Kampionati i futbollit nuk do të ketë më asnjë tifoz në tribunë

Gjermania ka bërë hapa pas, teksa ka vendosur mbylljen e dyerve të stadiumeve. Nga e hëna e 2 Nëntorit të gjitha ngjarjet sportive profesionale, futbolli në radhë të parë, do të kthehen të zhvillohen me dyer të mbyllura, pra pa praninë e spektatorëve.

Njoftimi vjen pasi kurba e infektimit nga Covid-19 në Gjermani vazhdon të rritet. Kjo i detyron autoritetet të marrin masa, përfshirë këtë në lidhje me sportin. Deri më tani, liga gjermane e futbollit kishte marrë miratimin për tifozë deri në 20% të kapacitetit të stadiumeve, por jo të gjitha klubet e kishin aplikuar.

Skuadra më e titulluar dhe ajo me më tepër tifozë, Bayern Munchen nuk e kishte rihapur “Allianz Arena” për tifozët pasi numri i të prekurve kalonte limitin për 100 mijë banorë. E në të tilla kushte, tifozët në këtë impiant, ashtu siç tashmë në të gjithë stadiumet gjermane do të mungojnë.

Futbolli pa tifozë parashikohet të luhet të paktën deri në Dhjetor, por mediat gjermane ngrenë alarmin, teksa shkruajnë se impiantet bosh mund të qëndrojnë, edhe gjatë tremujorit të parë të vitit të ardhshëm.

Një njoftim që vë në pikëpyetje dhe mbarëvajtjen e sezonit, i cili mund t’i ngjajë atij që sapo u mbyll. Pezullimi i kampionatit do të shkaktonte efekte zinxhir dhe në ecurinë e skuadrave gjermane në kompeticionet europiane, gjithmonë nëse këto të fundit vijojnë të luhen.

Klan Plus