Rreth 93 milionë njerëz janë në rrezik nga vdekja si pasojë e pickimit nga gjarpërinjtë, sepse nuk kanë akses nga antihelmi apo nga qendra të mira mjekësore. Të dhënat vijnë nga një studim i ri, i përcjellë nga britanikja

The Telegraph

. Sipas kësaj të fundit, gjarpërinjtë vrasin rreth 138 mijë persona çdo vit dhe lenë me dëmtim të përhershme rreth 400 mijë persona.

Pjesa më e madhe e viktimave jetojnë në zona rurale në jug të Azisë dhe në zonat sub-sahariane në Afrikë dhe më të rrezikuarit janë të moshës 10 deri në 30 vjeç.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikon kafshimin nga gjarpërinjtë si një ‘sëmundje neglizhence tropikale’ dhe vijon përpjekjet për të bërë të mundur që trajtimet efektive të jenë të prekshme nga të gjithë.

Një studim i ri i publikuar në Lancet përdori teknika për të zbuluar sa akses kishin njerëzit ndaj trajtimit, sa mundësi kishin për të marrë antihelm dhe sa afër jeton popullata me gjarpërinjtë më vdekjeprurës në botë.

Nga 278 lloje gjarpërinjsh vdekjeprurës, për 119 prej tyre nuk ka një antihelm specifik. Prej këtyre specieve, 24 janë të klasifikuar si të “kategorisë së parë” nga OBSH, pasi konsiderohen si më të përhapurit dhe më vdekjeprurësit. 95 klasifikohen në kategori të dytë, që do të thotë se janë specie më pak të zakonshme dhe më pak vdekjeprurëse.

Ekspertët përllogaritën se rreth 93 milionë persona nëpër botë janë  të “pambrojtur” nga pickimi i gjarprit. Kjo do të thotë se këta persona ndajnë të njëjtin habitat, me 1 ose më shumë gjarpërinj vdekjeprurës për të cilin nuk ekziston një antihelm, jetojnë 3 ose më shumë orë larg qendrave urbane dhe shërbimi shëndetësor klasifikohet i cilësisë së dobët.

Nëse merrnin në konsideratë të gjithë këto faktorë, ekspertët zbuluan se ata që jetonin në pjesë të vendeve si Benin, Kongo, Etiopi, Mianmar, Nigeri, Sudani Jugor dhe Papa Guinea e Re kanë më shumë gjasë që të vdesin ose të kenë pasojë të rënda pas pickimit nga gjarpri.

Për shembull, në Papa Guinea e Re, më shumë se 600 mijë persona jetojnë në afërsi me gjarpërinjtë e kategorisë së parë dhe janë më shumë se një orë larg nga një qendër shëndetësore.

/tvklan.al