#EDielaShqiptare nga #ArditGjebrea prej vitit 2008 në #TvKlan, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare çdo të dielë. Një program i cili përfshin një fashë orari maratonë, prej 6 orësh transmetim. #hyqmet#oriongliozheni#kocogliozheni#nene#rrezik#cameri#falenderi m#lindje#arditgjebrea#program

Vajza e sapolindur vdiq pas një jave, djali rrëfen sakrificën e nënës: Pranoi të shkëmbente jetën e saj për timen

Historia e Hyqmetit, siç shprehet ai në “Ka Një Mesazh Për Ty”, është e dhimbshme dhe shumë dramatike. Prindërit e tij janë nga Filati i Çamërisë, ndërsa vetë ka lindur në Tiranë. Hyqmeti e nisi rrëfimin e tij për rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan me jetën e prindërve. Nëna e tij mbeti jetime në moshën 13-vjeçare. Në vitin 1942 u martua me babain e Hyqmetit, por pas një viti e gjysmë ai u internua në kampin nazist të Mauthauserit.

Për dy vite, nëna e Hyqmetit nuk dinte asgjë për të shoqin. Pas dy vjetësh ai rikthehet dhe u gjend përpara dilemës, të kthehej te e ëma në Stamboll apo te bashkëshortja në Delvinë. Fitoi zemra dhe u kthye te bashkëshortja duke i sjellë asaj gëzimin më të madh. Çifti vendosi që të linte Delvinën  dhe të shpërngulej në Peqin, por jeta kishte rezervuar sprova përpara se t’i bekonte me një fëmijë.


Hyqmet: Atje lindi fëmija i parë se një çift i ri do trashëgimtarë. Lindi fëmija i parë, një vajzë e bukur por që një javë jetoi. Një trishtim i madh për nënën dhe babanë. Pse ishte trishtim për nënën? Sepse motra e saj, më e madhja bëri 9 fëmijë dhe nuk i rroi asnjë nga fëmijët, fatkeqësi e madhe!

Ardit Gjebrea: Dhe mendoi se mos ishte diçka që vinte në familje.

Hyqmet: Pyeti një nga njerëzit e familjes ku ishim të futur me qira dhe i thotë që “ti do ta çosh Nailen, në Tiranë ka një doktor shumë të mirë, quhet Koço Gliozheni”.

Ardit Gjebrea: I famshmi!                                                              

Hyqmet: I  famshmi Koço! Vjen në Tiranë te disa njerëz të vet, me njohje e çon te materniteti se u bënë 10 vjet pa fëmijë. Dëshira e madhe e një nëne për të pasur një fëmijë, më në fund vjen fati i madh, shtatzënë, duhet të lindte por doktori i thotë që “ajo duhet të shtrohet këtu në Tiranë”. Vjen momenti, 2-3 ditë përpara, vjen doktori, alamet burri, me prezencë, me autoritet, ai kishte emrin e madh, kishte edhe punën e madhe, profesionin e madh, mjeshtërinë e madhe por kishte edhe zemrën e madhe!

Ardit Gjebrea: Çcfarë i thotë nënës?

Hyqmet: “Zonjë, si je? Mirë. E di ti që me  lindjen e këtij fëmije ti rrezikon jetën tënde? Doktor, nuk e di, por fëmija si është? Fëmija është mirë, thotë. Le të vdes doktor”, thotë. Hapi sytë doktori.

Ardit Gjebrea: Për veten e saj.

Hyqmet: Po. Si mund të thotë një grua të vdes se do lindë fëmijën? “Po pse kërkon ta bësh një sakrificë të tillë? E bëj për burrin”, tha, “edhe për veten, por e bëj në radhë të parë për burrin. Pse?”, tha. “Po burri im ka qenë i internuar në Gjermani dhe kur erdhi një Janinë nuk shkoi te nëna e vet në Stamboll se u prish Çamëria dhe erdhi më gjeti mua se jam grua pa vëllezër, kam mbetur jetime”.

Ardit Gjebrea: E paparë!

Hyqmet: “Edhe një motër që kam, i lindën fëmijët dhe i vdiqën. Nuk dua ta lë pa fëmijë”.

Ardit Gjebrea: Domethënë ishte kjo sakrifica që ai erdhi tek unë dhe e bëri të tijën, tani unë do t’i jap një fëmijë dhe ai le të shkojë te nëna, me fëmijë. Sa bukur!

Hyqmet: Po. Dhe profesioni i një doktori, një gjinekologu është i tillë që t’i japë jetë fëmijës, t’i japë jetë nënës.

Ardit Gjebrea: Dhe si përfundim?

Hyqmet: Linda unë më 7 nëntor.

Ardit Gjebrea: Dhe nëna?

Hyqmet: Iu gëzua fëmijës dhe fëmija iu gëzua nënës.

Ardit Gjebrea: Dhe jetuan të dy!

“O djali, o ti”/Gjebrea ndan historinë që e bashkon me Hyqmetin

Pas transmetimit të insertit ku dr. Orion Gliozheni merr ftesën për të ardhur në “Ka Një Mesazh Për Ty” që ai e pranon me shumë kënaqësi, pati një moment shumë special. Moderatori i programit “E Diela Shqiptare” në TV Klan, Ardit Gjebrea vlerësoi punën e bluzave të bardha por ndau edhe një episod personal.

Njësoj si Hyqmeti i cili është ai që ka ftuar dr. Orionin pasi babai i tij, Koço Gliozheni ka bërë të mundur që ai dhe nëna të tejkalonin lindjen e vështirë dhe të jetonin. Gjebrea rrëfeu se edhe historia e tij është e njëjtë me Hyqmetin pasi nëna e tij u gjend përpara rrezikut për jetën, por fatmirësisht të dy shpëtuan.


Ardit Gjebrea: Kam patur fatin, them kam patur fatin ta takoj. Ne në fakt na shkruajnë shumë por shumë pacientë nga më të ndryshmit sepse mirënjohja për mjekët nuk mbaron dhe zakonisht themi mejkët nuk është se nuk ua krijojmë këtë shans sepse mjekët sa herë që vijnë thonë “bëjmë detyrën” dhe jam i sigurt, doktor Orioni nuk a dëgjon, jam i sigurt që edhe kur të vijë këtu do të thotë “babai im ka bërë detyrën, unë kam bërë detyrën” por rasti juaj ishte shumë specifik, pse jo, në një moment të veçantë e trajtojmë edhe ne shumë dashuri. Ndoshta-ndoshta edhe për faktin që ne të dy na bashkon e njëjta histori, e njëjta histori që ka ndodhur me ty ka ndodhur edhe me nënën time. Edhe ajo ka firmosur, edhe asaj i thanë që “o djali, o ti” dhe ajo tha që “le të lindë djali” dhe për fat, jetuam të dy.

Hyqmet: Dhe fati e do që të jemi ballë për ballë.

Koço Gliozheni i shpëtoi jetën nënës dhe fëmijës, Hyqmeti i shpreh mirënjohjen djalit të tij

Një histori shumë e veçantë u rrëfye në “Ka Një Mesazh Për Ty” nga Hyqmeti. Veç vështirësive që ka patur jeta e prindërve të tij, lindja e Hyqmetit përbënte rrezik  si për të, ashtu edhe për nënën. Mes emocionesh, Hyqmeti tregoi se si ishte mjeku Koço Gliozheni ai që shpëtoi nënë e bir.

Për këtë arsye, ai ka ftuar në rubrikën e së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, djalin e tij, Orion Gliozhenin në shenjë mirënjohjeje ndaj veprës që ka lënë pas babai i tij. Sapo hapet ekrani, dr. Orioni ndan edhe një detaj tjetër nga takimi i tij me Hyqmetin.


Dr. Orion Gliozheni: Prapë në njëfarë mënyre lidhet me profesionin tonë, por këtë radhë është im atë që ka qenë një nga themeluesit e shkollës së Obstetrikës dhe Gjinekologjisë në Shqipëri dhe që me Hyqmetin ka një histori shumë të bukur, as unë nuk e kam ditur, e kam marrë vesh kur jam njohur me Hyqmetin vite përpara dhe kam edhe në zyrën time një tablo të madhe ku Hyqmeti ka shkruar shumë bukur dhe të përmbledhur se çfarë vuajti nëna e tij për të lindur Hyqmetin.

Më pas, Hyqmeti i shprehu mjekut mirënjohjen e tij të thellë dhe të përzemërt.

Hyqmet: Doktor Orioni, të përshëndes! Kam shumë kënaqësi që të kam përballë dhe në një studio të tillë.  Mirënjohje! Unë dua të shpreh mirënjohje për atë burrin e madh për atë doktorin e famshëm, për atë gjinekologun me emër që më dha mua  jetë, më shpëtoi nënën që unë mos të rritesha jetim ndaj dhe e kisha si një detyrim moral, si për t’i thënë asaj nënës time që unë ia përcolla mirënjohjen, jo doktorit, por të birit. Të falenderoj që të kam përballë dhe të shpreh këtë mirënjohje!

Dr. Orion Gliozheni: Faleminderit ty! Ishte vërtet  një surprizë, mendova se do të ishte ndonjë grua që ka lindir, që ka pasur probleme por gjithseis nuk jemi larg edhe këtij skenari por kjo juaja është vërtet një histori shumë e bukur që i përket ca viteve kur edhe kushtet e mjekësisë nuk ishin të njëjta me ato që kemi sot. Sot mund të bëhet ndoshta më tepër sesa ç’mund të bëhej atëherë kur mjekët kishin vetëm stetoskopin në dorë dhe vinin diagnozën në bazë të shenjave klinike, pa pasur një ekografi, skaner siç janë sot etj.

Hyqmet: Prandaj është i madh doktor Koço Gliozheni dhe ju të jeni krenar për atë baba që i dha emër vetes, familjes por la atë mesazh të madh që doktorët dhe sidomos gjinekologët, janë ata që dinë të bëjnë më të mirën për jetën!

“E kam dy herë jetën nga ai”/ Dr. Orioni ndan historinë e veçantë me babain, Koço Gliozhenin

Mjeku i njohur Orion Gliozheni ndau disa kujtime me babain e tij, Koço Gliozhenin në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”. I pyetur nga moderatori i së  “Dielës Shqiptare” në Tv

Klan, Ardit Gjebrea se si kanë qenë raportet me të, mjeku rrëfen se pavarësisht ngarkesës së të atit, të dy kishin një lidhje shumë të afërt. Jo vetëm kaq, por babai i tij i ka dhënë jetë dy herë pasi ka qenë dr. Koço ai që mundësoi lindjen e të birit.


Dr. Orion Gliozheni: Në kohën që ai ka punuar, ka pasur pak mjekë të vjetër dhe me eksperiencë kështu që ia mori edhe shtëpinë shumë afër me maternitetin pasi pothuajse çdo natë, çdo ditë e thërrisnin në spital. Për pasojë, koha që mbetej për të ndenjur me neve ishte pak, merrej kryesisht mamaja por atë kohë që ai gjente, ishte shumë i afërt, shumë. Unë kisha raporte veçanërisht shumë të ngrohta me të të cilat i kujtoj edhe sot me një përmallim e një kënaqësi të madhe.

Ardit Gjebrea: Juve ju ka sjellë ai në jetë?

Dr. Orion Gliozheni: Po.

Ardit Gjebrea: Pra ti ke lindur nga duart e babit tënd?

Dr. Orion Gliozheni: Kam lindur nga duart e babait pasi edhe kjo ka qenë një histori e bukur. Unë isha me peshë të madhe, lindja pati vështirësi, ishte një mjek rus në atë kohë dhe hyri ai për t’i asistuar mamasë time dhe babai normalisht priste jashtë në korridor. Ai u mundua e u mundua, doli jashtë e i tha nuk arrij dot. U fut babai vetë dhe nëpërmjet një instrumenti që quhet forceps më nxori kështu që unë e kam dy herë jetën nga babai, e para sepse jam djali i tij, e dyta sepse më nxori në jetë nga mamaja. Është vërtet një histori e bukur.

/tvklan.al