#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave – Sara vs Arben

“Kujdes Shendetin” – Fizioterapia – Ilvi Begolli

“Ka nje mesazh për ty” – E rrallë, mbajti në shtëpi 32 kosovarë

32 vetë që largoheshin nga tmerri i luftës në një maune, babë e bijë kujtojnë agimin e paqes

17 shkurti shënon një nga festat më të bukura të shqiptarëve, Pavarësinë e Kosovës. E ndërsa në këtë ditë festojmë, shërben edhe si një formë kujtese për historinë, për vuajtjet e luftës, për dhimbjen por edhe për dorën e zgjatur dhe mikpritjen që Kosova gjeti në Shqipëri.

Kjo është arsyeja që ka sjellë Marigonën dhe babain e saj, Njaziun në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Ata kanë ardhur pas 25 vitesh për të falenderuar për mikpritjen që kanë gjetur në Marikaj. Rrëfimin për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan e nis Njaziu, i cili kujton se në vitin 1999 një kamion me 32 persona brenda tij udhëtoi për një javë.


Më 4 prill ata mbërritën në Kukës dhe të nesërmen vazhduan drejt Tiranës. Gjatë ndalesës në një karburant, Njaziu pyet dikë edhe sa larg ndodhej Tirana sepse 32 njerëz kërkonin strehim. I huaji, i quajur Mahmut Shibe nuk i la të vazhdonin më tej, por u hapi derën e shtëpisë.

Njazi: Së bashku me të na ka dërguar në pallatin ku jetonte, 2 dhoma. Na ka përgatitur ushqimin e vet, ai e di si e ka përgatitur.

Marigona: Pilaf. Ka qenë pilafi më i shijshëm në jetë që kam ngrënë ndonjëherë.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Marigona: S’e harroj kurrë.

Njazi: Edhe çaj e kafe ashtu sipas mundësive. 

Ardit Gjebrea: 32 vetë në 2 dhoma e një kuzhinë?

Njazi: Ashtu si na ka nxënë nuk e di, është tmerrësisht e paparashikueshme.

Ardit Gjebrea: Dhe keni ngrënë të 32 atë natë dhe gatoi zonja e Mahmutit apo jo?

Njazi: Po, zonja e Mahmutit. E falenderoj shumë.

Ardit Gjebrea: Ku fjetët atë natë?

Njazi: Atë natë gjysma kemi fjetur te Mahmut Shibe, në ato 2 dhoma që kishte.

Ardit Gjebrea: Gjysma tjetër?

Njazi: Gjysma tjetër fjetëm në maune, por ne 7 ditë kemi fjetur vetëm në maune.

Dita e nesërme ishte një agim i ri në jetën e 32 personave.

Marigona: Atë desha të shtoj se unë si fëmijë kujtoj këto momentet e bukura se s’i kam pasur brengat e  prindërve, kam qenë fëmijë… Të nesërmen në mëngjes unë kam fjetur në maune, kam qenë ndër ata njerëz por ishte luks të flije në maune, gjysma e njerëzve nuk ishim, kishim mundësi të shtrinim këmbët e duart. Të nesërmen në mëngjes dëgjoheshin zhurmat e njerëzve dhe kishim fikë ta hapnim se nga trauma e luftës nuk e dinim saktë ku ishim. Kur e kemi hapur, ka një lloj dere, shoh njerëzit që ishin mbledhur me rroba, me ushqime, me pije, me ujë, ishin mbledhur rreth e rreth maunes tonë dhe prisnin që ne ta hapnim atë të na ofronin ushqim, rroba, pije. Aty ka qenë sinjali i parë, ajo shenja e parë e paqes dhe e dashurisë për mua si fëmijë.

Ardit Gjebrea: Ti si e mban mend luftën?

Marigona: Luftën e kujtoj blic, sekuenca-sekuenca por asnjëher nuk tentoj ta mbledh atë pazëll, dua ta largoj. Pastaj prej atij momenti në Marikaj e tutje ka qenë një dnër aventurat më të bukura për mua  si fëmijë kjo pjesa e të qëndruarit në Marikaj.

Vajza kishte mbetur pas në Kosovë, babai rrëfen “ditën më të lumtur të jetës” nga lufta

Në vitin 1999, pasi i ishin larguar luftës në Kosovë të hipur në një kamion me 32 persona, Njazi, familja e tij dhe gjithë të tjerët gjetën strehim në Marikaj. Hajdar Kusi ishte një prej personave që hapi shtëpinë dhe zemrën për të ndihmuar me çfarë kishte mundësi.


Njazi, i cili sot ka ardhur me vajzën, Marigonën në “Ka Një Mesazh Për Ty nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, tregon se si bashkë me Hajdarin kishin nisur të kërkonin edhe të tjerë që kishin nevojë për ndihmë. Gjatë kërkimeve, mësonin se kishin humbur shumë të afërm, por për Njaziun brenga më e madhe ishte vajza që kishte lënë në Suharekë.

Ardit Gjebrea: Ju vetë ishit si familje me bashkëshorten?

Njazi: Me bashkëshorten, me fëmijë, me 4 fëmijë, të pestën e kisha në Kosovë.

Ardit Gjebrea: Oh vërtet?

Njazi: Informatat që merrja, në lagjen e tyre janë bërë ato masakrat më të mëdha të Suharekës, më të tmerrshme.

Marigona: Të familjes Berisha.

Njazi: Të familjes Berisha që kanë qenë, 3-4 familje dhe kam bredhur në Durrës, Tiranë, gjithkah ku thonin që ka njerëz me këtë mbiemër. Deri një muaj para se të kthehesha nuk kam pasur informata për gocën e madhe.

Ardit Gjebrea: Dhe çfarë ndodhi?

Njazi: Një ditë, lajmi më i gëzueshëm në jetën time ka qenë kur punonjësja e postës më tha “urime se kemi informata që goca me familjen e vet që ka qenë e martuar në Suharekë, ajo ka shpëtuar, edhe familja, edhe goca”. Për mua zoti Ardit, ajo ka qenë dita më e lumtur e jetës time.

“Merrnim çdo ditë tortë e pije dhe s’paguanim para”, si i priti Marikaj fëmijët e Kosovës

Periudhën e luftës në Kosovë Marigona e mban mend vetëm në segmente të shkurtra pasi pjesën më të madhe të kujtimeve e kanë zënë kujtimet e bukura të tre muajve në Marikaj. Atje ajo, familja e saj dhe të tjera gjetën paqe e strehim, mbështetje, miqësi dhe ngrohtësi. Marigona kthehet pas në kohë dhe kujton në “Ka Një Mesazh Për Ty” disa episode nga jeta në Marikaj.


Ardit Gjebrea: Marigonë, çfaë kujtoni ju, si e kalonit ju kohën?

Marigona: Unë kujtoj veç gjëra të bukura ose vetëm ato kam në Marikaj. Kujtoj një moment, sa është qesharak, është edhe pak trauma e luftës. Ishim të gjithë fëmijët mes një shkëmbi, luanim bashkë. Ne kosovarët ishim diku nja 15 fëmijë edhe këta fëmijë e Marikajt dhe kishim një kohë që luanim të gjithë bashkë. Në Shqipëri kishte qenë shumë e zakonshme të gjuhej me armë në pikë të ditës, pa arsye, pa festë dhe në pikë të ditës fillon një kallashnikov dhe krejt ne fëmijët kosovarë u shtrimë përtokë dhe ata të tjerët filluan të qeshnin me neve. Aty e pamë që lufta ka përfunduar, është trauma, por kur e ngre kokën lart dhe je i lirë, ajo është ndjenja më e bukur.

Fëmijët ishin regjistruar dhe integruar në shkollë ku ishin mirëpritur e përkrahur. Marigona ishte 7 vjeçe kur u vendosën në Marikaj, por kujton fare mirë se si Hajdar Kusi, njeriu që i kishte strehuar, ishte kujdesur edhe për një gjest të vogël mirësie.

Marigona: Kur niseshim prej shtëpisë së xhaxhi Darit për te shkolla ishte goxha, një copë rrugë dhe gjatë rrugës kishte disa markete të vogla. Xhaxhi Dari kishte porositur që nëse marrin fëmijët kosovarë pije dhe ushqim, mos ua merrni paratë dhe çdo ditë e kemi pasur ashtu. Ka qenë njëfarë torte shumë e vogël dhe një pije që e merrnim çdo ditë në market dhe nuk na i merrnin paratë në respektin që ishim fëmijë kosovarë të atij vendi.

Jetuan për 3 muaj me 32 shqiptarë të Kosovës, lamtumira e vështirë: S’na vinte mirë, qamë të gjithë

25 vite më parë, Njazi dhe familja e tij të gjendur mes 32 personave në një kamion u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre në Kosovë për shkak të luftës. Ata u vendosën në Marikaj ku për tre muaj krijuan marrëdhënie që do të zgjasnin përjetë.

Marigona i cilësoi ditët e saj në Marikaj si “më të bukurat e jetës” gjatë rrëfimit në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Këto kujtime u krijuan në shtëpinë mikpritëse të Hajdarit dhe Linditës, të cilët babë e bijë i kanë ftuar sot në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.


Njazi:  Për atë që keni bërë ju për ne  nuk gjej dot fjalë, dot shprehje. Të gjitha janë shumë të vogla por ne ju falenderojmë jashtë mase të gjithë juve, familjen dhe gjithë njerëzit tuaj që keni faleminderit edhe njëherë shumë nga ana juaj.

Lindita: Faleminderit edhe ju.

Marigona: Ndërsa unë, ajo mistrecja e vogël në kohën e luftës jam akoma e njëjta, dua t’ju falenderoj prej zemrës që nga ju, nga Marikaj, nga Shqipëria kam një aventurë tepër të bukur në jetë të cilën kënaqem kur ua tregoj fëmijëve të mi, të cilët i rris me dashurinë për Shqipërinë, për xhaxhi Darin edhe pse fëmijët akoma s’kanë qenë te xhaxhi Dari. Mezi presim të vijmë në Marikaj në pranverë. Faleminderit shumë që jeni pjesë e jetës tonë, jeni shembull shumë i mirë për ne dhe për të tjerët se si duhet të qëndrojmë afër njëri-tjetrit kur kemi nevoja të tilla. Dhashtë Zoti, mos të kemi asnjëherë nevoja të tilla  por pikërisht në këto ditë feste të Pavarësisë së Kosovës deshëm edhe ne të kujtojmë kohën kur ju ishit pranë nesh. Faleminderit shumë!

As për Hajdarin nuk harrohen ata muaj të 25 viteve të shkuara. Të gjithë u lidhën kaq fort me njëri-tjetrin sa përshëndetja ishte shumë e vështirë.

Hajdar: Ato ditë nuk harrohen, as për ata që janë shumë mirënjohës, por edhe ne kemi bërë atë që ka bërë shumica e shqiptarëve. Faktikisht, datën fiks nuk e mbaj mend në fillim të muajit mars kur kanë ardhur, në mëngjes i kam takuar dhe pranuan, thanë “sot mund të rrimë të gjithë që të lahemi?”, se këta kishin ditë rrugës.

Ardit Gjebrea: Ishin 32 vetë.

Hajdar: Ishin rrugës shumë ditë, kuptohet kishin nevojë për pastrim, për…

Ardit Gjebrea: Dëgjo, më fal që të ndërpres, e di nga kuptohet zemra jote e mirë dhe e bardhë? Se po të ishte dikush tjetër nuk do të harronte 32 vetë. Ky është një detaj i vogël, por që tregon shumë për ty.

Hajdar: Dhe më thanë që “a mund të rrimë sot të gjithë, të lahemi, sa të pastrohemi”. Ju po ndenjët në këto kushte, rrini u thashë, unë ju kam hapur derën, rrini kështu siç jeni. Kështu kaluan ditët. Fillimisht edhe ne ishim pak të ndrojtur sepse kishin shumë fëmijë, Marigona ka qenë e vogël, moshatare me gocën time, ishin të vegjël, në klasë të parë mos  gabohem.

Ardit Gjebrea: 7 vjeç ka qenë.

Hajdar: Shumë fëmijë, ne dy fëmijë dhe na bënin rrëmujë në shtëpi. Shumë fëmijë këta por sinqerisht ua kam thënë edhe pasi jemi takuar se unë shkoj shpesh, kemi ngelur shumë miq. Më shumë bënin zhurmë fëmijët e mi se sa 14 fëmijët e tyre. Kishin një disiplinë shumë të mirë. Dua të falenderoj jo vetëm njerëzit  e mi të familjes, por edhe komshinjtë, kushërinjtë e mi që u ambientuan shumë shpejt, me sa mbaj mend na ftonin edhe nëpër dasma bashkë, pra u bëmë si një familje dhe kur erdhi dita për të ikur unë u bëra pengesë për t’i mbajtur edhe nja dy ditë më shumë. S’po na vinte mirë ne që po iknin, por kur dolën edhe komshinjtë duke i përcjellë në një ambient atje, filluan të qanin të gjithë.

“Ka një mesazh për ty” – Një vjedhje shpirti

U nda nga djali në ditëlindjen e saj, Elena: Dhurata më e keqe e jetës time

Ndarja nga fëmijët është shumë e vështirë për prindërit. Një rrëfim i këtij lloji vjen në “Ka Një Mesazh Për Ty” përmes Elenës, e cila është nënë e një vajze dhe një djali. Familja prej 4 personash jetonte në Korçë por vendosën që djalin ta dërgonin në Itali në moshën 15-vjeçare. Elena ndan një detaj interesant në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan: largimi përkoi me ditëlindjen e saj.

Njëkohësisht, vajza u shpërngul për studime në Tiranë dhe prindërit mbetën vetëm. Në vitin 2020,  ata u larguan drejt Italisë por kësaj here ishte vajza ajo që ndiente edhe më shumë mungesën e prindërve.


Elena: Në atë kohë që çuam djalin atje, vajza ishte ajo që erdhi në shkollë, në universitet, madje isha unë ajo që e nxiti të vinte në Tiranë.

Ardit Gjebrea: Nga Korça?

Elena: Nga Korça, po.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti kur nise vajzën në universitet, cili ishte momenti kur nise djalin…

Elena: Kur ne sollëm vajzën në Tiranë sepse vajza dhe djali ishin të dy shumë të lidhur me njëri-tjetrin dhe ai kur e mori vesh që ne kishim mbërritur në Tiranë, që ne e morëm në mëngjes, rritëm, atij i ra të fikët.

Ardit Gjebrea: Vërtet?

Elena: Po, nga ajo që nuk ishin ndarë asnjëherë me njëri-tjetrin. Pastaj kur jam ndarë me vajzën e më ka thënë “mirupafshim mami”, e putha, e përqafova dhe nuk e ktheva kokën pas sepse sytë e mi u mbushën me lot dhe unë nuk doja dhe nuk kam lejuar deri sot që fëmijët e mi t’i shikonin sytë e mi të mbushur me lot se në qoftë se ata shikojnë qoftë një pikë loti në sytë e mi, ata qajnë.

Ardit Gjebrea: Po kur përcolle djalin?

Elena: E njëjta gjë edhe me djalin. Ishte një ditë që unë kisha ditëlindjen dhe atë ditë ishte dhurata më e keqe e jetës time për ditëlindje.

Ardit Gjebrea: Pra ditën e lindjes ti përcolle djalin.

Elena: Po, unë u ndava nga djali. Pastaj ne vendosëm në 2020-ën të iknim në Itali duke qenë se kishim djalin larg dhe vajzën në universitet, ne mbetëm vetëm.

Ardit Gjebrea: Nuk ju shkoi ndonjëherë mendja ta marrim vajzën në Itali?

Elena: Një ditë të bukur, “o ma” thotë, “kur juve ikët, kur nuk jeni ju unë çohem natën nga gjumi, më kap ankthi dhe nuk mbushem dot me frymë”. Atë moment unë nuk u ndieva mirë. U ndieva jashtëzakonisht shumë e lënduar sepse kishim rendur gjithmonë pas djalit se është më i vogël, por nuk e kisha menduar kurrë këtë pjesë dhe mua kjo pjesë më vrau jashtëzakonisht shumë.

Nga Rama te Meloni, ‘trokitja’ e Gjebreas për Olin: Thirrja kryesore është për ‘mjeshtrin’ e çantave

Elena ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” për vajzën e saj, Stolinë ose Olin siç i thërrasin. Prej disa kohësh Oli nuk jeton më me familjen në Itali pasi nuk gjeti mundësitë që dëshironte në qytetin e vogël ku ata janë vendosur dhe vendosi të kthehej. Megjithatë, malli për të dyja palët është mbytës.

Vetëm pak ditë më parë, Oli ka humbur edhe dokumentet italiane. Elena tregoi gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se ngjarja ndodhi në autobus ku vajzës i kishin vjedhur portofolin. E gjithë situata ka shkaktuar një mërzi shumë të madhe tek ajo ndaj nëna ka ardhur për t’i shprehur mbështetjen e saj.


Elena: Të keqen mami, mos u mërzit. Unë kam ardhur këtu sepse të pashë që ishe shumë e mërzitur. Të të tregoj që unë jam gjithmonë pranë teje, që gjithçka do rregullohet dhe më e rëndësishmja është që ditën që ty të humbën dokumentet unë të kam thënë që rishikoje edhe njëherë që të kthehesh përsëri tek ne në Itali, jo në qytetin ku ne jetojmë, nuk është e domosdoshme që ti të vish atje sepse është qytet i vogël dhe mundësitë i pamë sa ishin, por mundesh ta rishikosh për në qytete të tjera. Nuk pres pëgjigje sot, nuk pres përgjigje as nesër, as pas një muaji, por po pres nga ti vetëm që ta rishikosh dhe të të them që të dua shumë sepse thua gjithmonë që doni djalin, por surprizën më të madhe ta kam bërë ty.

Gjatë bisedës me moderatorin Ardit Gjebrea, Oli shprehet se e mendon rikthimin në Itali. Megjithatë, Gjebrea ka disa ide se si mund që ajo të qëndrojë ende në Shqipëri dhe nis të ‘trokasë’ në disa dyer. Në fund, mbetet gjithnjë ‘dera’ që do e dërgonte Olin pranë familjes së saj. Thirrja e tij kryesore mbetet për personin që ka marrë dokumentet e Olit.

Ardit Gjebrea: Unë nëse do të isha për shembull… Edi Rama në këto momente, unë nuk do të të kisha lënë të ikje, do të të gjeja menjëherë punë, do të të merrja në kabinet për atë që ti ke bërë dhe realisht nuk do të të lija. Po të isha një ministër do të të kisha marrë, kupton? Për aftësitë që ti ke. Ti ke studiuar për?

Oli: Për softëare developer.

Ardit Gjebrea: Domethënë menjëherë do të të kisha ofruar një mundësi shumë të mirë, por për më tepër edhe një biznes privat, por po të isha edhe Aleksandër Frangaj qoftë, pra unë po u bie disa dyerve për të mos të të lënë për të ikur. Por më shumë nga të gjitha do doja të isha Giorgia Meloni, kryeministër i Italisë që të të kisha çuar pranë prindërve të tu. Unë uroj që të bëhet më e mira për ty, por në këto momente, thirrja ime kryesore është për atë ‘mjeshtrin’ e çantave. Të lutem, dokumentet e Olit nëse nuk i ke hedhur në kazan të plehrave, të lutem… Sa kohë u bënë?

Oli: Po bëhet gati një javë.

Ardit Gjebrea: Të gjejmë një mundësi dhe t’i rikuperojmë që mos t’i hapim kaq shumë punë Olit. Pastaj të tjerat rregullohen.

“Shihemi në Gjyq” – “Zhduket” dhëndri, borxhi i mbetet nuses

“Ish-dhëndri më ka borxh 300 mijë kruna”, nëna përballet me vajzën

Idajetja është nga Maqedonia e Veriut, por prej më shumë se 30 vjetësh jeton në Suedi. Ajo ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” për t’u përballur me vajzën e saj, Rilindën. Në insertin prezantues të rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Idajetja shpjegon se arsyeja është një borxh.

Idajete: Jam 30 vjet në Suedi dhe nuk kamparë kështu që ta merr dikush një gjë dhe nuk  do të ta kthejë. Kjo më ka ndodhur mua me ish-dhëndrin që na ka marrë një borxh dhe është zhdukur prej Suedisë, nuk e dimë nga është. Sot kam ardhur t’i bëj një thirrje të fundit.

Pasi hyn në studio, Idajetja cilëson se ka 33 vite që jeton në Suedi. Borxhi për të cilin ajo ka sjellë vajzën është marrë në vitin 2018-2019. Por vajza e saj ka diçka tjetër për të thënë në insert.


“Kam bërë gjithë këtë rrugë të largët për diçka që nuk më përket mua, është diçka shumë e tepërt, por kur të thërret nëna jam e detyruar të vij e ta dëgjoj çfarë ka për të më thënë”, shprehet Rilinda.

Ardit Gjebrea: Rilinda me gjithë atë emër shumë të bukur, ankohet, thotë të bësh gjithë atë rrugë shumë të gjatë për një gjë që s’ka lidhje.

Idajete: Po… problemin e kam me ish-dhëndirn.

Ardit Gjebrea: Ajo thotë nuk më përket kjo gjë.

Idajete: Ai ka ikur nga Suedia dhe patjetër isha e detyruar ta sjell vajzën këtu, të përballem me të se kur ma kanë marrë borxhin, ma kanë marrë borxhin, i kanë marrë kur ishin bashkë, 300 mijë kruna bëjnë gati 30 mijë euro.  

Ardit Gjebrea: 30 mijë euro nuk janë pak.

Idajete: Rilinda na e ka kthyer borxhin  pasi u divorcua, por ish-dhëndri nuk do të na e kthejë.

“Edhe dysheku 10 mijë kruna në ndarjen e pasurisë”, Çobani ‘shastis’ Gjebrean me shumat

Idajetja ka sjellë vajzën e saj, Rilindën për një hua që ajo dhe ish-burri i saj kanë marrë prej tyre pak vite më parë. Nënë e bijë janë nga Struga, por familja ka 33 vjet që jeton në Suedi. Shuma që Idajetja i kërkon vajzës në “Shihemi në Gjyq” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan është 15 mijë euro.

Rilinda dhe Armendi i kanë marrë rreth 30 mijë euro, por vajza e ka shlyer pjesën e saj dhe nëna i kërkon pjesën e ish-burrit të saj. Rilinda thotë se tashmë ajo është me dikë tjetër ndërkohë që Armendi është zhdukur nga Suedia dhe e ka lënë me 4 fëmijët. Pasuria mes çiftit është ndarë përmes ndërmjetësimit në Suedi që ka përpjesëtuar gjithçka mes të dyve.


Eni Çobani: Edhe dyshekun e ka ndarë, Ardit! Dysheku ka bërë 10 mijë kruna dhe është futur në ndarjen e pasurisë. Mobilie, tavolina, karrige, pasqyrat, janë ndarë të gjitha, pra këtu është kontributi financiar i bashkëshortëve. Ruani faturat.

Ardit Gjebrea: Të ruash faturat çfarë ka blerë burri, çfarë ka blerë gruaja.

Eni Çobani: Ne nuk e kemi këtë kulturë, por bën mirë që gjithsecili nga ne ta shikojë kontributin e familjes sepse kemi edhe raste, pa dalë nga objekti i rastit tuaj por përkon me Rilindën, që punojnë shumë…

Ardit Gjebrea: Më bënë përshtypje detajet, këto detajet në Suedi.

Eni Çobani: Po, e kam këtu, prandaj, unë do ta ruaj këtë dokument dhe e kam falenderuar Rilindën që më ka sjellë të përkthyer çdo gjë. Mobiliet në sallon me vlerë 41 mijë kruna, mobilie kuzhine me vlerë prej 15 mijë kruna, dyshek në dhomën e gjumit me vlerë 10 mijë kruna, mobilie në bodrum me vlerë 11 mijë kruna, mobilie në garazhd dhe në kopsht, pra edhe ato të voglat që vëmë ne jashtë, kush ka ambiente…

Ardit Gjebrea: E si ndahen  këto?

Eni Çobani: Janë vënë në shumë përgjysmë. Bënë 41, pjesëtim për 2, kush do t’i mbajë, i mban, do t’i japë tjetrit vlerën.

Ndër të tjera, në letrat që Rilinda ka sjellë shpalosen edhe transferimet që kanë ndodhur nga llogaria e përbashkët bankare e ish-çiftit drejt familjes së Armendit në Strugë. Të gjitha këto shuma që habisin së tepërmi Gjebrean dhe publikun, përfshihen në ndarjen e pasurisë.

Eni Çobani: Transferim te Ardita Alla, 96.500 kruna. Transferim te Sadik Alla, 10.500 kruna. Transferim prapë te Sadiku, 150.000, transferim te Sadiku, 125, transferim te Sadiku 215.

Ardit Gjebrea: Çfarë janë këto?

Eni Çobani: Ia kanë dërguar babait të Armendit, vjehrrit në Strugë për blerje banesash, pra i blinte Sadiku me paratë e Rilindës. Ardita është vajza e Sadikut dhe motra e Armendit.

Ardit Gjebrea: Nga cila llogari bankare?

Rilinda: E të dyve, edhe në llogarinë bankare timen, edhe të ish-burrit tim, kishim një llogari të përbashkët ne kështu që ato transferoheshin në llogarinë e përbashkët.

Përveç transfertave, edhe borxhi ndaj prindërve të Rilindës është përfshirë në ndarjen e pasurisë.

Eni Çobani: E gjithë shuma që ka dhënë, pavarësisht se ajo nuk e ka ditur që do ndahet një ditë dhe ma merr mendja që nuk e ka dhënë për borxh, e keni dhënë që ta marrë Sadiku me Arditën apo jo? Çfarë ka bërë Suedia? Ka marrë të gjitha llogaritë bankare dhe ka parë të gjitha lekët që kanë dalë jashtë familjes e ka ndarë përgjysmë. Pra i gjithë ky fond që në Shqipëri ikën, zhduket dhe nuk gjendet, keni parë shumë zonja që vijnë dhe thonë zonja Eni ia çuam vjehrrit por nuk i bëmë letër, ia çuam se babai, në këtë rast babait ia kanë çuar me bankë këta zotërinjtë dhe babai shumën e ka ndarë përgjysmë tani Suedia, gjysmë zonjës dhe gjysmë Armendit dhe në fund, çfarë ka ndodhur, është bërë një shumatore ku ka shumë të drejtë zonja që ka ardhur këtu sepse do ia tregoj edhe Arditit tani, çfarë thotë këtu i nderuar, urdhëro…

Ardit Gjebrea: Borxhi ndaj prindërve të Rilinda Allës. Ah, borxhi ndaj prindërve!

Eni Çobani: Pra edhe kjo është futur në ndarjen e pasurisë.

“40 vjeç fillon jeta”/Rilinda: Ish-burrit i mungonin festat, i dukej se ishte martuar i ri

Rilinda është sjellë në “Shihemi në Gjyq” nga nëna e saj, Idajetja e cila i kërkon 15 mijë eurot që i ka borxh ish-burri i saj. Gjatë diskutimit të çështjes në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, u shpjegua se ish-çifti i ka marrë 30 mijë euro prindërve. Pas divorcit i cili ka ndodhur në Suedi aty ku edhe jetojnë prej 33 vitesh, pasuria dhe borxhet janë ndarë mes ish-çiftit.

Rilinda thotë se ajo nuk donte të ndahej nga ish-bashkëshorti për hir të 4 fëmijëve. Ata ishin njohur me shkuesi por kishin pasur gjithnjë probleme. Në maj 2020, pasi shlyen një borxh prej 10 mijë eurosh, vetëm një muaj më vonë ai i kërkoi divorcin.


Ardit Gjebrea: Ti nuk doje të ndaheshe?

Rilinda: Unë nuk doja të ndahesha për hir të fëmijëve. Fëmijët mbesin as këtej, as andej. Pastaj m’u lut, më erdhi në zyrë tre herë, donte të bashkohej, “nuk ishte siç e mendova”, tha. Në Suedi ne 3 muaj ndenjëm bashkë te e njëjta shtëpi, 3 muaj.

Ardit Gjebrea: Pas divorcit?

Rilinda: Pasi u divorcuam.

Ardit Gjebrea: Po pra, ai kërkoi që të divorcoheni dhe pastaj ai kërkoi këtë gjë, ju 3 muaj ndenjët bashkë.

Rilinda: 3 muaj ndenji derisa gjeti banesën, por akoma fluturonte nëpër ‘party’, i mungonte ajo pjesa që…

Ardit Gjebrea: Liria.

Rilinda: Po. I thashë do bëhesh pishman, do vish të më kërkosh, “jo nuk bëhem”. Më erdhi 3 herë në zyrë, “nuk ishte siç e mendova unë”, tha, mirëpo unë e kisha vendosur që më jo. S’ishte hera e parë. U bë shumë herë.

Rilinda thotë se madje ai kërkonte që të kishte një grua tjetër.

Ardit Gjebrea: Pse donte një tjetër ai? 

Rilinda: Kërkonte jo tjetër, por ai donte ‘party’-t që i mungonin, ishte martuar shumë i ri. Edhe unë isha  17 vjeç e gjysmë kur u fejva, 18 vjeçe e gjysmë kur u martova.

Ardit Gjebrea: Sa vite diferencë kishit ju?

Rilinda: 3 vjet. Ishim mirë por ai kishte arritur të bënte më shumë gjëra se unë, si meshkujt që jetojnë këtej. Unë jam rritur në Suedi, ne më ndryshe pak andej.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç u martuat ju?

Rilinda: 19 vjeçe isha unë, ish-burri ishte 23, pa bërë 23.

Ardit Gjebrea: Ishte 22-23 dhe iu duk që meqenëse nuk kishte bërë atë jetën si me thënë deri në 30 vjeç, dëshironte ta bënte.

Rilinda: Filloi t’i mungonte sa po i afrohej 40-ës. Unë i thosha  fëmijët more i kemi gati për t’i martuar, 16 vjeç do bënte djali i madh.

Ardit Gjebrea: Kanë një shprehje italianët, kur bëhesh 40 vjeç fillon jeta.

Rilinda: Edhe në Suedi ashtu.

Nëna e Rilindës, Idajetja shton se kur e mori vesh se kërkonte të divorcohej, e grisi letrën. Menjëherë ish-dhëndri, Armendi nisi të reagonte dhe ta cilësonte si pengesë që ai të gjente një tjetër dhe të fillonte jetën e tij, por pas disa javësh kuptoi të kundërtën edhe pse tashmë ishte tepër vonë.

Ardit Gjebrea: Për sa muaj e provoi ai që 40 vjeç fillon jeta dhe pastaj u kthye tek ti?

Rilinda: Sa doli, sa u largua nga shtëpia, 3 muaj ndenjëm bshkë në të njëjtën shtëpi, sa u largua nga shtëpia, nuk shkoi as 2-3 javë më erdhi në zyrë tre herë, menjëherë e kuptoi që…

Ardit Gjebrea: Nuk fillonte jeta 40 vjeç.

Rilinda: As teshat nuk dinte t’i vinte në makinën  larëse, “a do vinte të më tregosh si lahen teshat?”.

“Të Panjohurit” – Sindi Shehaj

/tvklan.al