#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim.

“Udha e Shkronjave”- METROPOL vs GAMA

“Kujdes shendetin”- Trajtimet e fundit onkologjike, Liv Hospital

Ka një mesazh për ty – Nëna e vërtetë e Dhuratës

“26 vite diferencë nuk e penguan mamin të dashurohej me babin që doli nga burgu për vrasje”

Në këtë puntatë të “Ka Një Mesazh Për Ty”, historia nuk vjen nga një e-mail në redaksinë e programit, por nga mesi i publikut të “E diela shqiptare” në Tv Klan. Dhurata është prej një viti pjesë e publikut të emisionit dhe historia e saj u zbulua krejt rastësisht. Shumë e emocionuar, ajo ulet në vendin e të ftuarit të parë të rubrikës dhe mes lotëve që e mbysin, nis të rrëfejë për jetën e saj.

Dhurata: Babai im ka bërë 30 vjet burg sepse kreu një vrasje. Doli nga burgu dhe u njoh me mamanë time, Dianën. Ajo ishte 24 vjeçe.

Ardit Gjebrea: Pra mamaja ishte 24 vjeçe, ndërsa babai?

Dhurata: Ai ka qenë më i madh në moshë.

Ardit Gjebrea: Sepse kur e kreu vrasjen sa vjeç ishte?

Dhurata: 20 vjeç.

Ardit Gjebrea: Dhe 30, i bie 50 vjeç, kështu që i bie gati 26 vjeç diferencë me mamin. Si u njohën?

Dhurata: U dashuruan me shikim të parë, pavarësisht se mamaja ime ishte e sëmurë.

Ardit Gjebrea: Çfarë kishte?

Dhurata: Depresion.

Ardit Gjebrea: Babi çfarë tipi ishte?

Dhurata: Nuk e kam njohur.

Ardit Gjebrea: Ah, ti nuk e ke njohur babin.

Dhurata: Fare. Ndjesë. Nuk kam jetuar fare.

Ardit Gjebrea: Po ti kur linde, vajte në shtëpi?

Dhurata: Jo.

Ardit Gjebrea: Po ku ndenje??

Dhurata: Në spital.

Ardit Gjebrea: Në maternitet?

Dhurata: Po. Nuk kishin mundësi të më mbanin.

Ardit Gjebrea: Ti ishe vajzë e vetme?

Dhurata: Po. Isha fëmija i parë.

“Kam fjetur në tualet”, Dhurata rrëfen dhunën sistematike nga kujdestarja: S’dua ta shoh me sy

Dhurata, e cila prej një viti është pjesë e publikut të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, ka rrëfyer historinë e jetës së saj të vështirë në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Babai i saj, një ish i burgosur për 30 vite për një vrasje, u dashurua me nënën e vajzës, e cila asokohe ishte 24 vjeç dhe vuante nga depresioni.

Kur erdhi në jetë Dhurata, prindërit nuk kishin mundësi ta mbanin dhe e lanë në maternitet vajzën e tyre të vetme dhe fëmijën e tyre të parë. Dy vite më vonë, lindi vëllai i vogël i Dhuratës, i cili po njësoj si e motra, ndenji në spital e më pas u dërgua në jetimore. Kur kujton kohët në jetimore, Dhurata nis të dridhet e të lotojë.

Ardit Gjebrea: Si ishte jeta jote aty, ma trego pak?

Dhurata: Me kujdestaren e parë që kam pasur, nuk ka qenë e mirë.

Ardit Gjebrea: Pse?

Dhurata: Kam pasur dhunë. Kam fjetur në tualet.

Ardit Gjebrea: Po pse nuk tregoje?

Dhurata: Po se na rrihte. Edhe kur kam lajmëruar drejtorin nja dy herë, kisha frikë t’i tregoja sepse kur ikte drejtori, vazhdonte avazin.

Ardit Gjebrea: Po mami me babin vinin të të shikonin ndonjëherë?

Dhurata: Vinin më shikonin, por ka pasur raste që nuk i dilja.

Ardit Gjebrea: Pse?

Dhurata: Po se s’i doja.

Dhuna nga kujdestarja vazhdoi nga klasa e parë deri në të katërtën për Dhuratën, por gjithçka ndryshoi gjatë pushimeve verore dhe për të ishte dita më e lumtur.

Dhurata: Ishim në shkollën e Marinës, bënim plazh dhe u ankuam te dy drejtorët e institucionit dhe ishte moment më i bukur i jetës time kur e larguan. Në atë moment ka qenë edhe një kujdestare që erdhi pasi u largua kujdestarja e parë, që e kam ftuar sot.

Ardit Gjebrea: Kë ke ftuar, të parën apo të dytën?

Dhurata: Të dytën.

Ardit Gjebrea: Pse nuk ftove të parën?

Dhurata: Se s’dua ta shoh me sy.

“M’u shemb bota”, vajza kujton jetën me prindërit pas jetimores:Babai më dhunonte, më mbante mbyllur

Jeta në jetimore e Dhuratës, e cila po rrëfen gjithçka në “Ka Një Mesazh Për Ty”, nisi të ndryshonte sapo u largua kujdestarja që e dhunonte. Së bashku me vëllain, për 4 vite, Dhurata vuajti nën një tutelë dhimbjeje e terrori. Historinë e saj e kanë ditur vetëm dy mikeshat e saj të ngushta, ndërsa sot vendosi ta ndajë në programin “E diela shqiptare” në Tv Klan.

Deri në moshën 18-vjeçare, me shumë përpjekje, Dhurata mundi të qëndronte në jetimore, por më pas duhej të largohej patjetër. Zgjidhja që i erdhi ishte të qëndronte me prindërit e saj, të cilët e braktisën qëkur lindi duke e lënë në maternitet. Përgjatë viteve ata e vizitonin, por Dhurata nuk kishte kurrfarë ndjesie për njerëzit që e kishin sjellë në jetë. Megjithatë, u detyrua të shkonte në shtëpinë e tyre, thotë me një buzëqeshjeje, pas të cilës lexohet dhimbja.

Ardit Gjebrea: E thua me një lloj buzëqeshjeje. Ishte e lumtur jeta me babin?

Dhurata: Tmerr. M’u shemb bota. Nuk kishte kushtet siç isha rritur.

Ardit Gjebrea: Pra, ti ishe më mirë në atë institucion sesa në shtëpi me babin?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Si sillej babi me ty?

Dhurata: Më dhunonte. Siç sillej me mamin, që e mbante mbyllur, më mbante dhe mua.

Ardit Gjebrea: Pra ishit të dyja të mbyllura në shtëpi?

Dhurata: Po. Saqë merrja në telefon, kam pasur telefon sepse edhe studioja kur isha te prindërit sepse s’doja të shkëpusja studimet dhe nuk i shkëputa.

Ardit Gjebrea: Mami u shërua apo vazhdonte e sëmurë?

Dhurata: Jo, vazhdon akoma. Pavarësisht se babai ka ndërruar jetë, nuk jeton më.

Ardit Gjebrea: Dhuna e babait me siguri ka ndikuar edhe në shëndetin e mamit, apo jo?

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Ndërkohë ti, jo vetëm që shikoje dhunën e babait ndaj nënës, por edhe ti vetë dhunoheshe.

Dhurata: Po.

Ardit Gjebrea: Cili ishte motivi që një baba mund të dhunojë një vajzë?

Dhurata: Se donte gjatë gjithë kohës që ta laja, ta pastroja, të kujdesesha për të, kupton? Unë nuk e ndieja.

Ardit Gjebrea: Shiko që të kujdesesh për prindin nuk është keq.

Dhurata: Nuk është keq, po kur ka qenë ai për mua kur kam pasur unë nevojë? Prind nuk është ai që të lind, prind është ai që të rrit.

U rrit në jetimore, Dhurata falenderon nëna Donën: Kam ikur nga ty, por të kam në zemër

Në “Ka Një Mesazh Për Ty”, Dhurata ka ftuar Donikën ose siç e quan ajo, nëna Donën. Në historinë e dhimbshme që ndau në këtë pjesë të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, nëna Dona ka qenë mburoja dhe streha e sigurt e Dhuratës.

Të dyja u njohën kur Dhurata jetonte në jetimore, e trembur, e dhunuar dhe Donika nisi ta rriste e ta mbronte. Ajo i qëndronte pranë për mësimet, e trajtonte me dashuri, të vetmen dashuri që Dhurata kishte njohur në jetë.

Më pas, kur ajo shkoi te prindërit, ku babai e rrihte ndërsa nëna vijonte të ishte në depression e të mos ishte prezente, Donika i blinte veshje, i jepte para, ishte veç një telefonatë larg. Sot, Dhurata është 30 vjeçe, është martuar, ka një djalë 6 vjeç e një jetë të lumtur, por ka një mesazh për njeriun që e konsideron gjysmën e saj.

DhurataTë falënderoj për çdo gjë që ke bërë për mua. Që më je gjendur pranë në çdo moment të mirë, të keq. Dua të dish një gjë. Që vërtet kam ikur nga ty, por dije që të kam në zemër.

Donika: Edhe unë ty të kam shumë në zemër.

DhurataNuk do ta harroj kurrë.

Donika: Dhe të kam thënë në çdo moment bjeri telefonit në çdo hall dhe problem që të kesh. Edhe pse ka ikur nga mua, të dua pafund.

Dhurata: Edhe unë.

Ka një mesazh për ty – Premtimet e Alketës për vjehrrën

Nusja e “dashuruar” me vjehrrën kujton takimin e parë: Më kapi dhe përkëdheli dorën

Alketa, e ftuara e dytë në “Ka Një Mesazh Për Ty” duke thyer një tabu të madhe sepse është një nuse që ka ardhur për vjehrrën e saj. Ajo tregon në këtë rubrikë të programit “E diela shqiptare” në Tv Klan se me vjehrrën u “dashurua” 9 vite më parë, ndërsa bashkëshortin e ka njohur me shkuesi.

E ndodhur në një gëzim familjar, Alketa ndodhej e ulur mes vjehrrës dhe kunatës së ardhshme. Ajo kujton momentin e parë kur ndjeu një ngrohtësi të papritur prej saj dhe vendosi t’i rrëfente për veten, duke e “trembur” pak.

Alketa: Vjehrra më kap dorën dhe më përkëdhel në dorë dhe thoja me vete, uau, kjo është vjehrra që dua. Dhe aty shtang menjëherë dhe them me vete të gjithë të vërtetën se si jam si vajzë.

Ardit Gjebrea: Cila je ti si vajzë?

Alketa: Unë jam vajzë çikë rebele, nuk e di, jam shumë e egër edhe si rebele edhe si… në të gjitha format.

Ardit Gjebrea: Por nuk ia the vjehrrës që ditën e parë? Nuk e trembe?

Alketa: Jo, nuk ia thashë, por e tremba në njëfarë forme tjetër.

Ardit Gjebrea: Për shembull?

Alketa: Për shembull, i thashë unë si vajzë zgjohem në orën 10 të drekës, kur bëj punët nuk dua asnjë në shtëpi. Dua të kem televizorin dhe shtëpinë të gjithën për vete sepse e ngre në kupë të qiellit televizorin.

Ardit Gjebrea: Më fal, ia the në momentin e parë vjehrrës?

Alketa: Po, që në momentin e parë.

Ardit Gjebrea: Sapo e takove?

Alketa: Sapo e takova.

Vjehrra u diagnostikua me kancer gjiri, nusja: Është heroina e gjithçkaje, e përballoi situatën vetë

Një nuse që ka ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty”, rubrika e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, po tregon dashurinë që ndien ndaj vjehrrës së saj. Alketa thotë se vjehrra e saj është gjithçka, ajo e thërret “mama” sepse ndihet sikur është vajza e saj.

Sipas saj, vjehrra i është gjendur pranë dhe e ka ndihmuar për shumë gjëra, është kujdesur për të dhe kjo është arsyeja pse ajo dëshiron ta falenderojë.

Alketa: Unë sot e kam ftuar për ta falënderuar. Ajo ishte heroina e gjithçkaje. Në vitin 2021 më vdiq im atë dhe ajo më qëndroi shumë pranë që ta kaloja këtë gjë. Ajo ishte diagnostikuar dhe me Covid, kaluam shumë, shumë peripeci të ndryshme, disfata të ndryshme.

Më pas, shtatzënia me vajzën që kisha, erdhi shumë e lodhshme, me shumë probleme. Madje kur kam lindur vajzën më 27 Qershor 2021 u detyrova të bëj një operacion të dytë brenda po këtij muaji për faktin sepse e gjithë zona e barkut kishte marrë një infeksion. Dhe ishte ajo që më tha “çohu të vizitohesh” sepse vuaja dy javë e gjysmë me një temperaturë 39 e gjysmë, me ethe dhe vetëm ajo ishte principi që të më çonte për të më vizituar, për të bërë një vizitë te mjeku. Edhe pse unë isha personel shëndetësor, ajo më thoshte “ti nuk mendon për vete, mendon më shumë për të tjerët”. Arrita  të operohesha, ajo qante më shumë se ç’qaja unë për veten time. Unë qaja më shumë për atë dhe fëmijët e mi që kisha lënë përkrah saj sepse thoja me vete ajo do lodhet, fëmija është i vogël, shumë gjëra.

Alketa është nëna e dy fëmijëve, një djali e një vajze.

Alketa: Pikërisht pas disfatave që kaluam pas operacionit të lindjes time të vështirë, mami diagnostikohet me kancer të gjirit.

Ardit Gjebrea: Mami i thua vjehrrës apo jo?

Alketa: Po.

Ardit Gjebrea: Po si i thërret mamit?

Alketa: Mami i thërras dhe asaj, edhe ajo është shumë e mirë, madje po të ishte afër meje edhe ajo do bënte siç bën mami im, siç bën vjehrra.

Ardit Gjebrea: Na bëre çorap, siç bënte mami, po të ishte mami, siç bënte mami. Atëherë, cila është kush?

Alketa: Dhe mami im, do bënte të njëjtën gjë siç bën dhe vjehrra. Ajo u diagnostikua me kancer të gjirit, arriti ta përballojë të gjithë situatën vetë. Madje ne të gjithë si familje nuk ishim të fortë që t’i jepnim kurajo asaj, ajo na dha kurajo neve. Do të them diçka thotë, nëse deri sot keni bërtitur shumë, sot do të bërtisni më pak. Nëse deri më sot keni dalë 100 herë, sot do dilni vetëm 1 herë. Nëse deri sot keni harxhuar më shumë, do harxhoni më pak.

Sepse vjehrrën time, kështu thotë gjithmonë, e ka huqin ta thotë për mua, “i ke të gjitha të mirat si nuse po vetëm ul zërin se jemi në pallat, nuk jemi në shtëpi private ku nuk të dëgjon asnjeri, kështu”. I them o ma, po ky është toni im, nuk është se dua unë që ta ngre zërin. “Po 9 vite s’u mësove me mua duke të thënë 100 herë, ule zërin, ule zërin?” Dhe prandaj unë sot do ia them këtë gjë, që ta premtoj që do e ul zërin.

“Do ul tonin e zërit si dhe faturat e ujit e dritave”, vjehrrit e presin me batuta premtimin e nuses

“Mami” dhe “babi” i Alketës, që në fakt janë vjehrri dhe vjehrra e saj, janë njerëzit që ajo ka përzgjedhur për të ftuar në “Ka Një Mesazh Për Ty”. Më herët, ajo tregoi në rubrikën e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan për marrëdhënien e veçantë që ka me ta, sidomos me vjehrrën, Nadiren.

Me të zihet për tonin e zërit pasi përveçse e ka të lartë, vjehrra nuk duron kur i bërtet djalit të vogël. Ndërsa me vjehrrin grindjet janë për shpenzimet sepse ai e akuzon që ajo nuk kursehet shumë.

Arsyeja kryesore pse Alketa i ka ftuar është situata e vështirë shëndetësore që kaloi vjehrra me kancerin e gjirit. Përveç mirënjohjes, Alketa dëshiron t’i japë edhe një premtim dy të çmuarve të saj.

Alketa: Mami, babi, tani unë më ty zihem gjithmonë “vetëm toni i zërit ule, 9 vite s’u mësove duke ulur tonin e zërit”. Ndërsa me ty bushi zihemi sepse harxhoj shumë, fatura e dritave, fatura e ujit… Dhe sot, mbi të gjitha, kam ftuar mamin për vetë faktin se nuk kam qëndruar fare pranë jush ose pranë mamit për ta përballuar gjithë atë stuhi që kishim me mamin, por falë Zotit kaloi gjithçka dhe me forcën tënde arrite t’ia dalësh mbanë çdo gjëje duke na dhënë forcë madje edhe neve, jo vetes tënde dhe sëmundjes tënde, por mbi të gjitha ishte edhe babi përkrah që na dha ndihmë në çdo gjë. Të paktën më duroi mua në shumë gjëra dhe ti e di. Dhe sot ju premtoj që zërin do e ul pak. Madje edhe atë pjesën e faturës së dritave ose të ujit, çikë më pak.

Pëllumb: Faleminderit.

Nadire: Ishalla.

Alketa: Do e rregullojmë.

Shihemi në gjyq/ Gazmendi refuzon emrin shqiptar

“Hajde të përqafoj o bir”, djali refuzon të takoj nënën se i vuri emrin Gazmend

Në seancën e sotme të “Shihemi në Gjyq” te “E Diela Shqiptare”, në Tv Klan u përballën nënë e bir, arsyeja për këtë është emri që nëna i ka vënë djalit. Ajo e ka quajtur djalin e saj Gazmedt, por ky emër duket se i ka sjellë shumë probleme djalit të saj. Ai është ndier i bullizuar nga shokët për shkak se emri Gazment në greqisht ngjason me kazmën, ndaj ai ka dashur ta ndryshojë.

Luljeta e thirri djalin e saj në një seancë ndërmjetësimi për shkak se ky i fundit prej 5 vitesh nuk i flet vetëm për shkak të emrit që ajo i ka vendosur. E pyetur nga djali se përse e ka sjell këtu, nëna i afrohet djalit dhe mes lotësh i kërkon ta përqafojë. Por ky i fundit e refuzon duke i thënë se do e përqafojë kur të mund të ndryshojë emrin.

Eni Çobani: Luljeta e dashur! Ke qarë shumë, ne të dyja jemi takuar shpesh, por ka qenë fat i madh që më në fund, djali juaj pranoi të vinte përballë dhe pse jo edhe të shikonte pas kaq shumë vitesh. Luljeta të falënderoj shumë që më ke bërë pjesë të kësaj problematike dhe uroj shumë që Gazmendin ta dëgjojmë çfarë problemi ka dhe të dyja së bashku, si dy nëna t’i japim një zgjidhje. Kështu që kokën lart, shikoje në sy. Ai besoj se në këto 5 vite është bërë akoma më i madh.

Gazmenti: Zonja Eni, më falni një minutë, po bëra ndonjë gabim me shqipen, ngaqë kam ikur shumë i vogël në Greqi do flas ndonjëherë në greqisht, se nuk i di të tëra llafet. Më falni, të gjithë! Doja të pyesja mamanë time. Pse më ka sjellë këtu?

Eni Çobani: Pse 5 vjet nuk është e mjaftueshme, për 5 vitet që ti nuk e shikon nënën? Unë do doja të ishe më i qetë, jo kaq i mërzitur sa të shikoj se ke përballë nënën. Jo ndonjë shoqe, por ke përballë nënën tënde.

Gazmenti: Mamaja ime e di çfarë kam hequr unë në tërë këto vite që në ‘97.

Luljeta: Më lër të të përqafoj o bir!

Gazmenti: Jo.

Luljeta: Më jep dorën të paktën.

Gazmenti: Kur të mundem që të ndryshoj emri. Se kaq vite… kam që në ’97 e deri tani që më tallin shokët me këtë emër që më keni vënë. Nuk e di kush e vuri, por unë kam probleme në jetën time.

“Më thoshin Gazma, Gizmet, emra turk”, Gazmendi kujton bullizimin, nëna: Po ç’faj kam unë?

Emri që Luljeta i ka vendosur djalit të saj është arsyeja pse ai prej 5 vjetësh nuk flet me nënën e tij. Sot ajo e ka sjellë në “Shihemi në Gjyq”, takimi i tyre i parë në kaq kohë po ndodh në studion e programit “E diela shqiptare” në Tv Klan, pasi edhe në vendin ku jetojnë, në Greqi, qëndrojnë në qytete të ndryshme.

Emri Gazmend është kthyer në “makthin” e djalit që prej fëmijërisë kur kanë emigruar në Greqi. Në vendin fqinj, emri i tij shqiptohet ndryshe dhe do të thotë “kazmë”, ndaj ai është bullizuar shpesh.

Luljeta: Lind ai, kisha dy fëmijët, kam edhe një gocë, edhe djalin. Në kohën e trazirave, në ’96-ën, ’97, për t’i shpëtuar fëmijët si shumë shqiptarë të tjerë, morëm fëmijët dhe kam ikur malit me një fëmijë në sqetull dhe një në dorë.

Eni Çobani: Deri në ‘97 ku ke jetuar?

Luljeta: Në rrethin e Lushnjes.

Eni Çobani: Në rrethin e Lushnjes, pra, po.

Gazmend: Qëkur ikëm atëherë që isha i vogël, 6 për vjeç, kisha problem. Që me shokët, sa u futa në klasën e parë që në muajt e parë, se brenda 4-5 muajve e flisja greqishten shumë mirë atëherë, isha i vogël, e mësova kollaj.

Eni Çobani: Po, sigurisht, se fëmijët e kapin më shpejt gjuhën e huaj.

Gazmend: Fëmijët edhe kur isha në klasë, në mësim, si i thonë… në pushim, qeshnin.

Eni Çobani: Po, e kuptoj që ti ke vështirësi për të folur, mos ki problem se ne të kuptojmë.

Ardit Gjebrea: Qeshnin me ty?

Gazmend: Po, me emrin që kam. Thoshin të të thërrasim më mirë Gazma, e kemi më kollaj neve. Çdo njeri, mësuesit thoshin njëherë Gazma, tjetri Gizmet, tjetri Gazmend… thoshin emra turk, unë e kisha problem. Edhe sot e kësaj dite, nuk mund t’i them njeriu këtë emër se qesh.

Luljeta: Po ç’faj kam unë moj zonja Eni?

Gazmendi shpjegon se e njëjta histori u përsërit edhe kur ai ndoqi ushtrinë pasi i kërkonte eprorëve të mos e shqiptonin emrin e tij. Aktualisht, në Greqi emri i tij i pagëzimit është Panajot, emër të cilin dëshiron ta ketë edhe në Shqipëri.

“Më tallin shokët për emrin”, Gazmendi shpjegon kuptimin në greqisht: Është kazmë

Prej fëmijërisë që ai është shpërngulur në Greqi, Gazmendi tregon se emri i tij shqiptar ka qenë një problem shumë i madh në jetën e tij. Në “Shihemi në Gjyq” nga “E diela shqiptare” në Tv Klan ai shpjegon se është bërë objekt talljeje sepse i shqiptuar greqisht, emri merr një kuptim tjetër. Ky kuptim është përdorur shpesh si fyerje ndaj tij.

Gazmend: Kam që në ’97 që mundohem e deri tani më tallin shokët e shumë njerëz të tjerë me këtë emër që më keni vënë. Nuk e di kush e vuri, unë kam probleme në jetën time, nuk po kërkoj ndonjë gjë të madhe.

Eni Çobani: Të lutem. Emri për të cilin neve flasim sepse t’u drejtuam dhe më parë, është një nga emrat më të bukur shqiptarë se duhet të jemi tani të pastër dhe të drejtpërdrejtë se po na ndjek një publik shumë i madh. Emri yt është Gazmend.

Gazmend: Kemi një problem me këtë emër se ky emër në Greqi shqiptohet, si ta them se nuk e di si ta them shqip, thuhet me një emër tjetër grek që nuk është emër i bukur dhe unë e kam problem në jetën time.

Ardit Gjebrea: Nuk është emër i bukur?

Eni Çobani: Pra shqiptimi i emrit Gazmend?

Gazmend: Po.

Ardit Gjebrea: Si shqiptohet?

Gazmend: Është njëlloj me emrin Gazmas.

Ardit Gjebrea: Ça është Gazmas në greqisht?

Gazmend: Është kazmë.

Luljeta: Po ç’faj kam unë të keqen nëna për atë emër? Unë jetoja në Shqipëri, s’jetoja në Greqi.

Prezantimi i aktores Ornela Muti, Ardit Gjebrea: Kisha një siklet të jashtëzakonshëm

Ndërsa Luljeta ndan në “Shihemi në Gjyq” dhimbjen e saj se i biri, Gazmendi shtyn diplomimin për shkak të turpit që ndien nga emri i tij, Ardit Gjebrea kërkon mirëkuptim. Moderatori i programit “E diela shqiptare” në Tv Klan kujton një episod të sikletshëm të lidhur me emrin e një të ftuare.

Gjebrea shpjegon se diçka e tillë ndodhi vetëm njëherë dhe ai mundi ta kalonte për shkak të të qenurit artist, por e njëjta gjë nuk është e lehtë për Gazmendin, i cili jeton në një vend tjetër dhe emri i tij është objekt i përditshëm talljeje.

Ardit Gjebrea: Duhet ta mirëkuptojmë zonja Eni sepse çështja e emrit… ne e kemi shumë kollaj dhe secili nga ne që të thotë Gazmend, nuk ka asnjë problem.

Gazmend: Për juve po, por unë jetoj në Greqi.

Ardit Gjebrea: E di dhe unë të mirëkuptoj sepse të njëjtin problem kam patur unë kur kam patur të ftuar Ornela Mutin, aktoren e madhe në skenë dhe për ta prezantoja kisha një siklet të jashtëzakonshëm se si do ta prezantoja? Sigurisht që e prezantova, por kisha merakun e spektatorëve se mund të qeshnin, se mund të bënin dhe kjo mua më ndodhi vetëm njëherë në skenë. Okej, unë jam artist, e bëj dhe publiku është i kulturuar dhe e kupton, por imagjinoni Gazmendin 25 vite të jetojë përditë me këtë ndjenjë si do ta thërrasin, si do tallin, si do bëhen…

Eni Çobani i kërkon një premtim Gazmendit: Ju jap… si quhet shqip?

Ndërmjetësja e “Shihemi në Gjyq”, Eni Çobani shpjegon në fund të rubrikës së “E diela shqiptare” në Tv Klan se si do veprohet me rastin e Gazmendit. Djali kërkon të ndryshojë emrin pasi në Greqi përdoret si tallje ndaj tij, ndonëse në shqip nuk ka nota të tilla.

Çobani shpjegon se në bazë të ligjit, janë 62 emra që Instituti i Albanologjisë i ka dorëzuar gjykatës, të cilët nuk lejohen t’iu vendosen fëmijëve dhe emri Gazmend nuk i përket listës. Ndërrimi i emrave në gjendjen civile nuk bëhet si më parë pasi për shkak të ndërrimit të emrit në rastet kriminale, është kufizuar kjo e drejtë.

Mbi ligjin shqiptar, qëndron Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut, e cila në rastin kur dikush dëshiron të ndërrojë emrin për arsyet e veta, e garanton këtë të drejtë.

Eni Çobani: Atë që më ka dhënë tani djali, do t’ia jap një njohësi të mirë të gjuhës greke dhe do t’i kërkoj atij interpretimin e kësaj dhimbjeje të këtij djali dhe në qoftë se kjo është kështu, unë i drejtohem të gjithë kolegëve të cilët më dëgjojnë në këto momente, pa shkelur ligjin, në respekt të ligjit, por me dashurinë për respektin dhe dinjitetin e gjithsecilit, ai djalë ka të drejtë të ndyrshojë emrin e tij.

Ardit Gjebrea: Unë ça faji kam?

Eni Çobani: Dhe nëse ky emër, sjell të tilla probleme në gjendjen psikologjike të tij, neve patjetër që këtë të drejtë duhet t’ia japim. Gazmendit që ju i thoni Gazmas në Greqi, t’ia themi dhe ligjit shqiptar dhe zotërinjve që do marrin këtë vendim dhe që kjo gjë të ndryshojë rast pas rasti, pra unë nuk jam që kjo gjë të lirohet, të lutem, ky është rast specifik.

Luljeta, nëna e Gazmendit shpjegon se edhe ajo vetë është bërë objekt ofendimesh sepse Luli në greqisht do të thotë “e çmendur”, por nuk e ka përjetuar njësoj. Megjithatë, Eni Çobani i premton Gazmendit se do ta ndihmojë, ama ka një kërkesë për të.

Eni Çobani: Ligjvënësi e ka ligjin aty prej dy vitesh dhe ne kërkojmë vetëm që të merret e të diskutohet. Zgjidhja është aty brenda, por Gazmendit i them një gjë. Gazmend i dashur unë do të marr përispër të shpreh dhimbjen tënde dhe të bëj zgjidhjen, të cilën do ta bëj në bazë të ligjit, bashkë me kolegët e nderuar. Ti do më premtosh një gjë publikisht: që do fillosh të flasësh shqip më mirë.

Gazmend: Do filloj. Ju jap… si quhet shqip…

Ardit Gjebrea: Si quhet shqip, ju jap fjalën.

Gazmend: Fjalën.

Eni Çobani: Fjalën pra fjalën.

E Diela Shqiptare – “Kënga Magjike”

Nuse apo engjëll?  Mariza Ikonomi: Secili e shikon në këndvështrimin e vetë

Mariza Ikonomi,  prej 25 vitesh në skenë, vjen sërish në “Këngën Magjike”. Ajo ka  qenë  pjesëmarrëse që në edicionet e para të këtij festivali ku ka marrë pjesë 7 herë, këtë herë ajo vjen me një këngë dedikuar nënave.

“Mama” titullohet kënga e saj të cilën ajo do e performojë e veshur me një fustan të bardhë. Pikërisht fustani e  bëri Ardit Gjebrean “ta ngacmonte” këngëtaren duke e pyetur, “po dhëndrin ku e kemi?” Me të qeshur Mariza ka treguar se në fakt ajo është veshur si një engjëll, por secili e shikon sipas mënyrës së vet.

Ardit Gjebrea:Kanë kaluar 22 vite që nga hera  e parë që ka qenë në Këngën Magjike. Erdhi në vitin 200 dhe më pas 6 herë të tjera në “Këngën Magjike”. Ajo  është vlerësuar me shumë çmime ndër vite, le ta mirëpresim Mariza Ikonomi. Uau, uau! Po dhëndrin ku e kemi?

Mariza Ikonomi: Unë në fakt kam ardhur si engjëll, pastaj secili e shikon në këndvështrimin e vet.

Ardit Gjebrea: Unë e shikoj si dua unë të ndodhi.

Mariza Ikonomi: Unë e shikoj si engjëll.

Ardit Gjebrea: Renditesh ndër kampionet e pjesëmarrjeve në “Këngën Magjike”, cilën pjesëmarrje në vite  do  të veçoje?

Mariza Ikonomi: Do veçoja 2002-shin ku mora pjesë me këngën “Piano e vjetër”, ajo këngë sado ikin vitet, ajo mbetet si vera e vjetër që bëhet më e mirë, dhe unë e dua “Këngën Magjike” dhe më vjen mirë që rikthehem në këtë festival që më ka dhënë edhe suksesin.

Ardit Gjebrea: Një dedikim për mamatë. Si u mbrujt ideja e kësaj kënge?

Mariza Ikonomi: E kisha në mendje prej kohësh që të bëja një këngë për mamanë time. Merrja kitarën, por më dilte si ninullë. Pastaj thashë vërtet mamatë janë të brishta, por kanë edhe një forcë uragani që unë patjetër do e bëj këtë këngë për mamanë time, por do jetë edhe ndryshe. Pastaj shkova te kompozitori Endrit Shani, i cili vërtet kur dëgjova këngën, muzikën, u emocionova shumë, pastaj pena e artë e Pandi Laços i vuri vulën.

Një “Mall” i Sheila Haxhiraj, çfarë i ka munguar këngëtares?

Ajo ka bërë një mungesë  9-vjeçare në spektaklin “Kënga Magjike” në Tv Klan dhe tani kthehet me këngën “Malli”. Sheila Haxhiraj është një këngëtare dhe kompozitore e njohur shqiptare e cila që e vogël ka marrë  pjesë në shuam konkurse për të treguar talentin e saj në muzikë. 

Përveç muzikës, Sheila ka edhe një talent dhe pasion tjetër, aktrimin, gjë që e bëri të spikatej dhe ftohej nga regjisorë të ndryshëm për të qenë protagoniste si aktore në filmat e tyre. Deri më tani Sheila ka marrë pjesë në dy filma të njohur shqiptarë “Fluturim Pasioni”, “Tirana 14” dhe së fundmi në shfaqen teatrale “Dita më e bukur”.

Por për çfarë e ka marrë malli Sheilën që po i dedikon këngën “Mall”?

Ardit Gjebrea: Një mungesë 9 -vjeçare.

Sheila Haxhiraj: Shumë mall, për këtë skenë, për këtë publik, më bëhet shumë qejfi që u riktheva pas 9 viteve.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndryshimesh kanë ndodhur pas 9 vitesh?

Sheila Haxhiraj: Shumë progrese në karrierë.

Ardit Gjebrea: Po nga dashuria?

Sheila Haxhiraj: Edhe në dashuri, sigurisht në jetën personale, por të flasim më mirë për karrierën.

Ardit Gjebrea: Edhe këngën malli e ke titulluar. Për çfarë të ka marrë malli?

Sheila Haxhiraj: Më kishte marrë malli për “Këngën Magjike”.

Ardit Gjebrea:  Edhe ne për ty, po tjetër? Të merr malli për fëmijërinë?

Sheila Haxhiraj: Herë pas here po. Ndoshta ngaqë është jeta shuam e vrullshme, na kaplon rutina dhe ndonjëherë harrojmë edhe mallin e fëmijërisë. Por shpeshherë po./tvklan.al