Dy të rinj, Jurgen Muho, 24 vjeç dhe Eraldo Kataroshi, 19 vjeç janë arrestuar nga policia e kryeqytetit. Të dy ata u kapën në një operacion të koduar “Eksplosion” me 3 bomba artizanale të përgatitura me celular, për shpërthime të telekomanduara në distancë. Muho dhe Kataroshi që shihni në këtë foto të siguruar nga Tv Klan po udhëtonin me një automjet “Volksvagen” ndërsa po i drejtoheshin zonës së Kombinatit. Ata u ndaluan nga patrulla e policisë kur po dërgonin bombat te një blerës ende i paidentifikuar.

Burimet thonë se po punohet për identifikimin e blerësit i cili dyshohet se do të paguante 1200 euro. Dy të arrestuarit, nuk kanë pranuar të flasin për identitetin e blerësve, apo mbi mënyrën se si kanë realizuar bombat artizanale. Veç bombave me celular, policia sekuestroi edhe materiale të tjera që sipas saj janë në interes të hetimit dhe zbardhjes së rastit.