” tha.

Eni Çobani: Ju keni qenë aty kur u mbyt vëllai?

Eror: Unë kam qenë me vëllanë.

Eliverta: Ai u hodh të shpëtojë të vëllanë, ai ia kishte kapur këmbën, e tërhiqte poshtë, desh u mbyt edhe ky.

Eror: Më mirë të kisha vajtur me atë se sa të rri kështu, të vritem me tjetrin. E lus Zotin, pse s’më hëngre mua me vëllanë, thashë. Po më mbajnë njerëzit nëpër gojë, llafet.

Eni Çobani: Nuk duhet të flisni kështu se nëna juaj ka kaluar shumë probleme dhe shyqyr që ju ka juve…

Eliverta: E kishin marrë në burg, “mos e mbyte vëllanë për njëmijë lekë?”, e kanë akuzuar në polici, i kishin thënë djalit.

Eror: Më mirë të kisha ikur me atë se sa të rri unë tani…

“Shtëpinë nuk ta jap”, djali: Me mua, bye-bye

Në fund të seancës së ndërmjetësimit të “Shihemi në Gjyq”, Eliverta kërkon që të zgjidhet çështja e shtëpisë së saj. Siç u shpjegua gjatë rubrikës së programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, fqinji ka ngushtuar hapësirën e hyrjes së Elivertës për në shtëpinë e saj në një ngushticë sa mund të kalojë vetëm një person.

Erori, djali i vetëm i Elivertës, i thotë nënës së tij se ajo ka 20 vjet që nuk e zgjidh këtë çështje. Ai i kërkon që ajo të kalojë shtëpinë në emrin e tij në mënyrë që ai të ndjekë procedurat, por banesa ndodhet në emrin e babait. Eliverta nuk e përkrah sepse thotë se ai do t’i nxjerrë nga shtëpia nëse bëhet kjo.

Eni Çobani: Të bëra një pyetje, për djalin çfarë do bësh, do ia lësh shtëpinë djalit?

Eliverta: Djali. Në qoftë se unë i nxjerr problemet e këto gjëra, djali ta ketë këtu që është publiku, unë djalit hëpërhë shtëpitë nuk ia jap.

Eni Çobani: Hëpërhë.

Eliverta: Dëgjo, dëgjo, kanë ngjarë shumë raste që vdes burri, vjehrrën e… kam kushërirën time unë, evlati s’e do, i vdiq i shoqi, iku në Itali, e mori dhëndri. Po unë s’kam as çupë, unë vetëm një djalë kam. Të vijë puna të më thojë mua nusja ik, nuk ia jap unë se kanë ngjarë shumë, nuk pyesin erdhi koha.

Eror: Nëno, po ma zgjidhët këtë problemin dakord, po s’ma zgjidhët, me mua bye-bye.

Eliverta: Nuk ta jap, shtëpinë nuk ta jap, rrugën dua të ma zgjidhësh që mos të më vritet ky djalë.

Eror: Bye.

Eni Çobani: Të zgjidhim sa më shpejt rrugën Ardit…

Ardit Gjebrea: U zgjidh, nuk u zgjidh, asgjë, nuk ia jep shtëpinë.

Eni Çobani: Jo, unë besoj që Eliverta do të bindet më pas.

Ardit Gjebrea: Jo, jo. U zgjidh, nuk u zgjidh Eli këtë thotë, puna e rrugës ta harrojë shtëpinë.

Eliverta: Vetëm mos të më vritet djali, mos të ketë sherr…

Eni Çobani: Se pronën ti nuk ia jep.

 Eliverta: Jo, shtëpinë nuk ia jap.

E Diela Shqiptare – “Kënga Magjike”- (16 tetor 2022)

Kënga Magjike – “Grindu ti e grindu unë…”, Ardit Gjebrea-Klint Çollakut: Na e zbërthe pak tekstin

Klint Çollaku e ka nisur karrierën e tij në muzikë në “Gjeniun e Vogël”, ku rrëmbeu një nga çmimet më të rëndësishme, atë të vendit të tretë. Ai është një nga zërat më të pëlqyer të muzikës shqiptare dhe kjo është hera e tretë që ai merr pjesë në festivalin “Kënga Magjike”.

Dy konkurrimet e tij të para në këtë festival kanë qenë me balada, por këtë herë këngëtari ka zgjedhur të na suprizojë me një këngë ndryshe me titullin “Si t’ja bojm na”. Kjo është një këngë ritmike që sipas tij, edhe i shkon. Ardit Gjebrea duke “e ngacmuar” i lexoi një pjesë të tekstit për ta pyetur nëse kjo i shkonte, po ashtu i kërkoi që ta zbërthente pak tekstin, por Klinti iu përgjigj se këtë po ia linte në dorë publikut.

Ardit Gjebrea: Mesa ke dëgjuar deri tani nga këngët e festivalit, kujt do ia japësh 30-pikëshin?

Klint Çollaku: Kjo mbetet për në fund, nuk mund ta them tani.

Ardit Gjebrea: Bëra një ngacmim thjesht për të kujtuar votimin e artistëve në këtë festival të cilëve do u bashkohet edhe votimi i jurisë edhe i publikut, por këtë vit do kemi një risi se do votohen veç artistët shqiptarë dhe veç  artistët e huaj për faktin se do të kemi një natë ekstra. Do i kthehemi finales tradicionale shqiptare dhe më pas do i kthehemi finales ndërkombëtare në natën e katërt. A je i lumtur për këtë?

Klint Çollaku: Patjetër unë i kam gjithmonë qejf risitë, kështu që  pse jo.

Ardit Gjebrea: Artistët në shumicën e rasteve për të ardhur në festivale zgjedhin balada, siç ke ardhur në duet me Xhesika Polon në festivalin e kaluar, por edhe më parë. Këtë vit ke zgjedhur një këngë ritmike, është çështje strategjie apo frymëzimi?

Klint Çollaku: Unë e quaj për veten time si një rilindje për mua si artist, se gjithmonë kam ardhur me balada dhe kësaj here kam zgjedhur të vij me një këngë komplet ndryshe që edhe më shkon. Besoj! Këtë do e vendosë publiku.

Ardit Gjebrea: Të shkon? Po të them disa nga vargjet e tekstit të shkojnë? “Grindu, ti e grindu unë, ama duhemi dhe më shumë bënim bum, bum bum…”, të shkoka kjo?

Klint Çollaku: Po më shkon.

Ardit Gjebrea: A të shkon?! Po na e zbërthe pak tekstin?

Klint Çollaku: Tekstin ia lë në dorë dëgjuesve që ta zbërthejnë.

“Të çjerrim maskën e Judës”, grupi italian Le Deva vjen me një këngë për tradhtitë

Në kategorinë e  “Big International Artist” për festivalin “Kënga Magjike” u prezantua këtë të diel  grupi italian “Le Deva”.  Ky është i  vetmi kuartet pop italian i përbërë vetëm nga femra. Ato janë të katërta shumë të suksesshme dhe kur këndojnë se bashku duket se janë një trup i vetëm.

Le Deva vjen për të konkurruar në “Kënga Magjike” me këngën “Giura Giuda”, një këngë kjo që sipas tyre, është për maskat që vendos secili si edhe për tradhtitë dhe mesazhi që ato sjellin është se duhet t’i heqim maskëm së keqes.

Ardit Gjebrea: Emri i grupit tuaj Le Deva i referohet shpirtrave të natyrës, pjesë e mitologjisë së popujve të ndryshëm, përkatësisht ju plotësoni katër elementë, uji, toka ajri dhe zjarri. Cila nga ju është cila?

Greta: Unë jam uji.

Laura: Unë jam zjarri.

Verdiana: Unë jam ajri.

Roberta: Ndërsa unë jam toka.

Ardit Gjebrea:  Ju ndoqa edhe në prova dhe duket se ju bëheni një trup i vetëm, si ka ardhur kjo kimi mes jush?

Verdiana: Jemi katër pjesë të një pazëlli që së bashku përbëjnë një portret, një pikturë perfekte. As ne nuk dimë  si ta  shpjegojmë se si na erdhi kjo gjë. Jemi bashkuar katër vite më parë dhe që prej katër vitesh ne jemi si katër motra.

Ardit Gjebrea: Kënga “Giura Giuda” çfarë mesazhi i sjell njerëzimit?

Laura: Është një këngë që flet për maskat, maskat që shpesh herë ne i vendosim dhe i lëmë në komodinat tona para se të flemë dhe flet mbi të gjithë për tradhtinë, që nuk është si tradhtia klasike. Siç është tradhtia në dashuri, por është edhe tradhtia e një miku, apo që ja bëjmë vetes sonë. Është të çjerrim maskën e Judës.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë cila nga ju do të kthehej më me shumë qejf në Shqipëri?

Greta: Pas kësaj mikpritje të jashtëzakonshme duam t’ju bëjmë komplimente sepse jeni të mrekullueshëm dhe mikpritja juaj pas kamerave, në dhoma pas kuintave, nuk e kam parë asnjëherë këtë mikpritje. Një qytet i mrekullueshëm! Ushqimi nuk ka të sharë. Kështu që unë do kthehem. Do kthehemi me shumë kënaqësi të katërta.

“Zonjusha anonime” vjen në “Kënga magjike”, Mishela Rapo: Mesazh për anonimet që ndjekin nga ekrani

Mishela Rapo e ka nisur rrugëtimin e saj në muzikë që në moshën 8-vjeçare duke konkurruar në disa festivale shumë të rëndësishme si “Junior Eurovision 2015”, festival në të cilin u rendit e 5-ta. Kjo është hera e 4-t që këngëtarja merr pjesë në festivalin “Kënga Magjike” duke sjellë edhe këtë herë një këngë shumë të bukur me një mesazh të fortë,  “Zonjusha anonime”.

E pyetur nga Ardit Gjebrea për këngën, Mishela kë treguar se kjo është një këngë me një mesazh për shumë “anonime” që ndjekin nga ekrani.

Ardit Gjebrea: Si je? Nuk po komentoj, je rritur pa fund! Ke marrë përmasat e një artisteje “Big International”.

Mishela Rapo: Faleminderit!

Ardit Gjebrea: Ndoshta kjo vjen se ti vjen nga skena e “Junior Eurovision”, më pas nëpër festivale ndërkombëtare në Turqi, në Australi, këtë vit edhe në Gjermani dhe Danimarkë. Të ardhmen ku e parashikon, brenda apo jashtë Shqipërisë?

Mishela Rapo: Mendoj se brenda Shqipërisë për t’i rritur vlerat Shqipërisë në maksimum. Do mundohem të bëj më të mirën time, duke dhuruar muzikë të bukur, duke krijuar këngë të bukura me mesazhe të cilat do ngelen gjithmonë në atë murin e muzikës shqiptare.

Ardit Gjebrea: Çfarë nuk e krahason këtu me një aktivitet jashtë?

Mishela Rapo: “Kënga Magjike” tashmë është festival me një  standard shumë të lartë dhe për mendimin tim, përderisa unë vij çdo vit në “Kënga Magjike”, mendoj se është njësoj si festivalet ndërkombëtare.

Ardit Gjebrea: Faleminderit! Më thuaj pak për çfarë është mirë të jesh anonime dhe për çfarë është mirë të jesh e konfirmuar, e bëj këtë pyetje i nisur edhe nga titulli i këngës “Zonjusha anonime”.

Mishela Rapo: Kënga “Zonjusha anoniime” flet për një temë tjetër, por për të qenë e konfirmuar mund ta marrë si artiste, si këngëtare, ndërsa anonime, janë shumë anonime të tjera që na dëgjojnë nga ekrani të cilat dua që të marrin mesazhin e këngës.

Ardit Gjebrea: Ti si do doje të ishe?

Mishela Rapo: Unë jam zonjushë Mishela./tvklan.al