Një moment reflektimi dhe thirrjeje ndodhi në “Shihemi në Gjyq”. Pas shpjegimit të Eni Çobanit se Kristina me ndjekjen e gjyqit 16-vjeçar me motrën e saj do të mund t’i përfitojë pronat e dhuruara të babait që i takojnë me të drejtë si dhe që shtëpia bashkëshortore në Lezhë nuk mund të shitet nga vajza, Ilirjana, pati edhe edhe një kërkesë për këtë të fundit.

Deri në këtë moment, Ilirjana është treguar tepër e ftohtë ndaj nënës duke e quajtur “zonjë” dhe as nuk ka pranuar t’i afrohet e ta përqafojë. Në disa fjalë të saj, u kuptua që Ilirjana ruan mëri të vjetra ndaj Kristinës.

Ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan theksoi rëndësinë e nënës dhe sa ka ndryshuar ky koncept pas humbjes së të atit 9 vite më parë. Çobani e quajti veten me fat dhe e këshilloi Ilirjanën, e cila po ashtu ka humbur të atin, që të bënte të njëjtën gjë.

Eni Çobani: Ilirjana e dashur, unë sot ty nuk të flas si Eni juriste, unë të flas si Eni vajzë që kemi pasur fatin e keq që na është larguar mua 9 vjet përpara, juve 3 vjet më parë një prind shumë i dashur dhe i nderuar si babai, por ta quajmë veten me fat që kemi nënat gjallë. Nëna është e jashtëzakonshme! Nëna është një dashuri e jashtëzakonshme që në fakt Ardit, pas ikjes së babait e kam kuptuar më shumë.

Pas ikjes së babait unë kam kuptuar që kam pasur një thesar në fakt, por kaq e madhe ka qenë dashuria ime për babain, jo që nuk e kam vlerësuar, por s’e kam parë ndoshta aq të plotë, ndërkohë pas ikjes së babait unë e quaj veten me fat që kam nënën akoma gjallë dhe e dua pafund dhe e përshëndes dhe uroj ta kem sa më gjatë në jetë./tvklan.al