Pa fustan të bardhë,  të cilin ndryshe nga vajzat e tjera, nuk e shihte kurrë veten të veshur me të e as me një celebrim që do të vinte 10 vite më vonë. Elva Margariti kujton për “Jo  Vetëm Modë” në Tv Klan momentin e njohjes me bashkëshortin, një propozim martese që nuk erdhi kurrë. Të dy i thanë “po” njëri-tjetrit heshturazi, me lindjen e vajzës së tyre dhe një celebrim që u bë kur vajza ishte 3 vjeçe. Madje, atë moment, ajo e ruan ende sot në kujtesën e saj sa herë sheh ndërtesën e gjendjes civile.

Orinda Huta: Si u njohët me bashkëshortin?

Elva Margariti: Ne jemi njohur që në Tiranë në fakt, megjithëse vërtet kemi filluar të frekuentoheshim  kur kemi shkuar në Itali. Ai ishte kushëriri i shoqes time të ngushtë, jetonte edhe ai në Itali dhe filluam të frekuentoheshim, kur unë shkova në Itali ishte një gjë rastësore që erdhi pastaj me kohën, por ndërkohë ishim njohur që më përpara me familjet.

Orinda Huta: I bëtë të gjitha me etapa, i dogjët?

Elva Margariti: I dogjëm të gjitha.

Orinda Huta: Edhe shaminë?

Elva Margariti: Jo, jo dogjëm etapat, shaminë nuk e dogjëm asnjëherë. Unë nuk jam martuar me dasmë të vërtetë, me dasmë shqiptare.

Orinda Huta: Je penduar që s’ke veshur fustanin e bardhë?

Elva Margariti: Jo, them që do ketë pasur ndonjë arsye sepse nuk e kam përfytyruar ndonjëherë veten me fustan të bardhë.

Orinda Huta: Asnjëherë?

Elva Margariti: Jo, e di sa herë ia thoja edhe shoqeve të mia këtë gjë, habiteshin, por s’e kam menduar ndonjëherë se cili mund të ishte modeli i fustanit të bardhë që mund të më shkonte. Përveç vendit që gjithmonë thoshim që nëse një ditë do të bëjmë një festë për të celebruar dashurinë me njerëzit që duam, duhet të ishte në një anije dhe në një udhëtim./tvklan.al