#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave – Leme vs Leandro

“Kujdes shëndetin” – Sëmundjet pediatrike pulmonare, Liv Hospital

“Ka një mesazh për ty” – Një vëlla si Arturi

“Nuk doja të jetoja më, shkova afër liqenit”, telefonata që i riktheu shpresën Dilës

Dila ka lindur në një fshat të thellë malor në Lezhë në një familje të madhe me 3 vëllezër e 2 motra. Ajo kujton në  “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan jetën e vështirë të fshatit, nënën që i dërgonte fëmijët në shkollë duke i mbajtur në shpinë sepse rruga zgjaste një orë në këmbë. Këtë realitet Dila do ta jetonte edhe vetë pas martesës kur nga bjeshka shkoi në bjeshkë dhe u bë nënë e 4 vajzave.

Vajza e madhe dëshironte shumë të shkollohej dhe mundësia e vetme ishte që të qëndronte te vëllai i vogël i Dilës, shtëpia e të cilit ndodhej më afër me shkollën ku qëndroi për tre vjet. E njëjta gjë u përsërit edhe me vajzën e dytë. Për t’iu ofruar një mundësi më të mirë fëmijëve, Dila dhe bashkëshorti u shpërngulën në një shtëpi me qira në Vaun e Dejës, ndërsa vajza e madhe u zhvendos në Tiranë ku e përballonte e vetme jetesën.

Për Dilën nuk ishte e lehtë të përballonte qiranë, bashkëshorti kishte mbetur pa punë ndërsa vajza e madhe pësoi një incident dhe theu këmbën. Dila kishte mbetur në një situatë ku ndihej e pashpresë dhe e pamundur për të bërë diçka dhe vendosi të shkonte pranë një liqeni.


Dila: Erdhi një moment, nuk e di, bllokohesh, nuk do të jetosh se iku e kur u çua me paterica, s’isha e aftë ta ndihmoja, u bllokova dhe kam ardhur avash-avash, i kam menduar të gjitha mendimet që kisha vuajtur dhe thashë nuk jam e aftë ta ndihmoj, mos të shoh më, s’mund të duroj më. Avash-avash shkova afër një liqeni po duke qarë aq shumë sa nuk e ke idenë. Isha mbushur. Papritur më ra zilja e telefonit.  Kur shikoj, Artur Ndreu se ashtu e kam. U mundova ta ndalja atë zërin që mos ta kuptonte. Tha “çfarë ke motrushe”, i thashë asgjë. “Jo, unë e di që diçka e ke ti”, tha. i thashë jo more vëlla po hallet kështu, tha “ah moj motër, mos rri duke u mërzitur e duke u stresuar, futi një vallëzim trurit”. Në moment kam qeshur, aq shumë qava por në moment kam qeshur. Nga vështrimi i atij liqenit që isha, e ktheva kokën gjatë rrugës nga shtëpia, duke folur, filloi duke më treguar se çfarë ka bërë se unë nuk e dija, ai kishte ndihmuar edhe të tjerë. “Ti je gjëja më e vogël për të të ndihmuar, sa  të më kesh mua mos e vrit mendjen hiç fare”,  tha. Mirë fillova duke qeshur, thashë ky është engjëll mbrojtës për mua.

Ardit Gjebrea: Vajzat e dinë këtë histori apo e dëgjojnë sot për herë të parë? 

Dila: Për herë të  parë por unë dua t’u kërkoj falje sepse po mos të ky vëlla për të më thirrur, ato ishin…

Ardit Gjebrea: Do kishte ndodhur hataja.

Dila: Po. E falenderoj Zotin që ma ka falur, unë i kam edhe ata dy vëllezërit e tjerë, të martuar janë, edhe ata komunikojnë me mua por kanë hallet e veta, punët e veta po y, sikur e kam rënduar shumë, kaq shumë e kam rënduar sa kam frikë ta thërras pa më thirrur ai që të vijë e të më ndihmojë.

I shpëtoi jetën motrës pa e ditur, vëllai mëson historinë për herë të parë: Kam bërë atë që duhet!

Dila është vajza e madhe në familjen e saj, por lidhjen më të veçantë duket se e ka me vëllain e vogël,  Arturin.  Në rrëfimin e saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, ajo tregoi për të gjithë mbështetjen dhe ndihmën që ka marrë prej tij në situata të vështira dhe për kurajën që ia ka dhënë pa e ditur në një moment shumë kritik. Për këtë arsye ajo e ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan.

Arturi e ka pranuar ftesën dhe emocionohet kur sheh se pas ekranit, është motra e madhe. Ai flet me admirim shumë të madh për të dhe mendon se nuk ka bërë asgjë më shumë nga ç’duhet të bëjë një vëlla. Sot ai dëgjon për herë të parë episodin e errët të Dilës dhe si e ka shpëtuar vetëm përmes një telefonate.


Artur: Kjo është motra ime Ardit, motra e madhe me të vërtetë unë i dua të gjithë  si motra, si vëllezër, unë i dua të gjithë njësoj ama këtë e kam dashur me të vërtetë, e ke parasysh se ka qenë… na ka rritur, me mundime me halle, kjo ka qenë dikur nënë e dytë për ne dhe e falenderoj jashtëzakonisht shumë. unë kam bërë ato për shembull, siç mund të bëjë çdo vëlla për motrën e vet edhe… por këtë gjë… nuk e di çfarë të them, nuk e prisja dot, me të vërtetë.

Ardit Gjebrea: Ajo na tregoi se si ti je kujdesur për të gjithë familjen, se si ke mbajtur dy vazjat e saj në shtëpi që ato të vazhdonin shkollën, i ke mbajtur 3 vite në shtëpi. Ti sa fëmijë ke vetë?

Artur: Unë kam 3 fëmijë, kam një vajzë dhe dy djem.

Ardit Gjebrea: Okej po në një moment prapë, të sjellësh dy fëmijët e motrës, nusja ka patur ndonjë moment që të ketë thënë “ore Artur, po nuk është një çikë si shumë apo jo?”

Artur: Ardit me të vërtetë unë kam pasur një mbështetje të madhe nga nusja dhe kurrë nuk kam dëgjaur një fjalë të atillë që të më thojë që “është peshë e rëndë”, që të më thojë “pse po i mban” apo diçka, madje përkundrazi ka qenë ajo mbështetja që mundohej edhe t’i edukonte sadopak sepse ishin fëmijë. Unë kam bërë atë që duhet të bëjë një vëlla për motrën.

Ardit Gjebrea: Ka qenë një ditë kur motra e mërzitur nga gjithë hallet që kishte, merr rrugën drejt liqenit dhe nuk e dinë as fëmijët, askush dhe vendosi që ta tregonte sot këtë histori dhe të të ftonte këtu. Në një moment duke bërë atë veprim që nuk duhet bërë sepse vetëm Zoti na e merr jetën, ai na e jep dhe ai na e merr, ti i bie telefonit dhe i thua “motrushe si je?” Ajo mundohet që ta fshehë dëshpërimin që ka por ti e kupton dhe i thua një frazë, “futi një vallëzim trurit dhe lëri problemet se do t’i zgjidhim bashkë” dhe ajo siç ishte përballë liqenit, kthehet dhe niset drejt shtëpisë.

Artur: Të them të drejtën, unë me të vërtetë, gjithmonë që e kam marrë në telefon, e dalloja gjithmonë nga zëri që ka një hall, problem ose diçka të atillë. Halle e probleme kemi të gjithë Ardit, por kjo është diçka që robi ka mundësi që t’i japë një kënaqësi atij tjetrit dhe në një moment kur është në momente të vështira, thjesht mund t’i japë diçka, një mendim ose diçka që robi të relaksohet nga truri. Kjo gjithmonë e mërzitur ka qenë, ka një  familje të mrekullueshme, ka 4 vajza të mrekulleshme por e kam pasur si shpirt, gjithmonë e kam dashur fort dhe gjithmonë i rrija gati, e merrja gjithmonë në telefon, nuk kalonin 2-3 ditë pa i marrë në telefon se e dija që mërzitej me diçka apo një tjetër, normale, njerëz jemi, hallet  e problemet.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ajo thotë edhe fjalën tjetër, “e kam rënduar shumë”.

Artur: Ah, jo! Jo, me të vërtetë mua s’më ka rënduar kurrë, asnjëherë madje kam qenë shumë i gëzuar që të të marrë motra, ku ka, ku të rëndon motra, e vetmja gjë që…

“Ka një mesazh për ty” – Historia e pabesueshme e Klajdes

“Mamit i vunë kallashnikovin në kraharor”/Dita që ktheu Klajdën nga “princeshë në shërbëtore”

Jeta e Klajdës në Shqipëri ishte për t’u pasur zili. Vajza e madhe e një familjeje shumë të lidhur me njëri-tjetrin, ku edhe dy vëllezërit më të vegjël e mbanin në pëllëmbë të dorës, tregon ajo në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan. Çdo mëngjes babai i linte një çokollatë, ajo studionte frëngjisht dhe jepte mësime private, një princeshë e vërtetë në shtëpinë e saj.

Në moshën 18-vjeçare Klajda njohu bashkëshortin. Dashuria ishte e madhe, por mundësitë financiare të pakta dhe ai vendos të largohet në Itali me motoskaf. E vendosur për ta takuar e për të qëndruar me të, Klajda kërkon ndihmën e prindërve që bëjnë çmos për të siguruar vizën që do ndryshonte tërësisht jetën e saj.


Klajda: Mbaj mend që mami im dhe babi im morën 3000 euro borxh dhe kur po iknim që po merrnim vizën Shengen, në Tiranë ishte periudha e trazirave.

Ardit Gjebrea: Viti ’97.

Klajda: Po, dhe na dalin njerëzit me maska e kallashnikov që i vënë mamit kallashnikovin në kraharor. Mami im ia merr duke u dridhur dhe i thotë “ne jemi për hall, mos na bëni keq ju lutem” dhe njëri nga ata vjen edhe largon këtë djalin dhe ne me shumë ankth arrijmë të kthehemi në Elbasan.

Ardit Gjebrea: Shkove në Itali.

Klajda: Gjë e bukur, pashë bashkëshortin  tim.

Ardit Gjebrea: Në cilin qytet?

Klajda: Gjithmonë në Bolonja.

Ardit Gjebrea: Shkove në Itali, pe bashkëshortin, qytet i bukur dhe kur shkove në apartamentin ku banonte  ai…

Klajda: Aty ishin edhe punëtorë të tjerë sepse bashkëshorti im rrinte te shtëpia që ia kishte dhënë pronari me disa punëtorë të tjerë. Paguante qiranë bashkëshorti im dhe edhe unë duhej të paguaja qiranë por të ardhruat ishin shumë të  pakta dhe unë vendosa që t’i propozoja që të laja, të shpëlaja, t’u gatuaja dhe t’u hekurosja atyre.

Ardit Gjebrea: Ti princesha e shtëpisë.

Klajda: U ktheva në shërbëtore, por sakrificat janë edhe këto.

Kaloi shtatzëninë në park, sakrificat e paimagjinueshme të Klajdës: Haja produkte të skaduara, lahesha me letra duarsh

“Jetova për 5 muaj nëpër shtëpitë e të tjerëve

Jeta e rehatshme dhe e bukur e Klajdës në Shqipëri ndryshoi me largimin e saj drejt Italisë 24 vite më parë. Ajo rrëfen në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se dashuria për bashkëshortin e bëri të duronte sakrifica të mëdha vetëm që të qëndronin bashkë.

Klajda pranoi të kujdesej për shtëpinë ku ata jetonin së bashku me punëtorët e tjerë por një ditë të dy përfunduan në rrugë. Ajo kishte mbetur shtatzënë dhe pritja e ëmbël, një nga momentet më sublime për një grua, u kthye në një pasiguri të madhe e luftë të përditshme mbijetese.


Klajda: Një ditë bashkëshorti im humb punën dhe duke humbur punën humbim edhe shtëpinë sepse shtëpinë e kishte pronari. Aty kishim vetëm një kuvertë. Atë kuvertën e morëm dhe ikëm të jetonim në park dhe unë isha shtatzënë me djalin.

Ardit Gjebrea: Dhe flinit nëpër parqe.

Klajda: Flinim te parku.

Ardit Gjebrea: Jashtë?

Klajda: Jashtë, dy muaj.

Ardit Gjebrea: Për t’u larë, për t’u shpëlarë?

Klajda: Nuk laheshim. Unë haja vetëm kumbulla, ishin ca kumbulla jeshile aty te parku dhe unë haja ato kumbulla sepse nuk kishim mundësi ku të gatuaje, rroga pothuajse humbi sepse humbi puna dhe me ato paikica që kishim. Për t’u larë unë ikja në supermarket te tualetet e supermarketit dhe atje me letrat e duarve, i lagnim dhe arrinim të laheshim. Ndërkohë bashkëshorti im gjen punë 50 km larg vendit ku ishim në Bolonja dhe transferohet atje për të bërë dokumentet. Unë vazhdoja akoma të jetoja në park.

Ardit Gjebrea: Vetëm?

Klajda: Vetëm.

Ardit Gjebrea: Po në shtëpi çfarë u thoje në Shqipëri?

Klajda: Në shtëpi që thoja që isha mirë. E merrja me kabinë telefonike  mamin se atëherëë nuk kishim as celular, u thoja që isha mirë, mërzitesha se më mungonin shumë vëllezërit, mami dhe babi dhe me sakrifica po mësoja gjuhën, thoja avash-avash.

E uritur, shtatzënë dhe e pastrehë, Klajda gjente alternativa nga më të pabesueshmet për të ushqyer veten dhe fëmijën. Një ditë, pati një fije shprese kur dëgjoi një zë që i foli në shqip.

Klajda: Në supermarket hidhnin gjërat e skaduara, gjërat e prishura dhe ai ishte i vetmi ushqim i imi. Unë ndihesha keq sepse fëmija duhet të ushqehej, shumë e vështirë.

Ardit Gjebrea: Derisa një ditë dëgjove një zë të fliste shqip.

Klajda: Një ditë isha në supermarket, po flisja shqip me veten time dhe ndalon një grua shqiptare që quhet Mide. Ajo ndalon dhe thotë “je shqiptare”, aty filloj të qaj sepse për mua ishte emocion i madh të dëgjoja pas shumë vitesh zërin e një shqiptareje. I tregova historinë time dhe ajo vendosi të më merrte në shtëpi. Ika te shtëpia e saj, hëngra, u ngroha, u lava dhe vendosën të më mbanin aty për disa javë por kushtet e saj, edhe ajo emigrante nuk lejonin praninë time të gjatë. Atëherë më njohu me një shqiptare tjetër, Vera, aty kam ndenjur një muaj, me sakrifica edhe ato. Pastaj bëra xhiron te një kosovare, te një vlonjate. Unë jetova për 5 muaj nëpër shtëpitë e të tjerëve, gjithmonë shtatzënë.

Humbi tragjikisht bashkëshortin, Klajda: Mendova se ishte fundi i jetës time!

Klajda hyri në studion e “Ka Një Mesazh  Për Ty” me një buzëqeshje të madhe që herë pas here shfaqet përgjatë rrëfimit të saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan. Pas buzëqeshjes, qëndron një grua që ka përjetuar sfida, sakrifica deri në vetëmohim, ka tejkaluar sprova të vështira për t’u përshkruar.

Teksa me bashkëshortin përpiqeshin të ndërtonin sadopak siguri në Itali, mbetën të dy në një park. Klajda priste djalin e tyre të parë, ushqehej me kumbulla e produkte të skaduara supermarketi dhe laheshin me letra në tualetet e tij. Bashkëshorti gjeti një punë 50 km larg Bolonjës ndërsa Klajda mbeti e vetme në atë park. Një ditë, një shqiptare e ndihmoi e për 5 muajt e tjerë të shtatzënisë gjeti ndihmë e strehë në shtëpitë e të tjerëve.

Pas kësaj situate, Klajda dhe bashkëshorti bënë ç’mundën dhe gjetën një shtëpi të vjetër e me myk për të jetuar së bashku me djalin.


Klajda: Gjetëm këtë shtëpinë që ishte me shumë myk, lindi Kevin dhe Kevin shumë shpejt u sëmur, pas  dy javësh nga myku i madh. Qiraja ishte shumë e lartë, na transferoi në spital në Bolonja ku kemi ngelur 3 muaj dhe 3 muaj ne nuk kishim mundësi të paguanim të ngrënën dhe rrija pa bukë. Ndonjë kanatiere e laja, e thaja te ngrohësja natën dhe kështu kaluan 3 muaj në spital.

Ata iu drejtuan Kryqit të Kuq dhe për 6 muajt e ardhshëm ushqeheshin me makarona, domate e qumësht ndërsa ishin edhe fqinjët që i ndihmonin me ç’të mundnin. Të dy kishin nisur të punonin, Klajda mbeti shtatzënë me vajzën dhe jeta dukej se po merrte një drejtim tjetër deri në ditën që gjithçka u përmbys.

Klajda: Ishte dita e fundit te puna e re që burri im punonte sepse pastaj mbyllej edhe ajo puna kur ai pëson një aksident në rrugë duke u kthyer. Pëson një aksident dhe aty mendova se ishte fundi i jetës time.

Ardit Gjebrea: Nga aksidenti shpëtoi bashkëshorti?

Klajda: Jo. Bashkëshorti vdiq 35 vjeç.

Prindërit në Shqipëri i luteshin të kthehej, por Klajda nuk e përtypte dot që të shkelte mbi sakrificën e tyre. Ata bënë gjithçka për ta ndihmuar, edhe pse vetë arritën në kufijtë e varfërisë.

Klajda: Nuk u kam treguar kurrë sepse ato 3000 euro që mami dhe babi im kanë marrë borxh dhe duhet të lanin këtë borxhin duke ngrënë bishta prasi dhe duke u dhënë vëllezërve të mi që të paguanin borxhin vetëm bishtat e prasit dhe bënin supën, unë nuk mund të kthehesha në Shqipëri as kur isha në rrugë dhe as kur u ndodha në këtë lloj situate. Por mami dhe babi im kanë vazhduar gjithmonë duke ndihmuar, biles ata 2-3 herë morën prapë lekë borxh, më sillnin makaronat, djathë kaçkavall, m’i dërgonin me postë.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë që për vete hanin bishta prasi.

Klajda: Dhe ato hanin bishta prasi. Vëllezërit e mi kanë vuajtur shumë sepse… kushtet e atilla. Babi punonte në zjarrfikëse, mami punonte në banak dhe për të larë borxhin që merrte për të më sjellë mua lekë ikte në punë në orën 6 dhe kthehej në 11 të natës.

Rigjeti dashurinë pas humbjes së bashkëshortit: Fëmijët i kërkuan leje që t’i thërrisnin “baba”

E mbetur e vetme në Itali pas humbjes së bashkëshortit nga një aksident fatkeq, Klajda duhet të rriste dy fëmijët. Sot ajo punon në një bankë, por duart e saj kanë arritur të prekin edhe llaçin për të siguruar bukën e gojës. Ajo u shpreh gjatë “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan se kthimi në Shqipëri nuk ishte një alternativë.

Prindërit ishin në vështirësi prej borxhit që kishin marrë për të dhe bënin sakrifica që ta ndihmonin duke ushqyer veten e djemtë me bishta prasi. Klajda bënte dy punë që të mbante fëmijët por një ditë, pati edhe për të një fillim të ri.


Klajda: Kur mungoi bashkëshorti im, unë kisha dy fëmijët e mi për t’i rritur. Unë punoja dy punë, paradite punoja kamariere dhe lija dy fëmijët e vegjël në shtëpi, të mbyllur, nga ora 8 deri në orën 4 dhe pasdite nga ora 6 deri në 12 të natës bëja ndihmës muratore. Duart e mia të vogla siç thotë mami im arritën që të punonin llaçin. Fëmijët e mi rrinin vetëm, unë i gatuaja dhe ai ngrohte për motrën bukën, luanin dhe vizatonin, të mbyllur në shtëpi gjithë ditën dhe më prisnin mua deri në orën 2 të natës kur vija.

Ardit Gjebrea: Kaluan vite dhe në jetën tënde shfaqet një person.

Klajda: Shfaqet Klaudio.

Ardit Gjebrea: Si e njohe?

Klajda: Po një ditë dola nga puna që bëja kamarieren, kisha fëmijët në shtëpi, ishte fati, ishte engjëlli, nuk e di, më ndalon në rrugë dhe më thotë të kam parë shpesh duke shërbyer, “a mund të dalim një ditë bashkë për një picë?” Janë disa gjëra që i ndien nga shpirti dhe mendova që ndoshta ishte momenti që edhe unë mund të rifilloja jetën time. Aty fillova të njihja Klaudion, pas shumë kohe e njoha me fëmijët e mi, u njoha me familjen e tij dhe ishte direkt një mbështetje e madhe.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ai pati një ‘feeling’  dhe anasjelltas bashkë me fëmijët, ai filluan që t’i thërrisnin “baba” Klaudios.

Klajda: Po, pas një viti që ne vendosëm të bashkëjetonim ata i kërkuan lejen nëse mund t’i thërrisnin “baba”.

“Jeni dashuri sipër fëmijëve të mi”, Klajda falenderon engjëjt e saj

Rrëfimi i Klajdës për jetën e saj në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, “Ka Një Mesazh Për Ty” pati kontraste të forta. Nga një jetë në gjirin familjar drejt emigracionit të vështirë në Itali, varfërisë, mbetjes nën qiell të hapur me bashkëshortin. Jetonin në park e ushqeheshin me ç’të gjenin ndërsa prisnin që në jetë të vinte fëmija i parë.

Më tej, djali u sëmur, bashkëshorti humbi jetën nga një aksident tragjik pak pas lindjes së vajzës ndërsa Klajda mbeti e vetme. Në asnjë moment ajo nuk  mendonte të kthehej sepse familja ishte në vështirësi të madhe e nuk dëshironte t’i rëndonte më shumë.

Klajda ia doli mbanë, edhe me ndihmën e Klaudios që u shfaq papritur në jetën e saj e u kthye në mbështetjen e madhe. Sot jeta e saj ka ndryshuar, por ndien se u detyrohet prindërve më shumë se kujtdo tjetër. Ata i dhanë gjithçka mundën pa përllogaritur asgjë, duke sakrifikuar për të dhe për djemtë.


Klajda: Yjet e mi, engjëjt e mi!

Flora: Shpirti im!

Klajda: Nuk kisha rrugë tjetër dhe më të rëndësishme dhe më me vlerë se sa t’ju ftoja këtu për t’ju falenderuar gjithë jetën për sakrificat që keni bërë për mua, për vëllezërit e mi, për fëmijët e mi dhe për fatin që kemi që ju kemi prindër juve.

Flora & Asllan: Faleminderit! të na rrosh ti!

Klajda: Ju jeni forca ime, jeni zemra ime, jeni dashuria më e madhe që unë kam edhe sipër fëmijëve të mi. Unë nuk mund të arrija më lart se deri këtu për t’ju shprehur sa të rëndësishëm jeni dhe sa ju dua unë juve.

Flora: Ti je prej çeliku të keqen mami, je shumë e fortë. Zoti të ka bërë të fortë që t’i dha ato lloj vuajtjesh.

Asllan: Unë dhe mami vetëm për ju mendojmë, për ty, për fëmijët e tu, për binjakët, për çunat. Ne japim shpirtin, jetën, gjakun për ju.

Klajda: Unë prandaj jam këtu, edhe në emër të vëllezërve të mi që nuk mundën të vinin, t’ju falenderojmë me gjithë shpirt si çdo prind tjetër shqiptar që bën sakrifica për të rritur fëmijët e tyre, edhe ju jeni të atillë.

“Shihemi në Gjyq” – Divorci, babai “shet” vajzën për kanunin

“Më martove që 16 vjeçe e më le mes 4 rrugëve”, babai: Të kam ndarë sipas kanunit

Erjona është vetëm 19 vjeçe dhe ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” babain e saj, Maliqin. Sipas shpjegimit të saj, i ati e ka martuar që 16 vjeçe dhe sot ajo është ndarë. I ati nuk e pranon më në shtëpi sepse thotë se njeh vetëm kanunin e Lekë Dukagjinit, një deklaratë që lë gojëhapur publikun e programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan.


Erjona: Kam qenë e martuar që 16 vjeçe, kam ndenjur 3 vjet me burrë dhe pas asaj unë jam ndarë se më torturonte shumë.

Maliq: Po unë çfarë halli kam unë që më ke thirrur? Unë jam babi.

Erjona: Unë të kam thirrur se ti më ke ndarë.

Maliq: Të ka ndarë babi se të kam bërë tamam.

Erjona: Po pse më ke ndarë? Unë burrë nuk kam, djalë s’kam. Unë s’kam ku të dal, ti më ke lënë mes katër rrugëve.

Maliq: Sipas kanunit tim që kam, unë të kam ndarë ty. Ti je në punën tënde e unë në punën time. Nuk të kam veç ty.

Erjona: Më ke lënë në katër rrugët e dynjasë.

Maliq: Po kam edhe 9 kalamaj të tjerë moj bijë. Jam 60 e ca vjeç, unë s’jam në punë, s’kam pension.

Erjona: Mua s’më ke kalama ti?

Maliq: Të kam kalama po unë ju kam dhënë të drejtën secilit te burri i vet, te fëmija i vet.

Erjona: Po burri pra, më ka ndarë ai. Burri më ka ndarë, ku do rri unë?

Eni Çobani: Zoti Maliq, në ç’moshë e ke martuar ëktë vajzën pa lëri këto sa fëmijë ke ti?

Maliq: Sipas  kanunit të Lekë Dukagjinit, vajzën e kam martuar 16 vjeçe.

Eni Çobani i tregon Maliqit certifikatën e gjendjes civile të vajzës së tij ku ajo figuron vetëm me djalin dhe pa një bashkëshort.

“Inteligjenca e ka fajin”, babai: Ligji bëhet pluhur e ndryshk, kanuni është i pastër

Maliqi është i palëkundur nga mendimi i tij  se veprimet që ka kryer ndaj së bijës, Erjonës që e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, kanë qenë në përputhje me kanunin e Lekë Dukagjinit. Erjona e akuzon të atin se e ka martuar me mblesëri kur ishte vetëm 16 vjeçe dhe sot që është 19, ish-burri e ka nxjerrë jashtë.

Në gjendjen civile, Erjona figuron vetëm me djalin e saj ndërsa mësohet se ajo që Maliqi e quan martesë, është në fakt një bashkëjetesë. Maliqi nuk pranon që Erjona të kthehet në shtëpi dhe vajza ka mbetur në rrugë. Ai nuk pranon asnjë argument nga moderatori Ardit Gjebrea apo ndërmjetësja Eni Çobani dhe fajëson “inteligjencën”.


Ardit Gjebrea: Ai zotëria, ecën edhe ai me kanunin e Lekë Dukagjinit apo me ligjet e këtij shteti?

Maliq: Nuk ia di mendjen atij unë.

Ardit Gjebrea: Nuk ia di mendjen? Po sepse ti kur e çon vajzën në një shtëpi duhet ta çosh në një shtëpi që përputhet me ligjet e tua, me kanunet e tua sepse ka një gjë: ti me mendjen tënde e ke martuar gocën tënde, ai me mendjen e vet s’është i martuar me gocën tënde.

Maliq: Ah, inteligjenca juaj e ka bërë të kalojë në atë gjendje! Ligji pluhur në sirtarët tuaj bëhet pluhur e ndryshk, pastaj populli ç’do bëjë? Kurse kanuni i Lekë Dukagjinit është shumë i pastër dhe lexohet shumë mirë.

Ardit Gjebrea: E ke lexuar ti por s’e ka lexuar ai.

Eni Çobani: Lëre kanunin tani këtu. Ti me kanun, po të ishe me kanun zotëri, ja po ta shpjegoj unë, vajza jote nuk do ishte këtu. Vajza jote do ishte te shtëpia e burrit. Këtu jo vetëm kanun nuk ka, por këtu e keni shkelur me këmbë kanunin, moralin e të gjitha dhe vajza është kthyer në shtëpi pa fëmijë. Çfarë thotë kanuni zotëri në qoftë se zonja kthehet pa fëmijë? Ma thuaj tani! Ma thuaj se je malësor ti, unë jam gjysmë malësore si ty, ma thuaj! Vajza dhe gruaja kthehet te babai vetëm në qoftë se kapet në flagrancë dhe vjedh në shtëpinë e burrit. Në qoftë se vajza jote është kapur në flagrancë apo vjedh në shtëpinë e burrit, ai ta ka marrë dhe ta ka sjellë në shtëpi. Tani më thuaj, kjo vajza ka vjedhur?

Maliq: Jo.

Eni Çobani: Ka tradhtuar?

Maliq: Jo.

Eni Çobani: Atëherë kanuni ku është?

Maliq: Inteligjenca i ka nxjerrë brezat jashtë rregullave.

Maliqi i bën kërkesën e çuditshme Eni Çobanit: Hiq ligjet e Edi Ramës e Sali Berishës!

I bindur se zgjidhja e situatës së vajzës së tij gjendet në kanunin e Lekë Dukagjinit, Maliqi nuk pranon asnjë arsyetim ligjor. Ai nuk e pranon në shtëpi të bijën, Erjonën e cila e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” sepse “e ka ndarë me kanun”.

Ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani, i kërkon që ta lërë dhe t’i nënshtrohet ligjit. Maliqi e konsideron ligjin “me pluhur e ndryshk” si dhe fajëson figurat politike për të, madje ka një kërkesë për ndërmjetësen.


Eni Çobani: Zoti Maliq, do më lësh mua ta shpjegoj me ligj apo do vazhdosh ti ta shpjegosh me kanun?

Maliq: Në qoftë se ti e pastron ligjin, hiqi ato pluhurat e ligjit…

Eni Çobani: Kush janë pluhurat e ligjit?

Maliq: Ligjin e ke me pluhur, me ndryshk. Shkunde mirë, pastroje mirë ligjin dhe jam karshi teje.

Eni Çobani: Po çfarë kërkon ti me këtë shkundjen, çfarë mund të bësh?

Maliq: Hiqi ligjet e Edi Ramës e të Sali Berishës.

Ardit Gjebrea: Atëherë unë them ta lëmë ligjin në dorën e Maliqit.

Eni Çobani: Po e lamë ashtu do shkojmë te kanuni pastaj, ne s’jemi për kanunin.

Ardit Gjebrea: Atëherë si pastrohet ligji? Çfarë duhet t’i pastrojmë ne ligjit? Cili është pluhuri që duhet t’i pastrojmë ne ligjit?

Eni Çobani: Siç e kupton Maliqi do të thotë që ne të pastrojmë ato pjesë për të nxjerrë kanunin dhe të shkojmë te kanuni, por ne kanunin ia kemi lënë historisë. Ne sot jemi me ligjin, me Kushtetutën dhe me këtë do mbrohet vajza jote që ka ardhur sot këtu! Lërjani kanunin historisë!

Maliq: Merre çoje ku të duash, unë me kanunin e Lekë Dukagjinit s’kam ku e çoj më.

“Ti duhet të dënohesh që marton vajzën 16 vjeç!”/Çobani ia ‘përplas’ në fytyrë Maliqit, ai i zgjat duart

Pjesa e dytë e “Shihemi në Gjyq” ka nisur me një debat të fortë mes Eni Çobanit dhe Maliqit. Ndërsa ky i fundit ngul këmbë në kanunin e Lekë Dukagjinit dhe thotë se nuk njeh ligjin, ndërmjetësja e rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan nuk ia kursen disa deklarata. Çobani i thotë se një baba që marton vajzën 16 vjeçe duhet të dënohet ligjërisht.


Eni Çobani: Populli do ligjin dhe Kushtetutën zotëri dhe ne do ta zbatojmë deri në fund Kushtetutën! Por që ta kuptosh ligjin ti do bëjmë ca ndryshime ne në ligj që baballarë dhe nëna si ti që martojnë vajzën 16 vjeç duhet t’i dënojë ligji o zotëri! Ti duhet të dënohesh për kundravajtje penale që marton vajzën 16 vjeç!

Maliq: Ja urdhëro! (I zgjat duart e kryqëzuara) Po kam kanunin unë!

Eni Çobani: Tani ulu atje dhe vazhdo voto për ligjin! Jo për kanunin se kanunin nuk duhet ta lexosh më! O zotëri po ti je babai ore! E di ç’do do të thotë baba? Babai është heroi i një vajze! Unë në moshën e vajzës tënde mendoja ku do shkollohesha, kurse ti e ke lënë vajzën me fëmijë 1 vjeç e 5 muaj! E kupton kush je ti apo jo? Vajza jote duhet të ishte në shkollë!

Maliq: Unë kam kanunin e Lekë Dukagjinit.

Eni Çobani: Vajza jote dhe vajzat e shqiptarëve duhet të jenë në shkollë 19 vjeç, zotëri, jo të bëhen gra! 19 vjeç është mosha e ëndrrave të mëdha se çfarë do bëhesh në jetë, ti e ke futur dhe e ke çuar në një fshat të Burrelit dhe ngre zërin para nesh!

Maliq: Ku janë vajzat e reja sot?

Eni Çobani: Janë në shkollë duke u shkolluar. Vajzat tuaja, vajzat e baballarëve si ty janë këtu me mua që kërkojnë fëmijët se ua ka mbajtur ai djali atje!

“Lindi djalin dhe e braktisi”, Erjona zë kokën me duar nga akuzat e vjehrrit

Erjona ka përfunduar në mes të katër rrugëve. Babai e martoi në moshën 16-vjeçare me shkuesi në një fshat të Burrelit, solli në jetë një fëmijë dhe në moshën 19-vjeçare është ndarë. Babai, Maliqi, të cilin e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq” nuk e pranon më në shtëpi sepse thotë që ndjek kanunin.

Ndërkohë Erjona nuk e sheh djalin e saj 1-vjeçar prej muajsh. Gjatë rubrikës së “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, mundësohet një lidhje direkte me ish-vjehrrin e saj, Avniun që akuzon Erjonën se ka qenë ajo që e ka lënë të voglin.


Avni: Unë prej 2 vjetësh kam kaluar jetë me ta. Se kush është Erjona Kastrati mund ta njihni vetë. Lindi një çun dhe prej 2 vjetësh e braktisi fëmijën dhe u largua nga fëmija.

Eni Çobani: Po si e braktisi fëmijën?

Maliq: Nuk e braktisi fëmijën zotëri!

E shokuar, Erjona zë kokën me duar.

Avni: E la në shtëpi.

Eni Çobani: Për ç’arsye? Erjona po të dëgjon, e ke prezent!

Maliq: Dua ta kem përballë!

Eni Çobani: Do ta sjellim edhe Avniun.

Avni: E ke ekzakt, unë nuk dal në derë për atë punë, e ke ekzakt. Iku në shtëpi,e dërgova në shtëpi.

Eni Çobani: Po si e dërgove, e shoqërove ti në shtëpi apo si?

Avni: Unë e kam shoqëruar.

Eni Çobani: E ke dorëzuar.

Avni: I kam dhënë certifikatën dhe u nisa për shtëpi. Fëmijën e kam në gjendje civile.

Erjona dënes nga deklarata e vjehrrit, Çobani: Dorëzoji djalin, s’të takon ta mbash!

Pas akuzave ndaj Erjonës se është ajo që e ka sjellë në jetë djalin dhe e ka lënë në moshën 1-vjeçare, ish-vjehrri i saj, Avniu që ndodhet në lidhje telefonike me rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, e konsideron edhe të paaftë për t’u kujdesur për fëmijën.

Ndërsa Eni Çobani e pyet se çfarë ka që nuk shkon me Erjonën, dëgjohet një ndërprerje e vogël dhe ai vazhdon bisedën me dikë. Menjëherë Erjona ngrihet në këmbë dhe thotë se “po e mëson vjehrra” e më pas  dëgjohet Avniu që thotë se nusja është e sëmurë me epilepsi. Kjo e bën Erjonën të shpërthejë në lot.

Gjatë telefonatës, Avniu pranoi se djali i tij, Lorenci që është babai i fëmijës nuk ndodhet në Shqipëri dhe djali po qëndron me gjyshërit, gjë që përbën kundravajtje penale.


Avni: Na epikrizën se e kam në kamera.

Eni Çobani: O zotëri të lutem! Epilepsia nuk është sëmundje mendore o zotëri! Me kë po flet ti? Mua më vjen shumë keq që një zotëri që ka ngrënë bukë me nusen e djalit dhe i ka bërë një djalë thotë publikisht që nusja është e sëmurë! Është shumë e rëndë dhe t’ju vijë zor nga vetja që flisni për vajzat në këtë formë! T’ju vijë zor nga vetja! Kaq po them! Këto gjëra nuk i vendos ti Avni! Nuk i vendos ti se kush është i sëmurë në Republikën e Shqipërisë! E vendos gjykata, e vendos mjekësia! Hap një gjyq! Më vjen shumë keq! Këtë  fjalë nga ty nuk e prisja! Kaq po ju them!

Avni: Dëgjo se kanë për të dalë fjalët e mia!

Eni Çobani: Se kur do të dalin fjalët e tua e vendos gjykata! Po të them edhe njëherë, dorëzoji djalin Erjona Kastratit! Zotëri, djalin e ke në Greqi, e ke thënë publikisht! Ty nuk të takon me ligj të mbash nipin se nëna është gjallë dhe është këtu! Dorëzoji djalin Erjona Kastratit! Po i bëj thirrje qytetit ku jeton, drejtorit të policisë, prokurorisë së qytetit tënd, po të them Avni, jepini fëmijën Erjona Kastratit!

Avni: Fëmija do të dorëzohet me vendim gjykate!

Eni Çobani: Jo zotëri, nuk e vendos ti vendimin e gjykatës! Ti do dorëzosh fëmijën dhe hap gjyq po qe!

Martesa nën 16 vjeç, Çobani: Gjëja më e rëndë që po përjeton shoqëria shqiptare! Alarm kombëtar!

Në fund të seancës së “Shihemi në Gjyq”, Maliqi vazhdon t’i qëndrojë besimit të tij te kanuni për  mos ta pranuar Erjonën në shtëpi. 19-vjeçarja u përball me të atin në rubrikën e së  “Dielës Shqiptare” në Tv Klan për martesën me mblesëri të kryer kur ajo ishte 16 vjeçe. Prej kësaj bashkëjetese sepse Erjona nuk ka celebrim, ka ardhur në jetë një djalë.

Bashkëjetuesi e ka nxjerrë nga shtëpia dhe djali i cili është ende i vogël, qëndron me gjyshërit që po e mbajnë pa të drejtë. Gjatë telefonatës në studio, vjehrri i Erjonës e akuzoi se ka qenë ajo që është larguar nga shtëpia si dhe e konsideroi të sëmurë.

Për gjithë këtë situatë, Eni Çobani pati një premtim ndaj Erjonës që ajo të ribashkohet me të birin ndërsa pati edhe një thirrje të fortë për shqiptarët.


Eni Çobani: Erjona e dashur, unë nuk të lë. Unë do ta çoj deri ën fund që ty të të jepet një ambient dinjitoz për të arritur për të marrë fëmijën tënd, për t’u puënsuar dhe për të pasur një jetë të lumtur krah djalit tënd. Këtë nuk e bën Eni Çobani pa ndihmën dhe mbështetjen e shqiptarëve prandaj i drejtohem kryetarit të bashkisë, me Erjona Kastratin do doja një zgjidhje të tillë sa më shpejt dhe Avni Hetaj, më dëgjo dhe njëherë, dorëzoji djalin 1 vjeç e 5 muaj nënës dhe më pas hap procese gjyqësore sa të duash dhe nëse ta jep gjykata, do të të shtrëngoj dorën, ta marrësh dhe prapë do t’i lejosh nënës për takimet e veta dhe me të gjitha të drejtat dhe detyrimet që ka.

Përndryshe zotëri ju do vazhdoni të ndiqeni penalisht nga ligji, por edhe njëherë, duhet të bëjmë një ligj të thelluar për baballarët që lejojnë fëmijët në moshë 16, 15 dhe 14 që të martohen. Është gjëja më e rëndë që po përjeton shoqëria shqiptare dhe kjo kërkon një ngritje kombëtare. Është alarm kombëtar që këto vajza të mos vijnë këtu, por këto vajza të shkollohen, djemtë të shkollohen, të marrin arsimin e duhur dhe t’i tregojnë prindërve që janë të zotë për veten.

“Të Panjohurit” – Marjana Myftari

/tvklan.al